Java Kanadeze - Lajme shkurt 14 prill 2024
- Published in Kanada

Fjord of Saguenay - Québec
-British Columbia, industria pyjore në udhëkryq me 5 miliardë dollarë humbje në 6 vjet
-Alberta, projekt-ligj që ndalon bashkitë të negociojnë drejtpërdrejt me qeverinë federale
-Nova Scotia, sindikata e mësuesve paralajmëron grevë nëse nuk avancojnë negociatat me qeverinë provinciale
-Québec, François Legault dhe kryeministri i Francës Attal nënshkruajnë marrëshje për frengjishten
British Columbia - Sipas CBC, industria e pyjeve në provincën British Columbia po përpiqet akaulisht të përshtatet me ndryshimet e vazhdueshme që kanë vështirësuar vitet e fundit funksionimin e saj. Këtë situatë të vështirë e ka pranuar dhe kryeministri David Eby, i ftuar për të mbajtur një fjalim përmbyllës në konferencën vjetore të Këshillit Provincial të Industrive Pyjore (COFI) kur merrnin pjesë rreth 700 përfaqësues të kësaj industrie, të komuniteteve autoktonë dhe sindikatave të punëtorëve të pylltarisë. Të dhënat e publikuara nga COFI konfirmojnë se sektori i pyjeve në British Columbia po kalon një krizë, ndërkohë që në vjeshtën e sivjetme do zhvillohen dhe zgjedhjet provinciale. Që nga viti 2018 janë shkurtuar 9,000 vende pune direkte dhe shifra e humbjeve në shitjen e produkteve llogaritet 5 miliardë dollarë. Gjithashtu që nga viti 2023 COFI ka identifikuar 13 mbyllje ose reduktime shërbimi në fabrikat e sharrave dhe fabrikat e letrës në provincë. Ndër faktorët që kanë shkaktuar këtë situatë renditen ulja e ritmit të ndërtimit të shtëpive për shkak të rritjes së normave të interesit të kredive bankare, reduktimi i numrit të gazetave të shtypura në letër dhe mbi të gjitha, reduktimi i sasisë së drurit në dispozicion të sharrave. Përveç dëmtimeve nga insektet, zjarret e vitit 2023, që ishte dhe sezoni më shkatërrues në historinë e British Columbia, gjithashtu reduktuan vëllimin e lëndës së parë që kompanitë pyjore mund të përdornin. Vitet e fundit, provinca ka modifikuar edhe rregullat e prerjes në rajone të caktuara për të mbrojtur pyjet më të vjetër.
Alberta - Kryeministrja konservatore e provincës Alberta Danielle Smith, gjatë një fjalimi që mbajti të premten (12.04) në një konferencë vjetore të Partisë Konservatore Kanadeze, deklaroi para pjesëmarrësve se prej disa ditësh ka depozituar një projekt-ligj për të parandaluar që bashkitë e provincës që ajo drejton të negociojnë marrëveshje drejtpërdrejt me qeverinë federale. Ajo përsëriti se mesazhi i saj për kryeministrin Justin Trudeau është që t’i kërkojë atij të mos shkelë mbi kompetencat që janë eksluzivitet i qeverisë së Albertës. Smith shpjegoi gjithashtu se nëse ky ligj do të miratohet, ai do t’i detyrojë institucionet e nivelit provincial, bashkitë dhe institucionet shkollore post-sekondare, të marrin miratim nga qeveria provinciale përpara se të modifikojnë ose të lidhin një marrëveshje të re me nivelin federal. Nxitje për këtë vendim është bërë deklarata e qeverisë Liberale Trudeau për marrëveshjet e financimit me qytete si Calgary dhe Edmonton duke përdorur Fondin e Përshpejtimit të Strehimit.
