Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 3 mars 2024

  • Published in Kanada

Libri i ngushëllimeve në Dhomën e Komunave dedikuar ish-kryeministrit Brian Mulroney (1938-2024)

 

-British Columbia, 198 vetë kanë humbur jetën nga mbidozat në janar 2024

-Alberta, Avalanche Canada paralajmëron rrezik orteqesh në Rocky Mountains

-Saskatchewan, parashikohet fundjavë me stuhi dëbore në një pjesë të provincës

-Nova Scotia, këtë vit nis aplikimi i programit për drekën falas në shkollat publike

-Ontario, hapet në Toronto një qendër kujdesi mjekësor për të rinjtë e pastrehë

 

British Columbia - Sipas Shërbimit të Mjekësisë Ligjore të British Columbia, numri i vdekjeve të shkaktuara nga mbidozat në këtë provincë gjatë muajit janar 2024 arriti në 198, ose 6.4 persona në ditë. Kjo shkallë vdekshmërisë është pak më e ulët se shkalla historike e regjistruar në vitin 2023 dhe 14% më e ulët krahasuar me normën e janarit 2023. Nga ana tjetër, kjo shifër është dy herë më e lartë se ajo e raportuar në prill 2016, kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme shëndetësore. Që nga ky moment, 14,024 vetë kanë humbur jetën nga drogat ilegale në këtë provincë. “Ne po punojmë intensivisht për të krijuar një sistem që jo vetëm trajton rreziqet e menjëhershme, por gjithashtu mbështet shërimin dhe mirëqenien afatgjatë”, ka deklaruar ministrja e Shëndetit Mendor dhe Varësive Jennifer Whiteside. Toksiciteti i drogave ilegale mbetet shkaku kryesor i vdekjeve për personat e moshës 10 deri në 59 vjeç, duke shkaktuar më shumë viktima sesa vrasjet, vetëvrasjet, aksidentet dhe sëmundjet natyrore të kombinuara bashkë në British Columbia.

Alberta - Reshjet e ditëve të fundit nuk kanë mjaftuar për të garantuar qëndrueshmërinë e shtresave të borës në majat e maleve, të cilat janë ndikuara nga temperaturat e buta të janarit. Agjencia federale Avalanche Canada ka paralajmëruar dje (01.03) për një rrezik real të shkrirjes dhe rrëshqitjes së dëborës, veçanërisht në zonat përreth Jasper dhe Lake Louise. Për sa u përket atyre që kanë planifikuar ekskursione në malet e provincës Alberta, Avalanche Canada paralajmëron se ata janë të ekspozuar ndaj një rreziku të lartë të ortekëve. Parashikuesi i ortekëve Tyson Rettie, në një prononcim për CBC/Radio-Canada rekomandoi që “alpinistët dhe të pasionuarit e tjerë për sportet e dëborës të jenë të vetëdijshëm për terrenin sipër dhe rreth tyre dhe të kalojnë në terrene më të ulëta të ekspozuar”. Ka qenë një stuhi e ndodhur ditët e fundit që shkaktoi alarmin e lëshuar nga Avalanche Canada. Përveç kësaj, agjencia federale ka deklaruar se ka regjistruar tre aksidente fatale të shkaktuar nga ortekët në Rocky Mountains që nga fillimi i vitit. I fundit ka ndodhur në fund të javës së kaluar, kur një person që po lëvizte me snowmobile pranë zonës së skijimit Castle Mountain në jugperëndim të Alberta-s humbi jetën, ndërsa dy fëmijë dhe një person tjetër që e shoqëronte arritën të shpëtonin. Avalanche Canada ka theksua se është e vështirë të dihet saktësisht se sa njerëz humbasin jetën nga rrëshqitjet e dëborës, sepse nuk ka një bazë të dhënash reale për këtë.

Saskatchewan - Muaji mars i këtij viti në Saskatchewan ka nisur me një stuhi dëbore. Environment Canada njoftoi rënien e 25 deri në 35 cm dëborë në disa rajone të provincës. Dëbora nisi dje (02.02) në mëngjes dhe pritet të vazhdojë deri të martën. Agjencia federale paralajmëroi se një sistem me presion të ulët mbi Montana do të bëjë që dëbora e madhe të fillojë edhe në jugperëndim të Saskatchewan. Zona e dëborës ka lëvizur më pas drejt verilindjes duke mbuluar edhe pjesën tjetër të gjysmës jugore të provincës deri sot (03.03) në mëngjes. Përveç dëborës së madhe, ngritja e saj nga erërat e forta 60 deri në 70 km/h e ka ulur shikueshmërinë nëpër akset rrugore. Shmangni të gjitha udhëtimet nëse është e mundur, ka këshilluar Environment Canada.

Nova Scotia - Një nga projektet e shpallur në buxhetin 2024-2025 të paraqitur ditët e fundit nga qeveria provinciale në Nova Scotia është dhe ai për ofrimin e drekës në shkolla. Sipas statistikave, në këtë provincë një në pesë fëmijë jeton në kushte varfërie dhe pas vitesh pritjeje, më në fund këtë vit është vendosur planifikimi i 18.8 milionë dollarëve për nisjen e një programi dreke universale në sistemin shkollor publik. Lisa Roberts, drejtoresha ekzekutive e organizatës jofitimprurëse Nourish Nova Scotia, e ka vlerësura pozitivisht këtë hap duke u shprehur se ky vendim “pason një vendim pak a shumë të ngjashëm të marrë së fundmi në një provincë tjetër, pikërisht në Manitoba dhe tani shpresojmë se do të kemi lajme të mira edhe nga buxheti federal”. Detajet mbi funksionimin e projektit nuk janë ende të disponueshme. Për shembull, ende nuk dihet nëse dreka do të jetë falas për të gjithë. Programi parashikohet të nisë nga shtatori i këtij viti në shkollat ​​fillore, përpara se të shtrihet dhe në nivelet e tjera.

Ontario - Të pastrehët e moshës 16 deri në 24 vjeç në Toronto tashmë do të marrin kujdes dentar dhe mjekësor falas në një klinikë të re në qendër të qytetit. Objekti prej 3 milionë dollarësh, i operuar nga Yonge Street Mission (YSM), u financua tërësisht nga donacione private. Klinika e re për këtë kategori të rinjsh zë një kat të tërë të Qendrës Evergreen të YSM në rrugën Spadina. Aty ofrohet kujdes për sytë, fizioterapi, kiropraktikë, kujdes dentar dhe shërbime të shëndetit mendor. Klinika përfshin gjithashtu edhe një shërbim për mbajtjen e fëmijëve të klientëve, gjatë kohës që ata kryejnë vizitën mjekësore. Institucioni quhet zyrtarisht Richard and Lorelai Jenkins & Family Health and Dental Center dhe drejtohet me ndihmën e disa punonjësve të YSM, ndërsa kujdesi kryesisht ofrohet nga profesionistë vullnetarë të fushës së shëndetit. Sipas të dhënave të fundit të Bashkisë, më shumë se 1,300 të rinj të moshës 16 deri në 24 vjeç janë pastrehë në Toronto, ndërsa sipas Youth Without Shelter, një organizatë bamirëse lokale, shifra luhatet midis 1500 dhe 2000.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Justin Tang/Heywood Yu; AP/Lisa Rathke; Daniel Joseph Petty;