Kanada

Kanada-Kosovë: Në Halifax do përkujtohet 25 vjetori i Operacionit “Parasol” - Nga Taulant Dedja

  • Published in Kanada
Nga: Taulant Dedja*

*Autori ka qenë Përfaqësues i plotfuqishëm i qeverisë shqiptare në Qarkun e Kukësit dhe Zëvendësministër i Pushtetit Lokal i ngarkuar me administrimin e pritjes dhe strehimit të refugjatëve nga Kosova në vitet 1998-1999 si dhe anëtar i Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për Refugjatët, Demografinë dhe Popullsinë (2001-2009).

Siç është paralajmëruar prej disa javësh edhe në rrjetet sociale, përfaqësues të komunitetit shqiptaro-kanadez në Halifax, kryeqytetin e provinces atlantike Nova Scotia, në bashkëpunim me Muzeun Kanadez të Imigracionit (Canadian Museum of Immigration at Pier 21) do të organizojnë në datën 11 maj 2024, ora 17:00, në ambientet e këtij muzeu, një aktivitet përkujtimor kushtuar 25 vjetorit të Operacionit “Parasol”. Nga pala shqiptare organizatoret janë Arta Rexhepi, gazetare dhe bashkëpunëtore e CTV News e CBC në Halifax dhe Olsa Morina, këshilltare për të rinjtë pranë Alberta Health Services në Calgary. Arta dhe Olsa kanë qenë fëmijë, përkatësisht 13 vjeç dhe 2 vjeç, kur kanë mbërritur si refugjate në Kanada, pikërisht në Nova Scotia, së bashku me prindërit e tyre në vitin 1999, në kohën e Luftës së Kosovës. Iniciativa e tyre është përmendur dhe vlerësuar madje qysh vitin e kaluar në media lokale anglofone.

Arta Rexhepi (majtas) dhe Olsa Morina

Për ata që nuk e dinë, Operacioni “Parasol” ishte një operacion ndërkombëtar ndërhyrjeje në ndihmë të refugjatëve shqiptarë të Kosovës që u detyruan të largoheshin nga trojet e tyre për shkak të terrorit të ushtrisë jugosllavo-serbe në vitin 1999, vit kur falë ndërhyrjes së Perëndimit dhe NATO-s me në krye SHBA, Kosova u çlirua një herë e përgjithmonë. Operacioni “Parasol” u drejtua nga qeveria kanadeze, përkatësisht nga Ministria e Mbrojtjes dhe u zhvillua në periudhën 9 prill 1999-31 gusht 1999.

Baza Ajrore Trenton-Ontario

Misioni i Forcave të Armatosura të Kanadasë ishte mbështetja e ministrisë kanadeze të Shtetësisë, Imigracionit dhe Refugjatëve në ofrimin e shërbimeve të ndihmës humanitare për refugjatët nga Kosova. Siç mund të lexohet edhe sot në faqen online të National Defence Canada, kur situata në Kosovë u stabilizua sërish, rreth një e treta e kosovarëve zgjodhën të riatdhesoheshin, ndërsa pjesa tjetër vendosi të fillonte një jetë të re dhe të qëndronte në Kanada. Në fund të gushtit 1999, kur përfundoi Operacioni “Parasol”, ushtria u kujdes për më shumë se 5500 refugjatë, ndërsa në total, përfshi dhe grupin e refugjatëve që u trajtuan me programin e bashkimit familjar, Kanadaj mori përsipër rreth 7000 shqiptarë nga Kosova.

Avion çarter i Royal Airlines para nisjes drejt Kanadasë

Sipas historianit kanadez Jan Raska, autor i një artikulli të veçantë dhe të plotë mbi Operacionin “Parasol” (1999: Canada’s Resettlement and Repatriation of Kosovar Refugees), në dekadat e mëparshme, qeveria kanadeze kishte strehuar refugjatë në kërkim të sigurisë, duke përfshirë rreth 37,500 hungarezë në vitet 1956-1958, më shumë se 11,200 çekë dhe sllovakë në vitet 1968-1969 dhe afërsisht 60,000 vietnamezë, laosianë dhe kamboxhianë në vitet 1979-1981. Raska pohon se “pas këtyre programeve speciale në shkallë të gjerë për refugjatët, rasti i refugjatëve kosovarë megjithatë krijoi një precedent të rëndësishëm: për herë të parë, qeveria kanadeze mori pjesë në një program evakuimi humanitar emergjence, i projektuar për të ofruar mbrojtje të përkohshme ndaj njerëzve në rrezik që largohen nga një vend në formën e një eksodi masiv”.

Refugjatë kosovarë takohen me kryeministrin Jean Chrétien, gruan e tij Aline (e shtata nga e djathta) dhe Ministren e Shtetësisë, Emigracionit dhe Refugjatëve, Lucienne Robillard (e gjashta nga e djathta), Baza Ajrore Borden (Ontario), 1999.