Nova Scotia - Mësuesit e provincës Nova Scotia kanë miratuar një mandat të qartë grevë të enjten (11.04). Sindikata e tyre deklaroi se 98 përqind e 10,313 anëtarëve që votuan - duke përfshirë dhe mësues zëvendësues - votuan pro grevës nëse nuk ka progres në negociata. Sipas presidentit të sindikatës, Ryan Lutes, ky është një mesazh i fortë në adresë të qeverisë provinciale, para ditëve të planifikuara për bisedime nesër (15.04) dhe pasnesër. Të dyja palët po negociojnë një kontratë të re pune prej 10 muajsh, por sipas sindikatës nuk konstatohet progres për çështjet më të rëndësishme. Mbajtja e mësuesve në sektorin publik, mungesa e zëvendësuesve dhe dhuna në shkolla janë ndër çështjet kryesore për anëtarët e sindikatës. Sidomos problemi i dhunës mbetet më shqetësuesi. Pas një anketë me anëtarët vitin e kaluar, nga 2,534 vetë që u përgjigjën, më shumë se gjysma deklaruan se kishin qenë viktimë e të paktën një akti dhune gjatë punës, ndërsa 92% raportuan se kishin pare raste të tilla aty ku punojnë. Çështja e dhunës në shkolla aktualisht po shqyrtohet edhe nga Auditori i Përgjithshëm i Nova Scotia. Mësuesit gjithashtu kërkojnë paga konkurruese. Sipas të dhënave më të fundit të punësimit nga qeveria federale, paga mesatare për një mësues të shkollës së mesme në Kanada është 45,30 dollarë në orë. Nova Scotia rezulton më poshtë se kjo shifër, me një pagë mesatare prej 41,76 dollarë në orë. Në një deklaratë me shkrim të enjten (11.04) në mbrëmje, ministrja e Arsimit e Nova Scotia, Becky Druhan deklaroi se ishte e zhgënjyer, por jo e befasuar nga rezultatet e votimit të mësuesve. “Qeveria është ende e vendosur për të arritur një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët”, u shpreh ajo. Rezultati i këtij votimi sindikal nuk do të thotë se do të ketë grevë. Për momentin, aktivitetet ditore në shkolla mbeten të pandryshuara.
Québec - “Gjuha frënge jo vetëm që është e lidhur thelbësisht me kulturën dhe ekonominë, ajo gjithashtu përfaqëson një vektor të kohezionit social dhe integrimit”, kanë pohuar kryeministrat e Québec, François Legault dhe Francës, Gabriel Attal, në një deklaratë të përbashkët të cilën e nënshkruan të premten (12.04) ditën e fundit të vizitës 3 ditore që numri një i qeverisë franceze zhvilloi në Kanada, e para e këtij niveli pas 40 vjetësh. Të dy kryeministrat theksuan se ndajnë vlera të tilla si “laicizmi, barazia gjinore dhe liria e shprehjes”. Dokumenti që synon të riafirmojë rëndësinë e gjuhës frënge për të dy kombet pas fjalimit të z. Attal para Asamblesë Kombëtare të provinces frankofone u zyrtarizua në fund të Takimit të 21-të të Alternuar mes kryeministrave të Francës dhe Québec. Kujtojmë që deklarata e fundit e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e frëngjishtes daton në vitin 2016. Ndërkohë që Franca do të jetë vendi pritës i Samitit të 19-të të Frankofonisë vjeshtën e ardhshme, dy kryeministrat theksuan “nevojën për të promovuar gjuhën frënge, duke përfshirë edhe hapësirat digjitale”. Aktualisht, algoritmet e GAFAM, platforma të mëdha digjitale si Google, Amazon apo Facebook, ofrojnë kryesisht përmbajtje anglishtfolëse. Deklarata e përbashkët shpreh kësisoj synimin për të forcuar shikueshmërinë dhe promovimin e përmbajtjes kulturore në gjuhën frënge në internet si dhe përmbajtjen shkencore, arsimore dhe ekonomike në frëngjisht. Dy kryeministrat u angazhuan gjithashtu për “konsolidimin e gjuhës frënge si gjuhë biznesi dhe për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis Québec dhe Francës, si dhe midis shteteve frëngjishtfolëse”. Dy kryeministrat dëshirojnë të nxisin edhe partneritete të tjera të krahasueshme me atë të Katedrës së Kërkimeve Québec-Francë për çështjet bashkëkohore të lirisë së shprehjes, e krijuar në vitin 2023.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Jonathan Hayward/Spencer Colby/Jacques Boissinot