Mitsotakis në Kanada, Trudeau akordon 10 milionë dollarë për Qendrën komunitare greke në Laval
- Published in Kanada
Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ka përfunduar dje (25.03) vizitën dy ditore në Kanada, e para vizitë zyrtare e tij në tokën kanadeze qysh nga zgjedhja kryeministër në vitin 2019. Të dielën 24 mars ai mbërriti fillimisht në Montréal për të vijuar më pas me një ndalesë të dytë në Toronto. Vizita e kreut të qeverisë së Athinës ka përkuar dhe me 25 marsin, Greek Independence Day, çka i ka dhënë mundësinë atij ta festojë atë me diasporën greke të Kanadasë, ku jetojnë rreth 270.000 kanadezë të deklaruar me origjinë greke.
Në takimin zyrtar të zhvilluar në Montréal me homologun grek, kryeministri kanadez Justin Trudeau ka nënvizuar faktin që prej 41 vitesh, nuk ka patur vizitë të një kryeministri grek në Kanada, qysh nga koha kur Trudeau babai pat pritur socialistin Andreas Papandreu.
Përtej formulave deklarative diplomatike për marrëdheniet dhe miqësinë që lidh dy vendet prej 80 vjetësh, bashkëpunimin ekonomik dhe atë në fushën ndërkombëtare, kryesisht në kuadër të NATO-s, vizita e Mitsotakis pati të paktën dy momente të veçanta dhe me impakt konkret.
Së pari, pas takimit Trudeau dhe Mitsotakis, dy vendet nënshkruan një marrëveshje zyrtare për blerjen nga ana e Greqisë të 7 avionëve kanadezë çisternë të tipit DHC-515 (i njohur dhe me emrin Canadair dhe i prodhuar nga De Havilland Canada), të cilët përdoren në luftën kundër zjarreve në pyje, fenomen nga i cili të dy vendet janë goditur rëndë veçanërisht vitet e fundit. Vlera totale e kontratës ende nuk është bërë e ditur, por sipas burimeve mediatike që i referohen kostos së shitjes së një avioni të këtij tipi, ajo mund të arrijë shifrën rreth 530 milionë dollarë kanadezë (ndërkohë që shifra më e lartë e këmbimeve tregtare mes dy vendeve mbahet ajo e vitit 2023, rreth 585 milionë dollarë).
Avioni çisternë DHC-515
Së dyti, kryeministri Trudeau ka njoftuar se qeveria federale kanadeze do t’i akordojë 10 milionë dollarë Komunitetit Helenik të Greater Montreal Area, për ndërtimin e një qendre të re komunitare multifunksionale në lagjen Chomedey të Laval. Në deklaratën zyrtare të kreut të qeverisë kanadeze thuhet se “qendra do të përfshijë një teatër, një kompleks sportiv, një bibliotekë, zyra dhe hapësira të tjera ku anëtarët e komunitetit mund të mblidhen dhe të organizojnë ngjarje përkujtimore. E financuar pjesërisht nga programi Ndërtesat e Komunitetit të Gjelbër dhe Gjithëpërfshirëse, kjo qendër komunitare do të jetë karboneutrale”.
Ndërkohë, sipas faqes web të Infrastructure Canada, vlera e plotë e projektit do të jetë 25 milionë dollarë dhe diferenca prej 15 milionë dollarësh do të investohet nga diaspora greke e organizuar në atë që njihet zyrtarisht si Hellenic Community of Greater Montreal, organizatë e themeluar qysh në vitin 1906.
Së fundi, Trudeau dhe Mitsotakis kanë rënë dakord që të dy vendet të nisin punën për hartimin e një protokolli bashkëpunimi në fushën e turizmit me idenë e thellimit të këmbimeve në këtë sektor, që për Greqinë, së bashku me agrikulturën dhe marinën, përbëjne tri shtyllat e ekonomisë së saj.
Përveç takimit zyrtar mes dy kryeministrave të dielën (24.03.), agjenda ka përfshirë edhe disa takime me komunitetin greko-kanadez, pjesëmarrjen e tyre në një shërbesë fetare në Kishën Ortodokse greke Evangelismos Tis Theotokou si dhe në paradën me rastin e Festës Kombëtare të Greqisë, që organizohet çdo vit në Montréal. Ndërsa më pas programi i vizitës së Mitsotakis është mbyllur në Toronto ku ai ka marrë pjesë në aktivitetin Economic Club of Canada business forum, ndërsa në orën 18:30 është takuar me diasporën greke të Torontos në Metro Toronto Convention Centre, takim ku e mori fjalën dhe kryeministri Justin Trudeau.
Vlen për t’u theksuar nga kjo vizitë gjithashtu fakti që kryeministri Mitsotakis në takimin e Economic Club of Canada ka përmendur votimin me korrespondencë të diasporës greke, që me sa duket do të aplikohet për herë të parë në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Sipas kreut të qeverisë greke, për herë të parë në këto zgjedhje do mund të votohet përmes postës. “Më parë janë krijuar qendra votimi në ambasada ku ka diasporë greke, ndërsa tani po bëjmë një hap më tej që t’ju jepet mundësia për të votuar me postë. Është një periudhë prove. Zgjedhjet evropiane janë një test për të parë se si do të funksionojë kjo në zgjedhjet kombëtare”, është shprehur ai.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada dhe Press Office Canada PM
Fotot: AP/Mindaugas Kulbis; The Canadian Press/Graham Hughes; AMNA; Press Office Canada PM