Raska përmend gjithashtu në artikullin e tij edhe një detaj interesant duke cituar një nga drejtuesit e dikasterit për Shtetësine, Imigracionin dhe Refugjatët në ato vite, Gerry Van Kessel, sipas të cilit, edhe pse ministrja përgjegjëse pat sugjeruar që trajtimi dhe mbështetja fianaciare ndaj refugjatëve kosovarë të jepej drejtpërdrejt në Maqedoni (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë) dhe Shqipëri, një telefonatë mes presidentit të SHBA Bill Clinton dhe kryeministrit kanadez Jean Chrétien, ka ndikuar që ky i fundit të marrë përsipër pritjen dhe strehimin në Kanada të 5000 syresh.

Baza Ajrore Trenton (Ontario)

Pas asaj telefonate gjithçka rrodhi shpejt. Më 6 prill 1999, autoritetet ushtarake urdhëruan Bazat Ajrore të Ontarios në Borden, Kingston, Meaford, Petawawa dhe Trenton të vendosen në gatishmëri për pritjen e rreth 5000 refugjatëve kosovarë. Më 9 prill, të njëjtin urdhër e morën dhe bazat Aldershot, Greenwood e Halifax në Nova Scotia si dhe Gagetown në New Brunswick. Drejtimin operacional e mori Citizenship Immigration Canada, ndërsa Forcat e Armatosura Kanadeze ofruan mbështetje logjistike, transporti, akomodimi, ushqimi dhe ekzaminimi mjekësor. Ndërkohë, për sjelljen e refugjatëve në Kanada u përdorën avionët e ish-linjës ajrore kanadeze Royal Airlines.

 

Ilir Brahimi, djali i Sabahete dhe Ramadan Brahimit, refugjati i parë kosovar i lindur në Kanada, Baza Ajrore Aldershot (Nova Scotia), 10 maj 1999.

Më 27 prill 1999, dy familje kosovare mbërritën në Toronto. Atyre ua uroi mirëseardhjen në Aeroportin Pearson ministrja e Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë, Lucienne Robillard. Ata ishin refugjatët e parë që erdhën në Kanada në kuadër të programit të Ribashkimit të Përshpejtuar të Familjeve nga Kosova. Disa ditë më vonë, më 4 maj, avioni i parë i Programit të Evakuimit Humanitar zbriti në Bazën Ajrore në Trenton, Ontario. Fluturimet çarter u alternuan mes kësaj baze dhe bazës Greenwood në Nova Scotia. Në total, njëzet e një fluturime evakuimi thuajse të përditshme sollën më shumë se 7000 refugjatë kosovarë në Kanada, i fundit i realizuar më 26 maj dhe më shumë se 90% e refugjatëve u pritën dhe strehuan fillimisht në Trenton (Ontario) dhe Greenwood (Nova Scotia).

Olsa Morina me babain - Baza Ajrore Aldershot (Nova Scotia)

Sipas statistikave zyrtare, qeveria kanadeze solli 5,051 refugjatë kosovarë në Kanada në kuadër të Operacionit “Parasol” dhe 2,292 të tjerë në kuadër të programit të bashkimit familjar, i cili vazhdoi për disa muaj pas përfundimit të evakuimit. Po sipas statistikave zyrtare, në vitin 2001 u konfirmua se gati 70% e të ardhurve nga Kosova në vitin 1999, kishin vendosur të qëndronin përfundimisht në Kanada. Shumica e tyre sot jetojnë në Hamilton e Toronto (Ontario), një pjesë në Montreal (Québec), në Calgary dhe Edmonton (Alberta), Regina (Saskatchewan) etj. Një numër i vogël (sipas shifrash jo zyrtare rreth 85 nga të evakuuarit e Operacionit “Parasol”) vazhdon të jetojë e punojë në Halifax të provincës Nova Scotia. Mes tyre dhe Arta Rexhepi një nga organizatoret e aktivitetit të datës 11 maj në Muzeun Kanadez të Imigracionit. Me Artën, që është dhe vajza e piktorit të mirënjohur shqiptaro-kanadez Zeqirja Rexhepi, zhvillova edhe një bisedë të shkurtër:

1) Si u iniciua ideja për këtë aktivitet dhe cilët janë organizatorët?

Arta Rexhepi: Unë e kam mbështetur babain tim me organizimin e ekspozitave për 15 dhe 20 vjetorin e ardhjes së refugjatëve nga Kosova në Kanada. Në organizimin e fundit, muzeu më shprehu sugjerimin për një organizim të përmasave të mëdha me rastin e 25 vjetorit. Vitin e kaluar, Olsa Morina, që jeton në Alberta (edhe ajo sikurse unë e ardhur refugjate me familjen në vitin 1999) më kontaktoi dhe shprehu dëshirën për të bashkëpunuar dhe organizuar diçka të veçantë.

