Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 2 qershor 2024

  • Published in Kanada

Medford Beach - Nova Scotia

 

-British Columbia, grevë e mbi 500 punonjësve të një miniere bakri në qendër të provincës

-Alberta, Bordi i Sigurisë së Transportit po heton shkaqet e daljes së një treni nga shinat pranë Hinton

-Saskatchewan, në Regina do të hapet së shpejti dyqani i parë ushqimor falas në Kanada

-Nova Scotia, zhvillohet në Halifax konkurimi ndërkombëtar i velierave F50 SailGP

 

British Columbia - Më shumë se 500 punonjës të minierës së bakër-molibdenit me emrin Gjibraltar, që ndodhet në pjesën qendrore të provincës British Columbia, 200 km në jug të Prince George, kanë nisur grevën. Sindikata Unifor shpjegoi që anëtarët e seksionit lokal të saj 3018, votuan dje (01.06) në favor të një greve sepse kompania Taseko, e cila operon minierën, refuzoi të negocionte kushtet bazë të një marrëveshjeje të re kolektive. Në deklaratën e sindikatës theksohet se negociatat filluan në shkurt dhe vazhduan me shumë orë takime pa asnjë konkludim konkret. Nga ana e vet kompania Taseko, me bazë në Vancouver, i pohoi CBC/Radio-Canada se tashmë janë pezulluar operacionet e nxjerrjes dhe bluarjes se mineralit, duke shtuar se personeli i domosdoshëm thelbësor për të mbajtur objektet në funksionim është prezent dhe gjithashtu po vazhdojnë njëkohësisht përpjekjet për arritjen e një marrëveshje të pranueshme nga të dy palët. Sipas Unifor, Seksioni 3018 përfaqëson afërsisht 550 punëtorë të minierës, e cila është miniera e dytë më e madhe e bakrit në Kanada dhe punëdhënësi më i madh në rajonin ku operon.

Alberta - Zyrtarë të Bordit të Sigurisë së Transportit të Kanadasë (Transportation Safety Board of Canada-TSB) i deklaruan CBC/Radio-Canada se po hetojnë daljen nga shinat të një treni mallrash të kompanisë Canadian National Railway (CN). Incidenti deklarohet se ka ndodhur dje (01.06) në mëngjes pranë Hinton, në pjesën perëndimore të provincës Alberta. Një zëdhënës i TSB-së specifikoi se rreth njëzet vagonë ​​mallrash dolën nga shinat rreth orës 5:30 të mëngjesit. Asnjë mall i rrezikshëm nuk u përfshi në incident dhe gjithashtu nuk u raportua asnjë lëndim personash, shtoi ai. Sipas njoftimit për shtyp të publikuar po dje, inspektorët e Transportation Safety Board of Canada do të mbledhin informacion dhe do të analizojnë shkaqet e ngjarjes.

Saskatchewan - Me synimin për të mundësuar akses në ushqim me cilësi të lartë në një mjedis dinjitoz ndaj shtresave në nevojë, Regina Food Bank do të hapë këtë verë një dyqan të ri ushqimor në qendër të qytetit. Dyqani që do të ofrojë ushqime falas, do hapet në ndërtesën që ndodhet midis Broad Street dhe 12th Avenue, ish-dyqan i pijeve të Saskatchewan Liquor and Gaming Authority. Sipas zëvendëspresidentit të Regina Food Bank, David Froh, objekti do të qëndrojë i hapur pesë ditë në javë dhe do t’u krijojë mundësinë njerëzve që ndodhen në situatë pasigurie ushqimore të ruajnë dinjitetin e tyre duke u dhënë atyre mundësinë të zgjedhin një gamë të gjerë produktesh dhe jo vetëm një listë syresh të standardizuar. Regina Food Bank e bleu ndërtesën nga qeveria provinciale për 750,000 dollarë në vitin 2022. Z. Froh shpreson se provinca do ta falë kredinë prej 220,000 dollarësh që mbetet për t’u shlyer. Ndërkohë, organizata e cila nuk merr asnjë financim nga qeveria për kostot e saj operative, ka mbledhur deri tani 3.7 milionë dollarë për transformimin e objektit, por synimi është të mblidhen 5 milionë dollarë, një shumë e nevojshme për ta mbajtur dyqanin të hapur, projekt ky i pari i këtij lloji në Kanada.

Nova Scotia - Këtë fundjavë, në Halifax të Nova Scotia u organizua edicioni i 11-të i Grand Prix SailGP, një kampionat ndërkombëtar lundrimi i varkave me vela. Halifax është qyteti i parë kanadez që organizon një event të tillë ku sivjet konkurojnë dhjetë vende. Varkat janë të tipit F50 dhe mund të arrijnë një shpejtësi deri 100 km në orë. Pavarësisht motit me vranësira, dje në breg të detit në Halifax kishte shumë fansa. Organizatorët vlerësuan se rreth 10,000 vetë ishin të pranishëm si dhe 500 varka private në port për të ndjekur garën midis varkave me vela nga Kanadaja, Gjermania, Australia, Danimarka, Spanja, Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe, Zelanda e Re dhe Zvicra. Tri garat e djeshme (01.06) u fituan respektivisht nga Spanja, Danimarka dhe Australia, por në total, skuadra së Britanisë së Madhe, e drejtuar nga medalisti i dyfishtë i artë në Lojërat Olimpike të Rios, Giles Scott, arriti të krijonte një surprizë duke zënë vendin e parë me 23 pikë, përpara Zelandës së Re (22 pikë), Danimarkës (21) dhe Kanadasë (20). Dy garat finale do të zhvillohen sot (02.06). Çdo ekip ka një varkë të të njëjtit lloj dhe ajo që bën diferencën janë atletët. Sipas CBC/Radio-Canada, biletat për këtë event u shitën në Internet brenda 15 minutave.

@ Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada/AP