2) A mund të përmendni diçka konkrete se si do të zhvillohet aktiviteti i datës 11 maj dhe synimet tuaja si organizatore?

Arta Rexhepi: Aktiviteti do të bashkojë një numër të madh pjesëmarrësish, zyrtarë të nivelit të lartë nga e gjithë Kanadaja, po ashtu edhe nga Kombet e Bashkuara, përfaqësues të qeverisë, deputetë, diplomatë si dhe përfaqësues nga Forcat e Armatosura Kandeze. Do kemi edhe performanca nga disa të rinj shqiptarë nga Nova Scotia dhe Ontario, si edhe ekspozitën e studiueses Krenare Reçaj. Synimi i këtij eventi është të dëshmojmë mirënjohjen për përfshirjen e Kanadasë në ndihmë të Kosovës, t’u kujtojmë kanadezëve mizoritë e kryera në Kosovë si dhe ndikimin që lufta vazhdon të ketë sot mbi popullin e Kosovës. Ndërsa Kosova dhe Serbia ndofta janë në prag të një lufte tjetër, ne shpresojmë që takimi ynë do të inkurajojë mbështetje të ripërtërirë dhe të vazhdueshme nga Kanadaja ndaj Kosovës dhe nëse nevojitet, mbështetje të ngjashme si në vitin 1999.

3) Si e kujtoni personalisht sot ardhjen në Kanada para 25 vitesh dhe cila është gjëja që ju ka mbetur më shumë në mendje nga kontakti i parë me tokën kanadeze?

Arta Rexhepi: Më ka mbetur në mendje sidomos mikpritja kanadeze. Mikpritja ishte një faktor që ndikoi te shumë shqiptarë për të vendosur përfundimisht të vazhdojnë jetën në Kanada, edhe pse mundësia ishte për t’u kthyer në Kosovë pas luftës. Kanadezët u kujdesën, na mbështetën dhe na ringjallën shpresat e një jete më të mirë dhe mbi të gjitha na bënë të besojmë se paqja ekziston dhe që gjithçka këtu është e mundur.

Faksimile nga listat e Kryqit të Kuq Kanadez - Nova Scotia (1999)

4) Si parashikohet të jetë mbulimi mediatik i aktivitetit?

Arta Rexhepi: Mediat kanadeze e kanë mbeshtetur rregullisht Kosovën që nga fillimi i luftës dhe vazhdojnë sërish, duke i dhënë zë komunitetit tonë, edhe pse i vogël. Ndërkohë përfitoj nga rasti të falenderoj komunitetin shqiptar në Halifax, por edhe në qytete të tjerë, që na ka mbështetur mua dhe Olsa Morinën si organizatoret e këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm apo dhe aktivitete të tjera më parë. Edhe pse komuniteti shqiptar në Nova Scotia është më i vogël në krahasim me provinca të tjera, gjithmonë kemi mbetur të bashkuar dhe si një familje e madhe që nga dita kur erdhëm si refugjatë. Vazhdimisht kemi mbeshtetur emocionalisht njëri-tjetrin, në çdo sfidë që na solli jeta kanadeze si refugjatë të rinj. Fillimi ishte jo i lehtë, por krah njëri-tjetrit ia dolëm.

***

Dhe në fund, për kuriozitetin e lexuesve, e hapur në vitin 1928, Pier 21 (sot Muzeu Kanadez i Imigracionit), shërbeu si një nga qendrat kryesore të pritjes së tyre në Kanada, të krijuara nga qeveria kanadeze gjatë shekullit XX, derisa u mbyll në vitin 1971. Stafi i Pier 21 në vite ka pritur rreth një milion imigrantë, duke verifikuar dokumentat e identitetit dhe gjendjen e tyre shëndetësore, duke i mbajtur gjithashtu përkohësisht të ndaluar apo në karantinë, si dhe duke u ofruar shërbime doganore dhe sociale.

Si konkluzion, në këndvështrimin tim, si dëshmitar dhe aktor i drejtpërdrejtë në ngjarjet e viteve 1998-1999 që lidhen me luftën për çlirimin e Kosovës, zhvendosjen masive të refugjatëve shqiptare dhe gjithçka erdhi më pas, Operacioni “Parasol”, së bashku me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kanadaja, mbeten faqet më të ndritura të kontributit kanadez për kombin shqiptar.

© Flasshqip.ca

Burimet: National Defence Canada; Canadian Museum of Immigration at Pier 21; Parks Canada;

Fotot: Collection of Canadian Museum of Immigration at Pier 21; Kortezi Arta Rexhepi dhe Olsa Morina;