Java Kanadeze - Lajme shkurt 5 maj 2024
- Published in Kanada
Gem Lakes - Saskatchewan
-British Columbia, manifestim kundër krizës së strehimit në Downtown Eastside Vancouver
-Alberta, përfundon projekti i tubacionit të naftës Trans Mountain
-Nova Scotia, dalin emrat e pretendentëve për kreun e bashkisë Halifax në zgjedhjet e ardhshme
-Prince Edward Island, arrestohet në Charlottetown i arratisuri më i kërkuar në Kanada
British Columbia - Në Downtown Eastside të Vancouver, një nga lagjet më të varfra në vend u zhvillua dje (04.05) një manifestim për të sensibilizuar akoma më shumë qeverinë lidhur me krizën e strehimit. Grupi i manifestuesve eci përgjatë rrugës Hastings nga hotelet Regent dhe Balmora drejt parkut Oppenheimer. Grupi u ndal edhe përpara disa ndërtesave të banimit në lagje, përfshirë dhe ato me një dhomë, për të shpjeguar iniciativat e ndryshme konkrete që mund të zbatohen për të zvogëluar numrin e të pastrehëve në qytet. Sipas një raporti të fundit të Shoqatës së Qendrës Komunitare Carnegie në Vancouver, nëse nuk veprohet në kohë, numri i të pastrehëve në metropolin e British Columbia mund të rritet nga 2,420 aktualisht (sipas numërimit të fundit zyrtar në 2023), në 4,700 deri në vitin 2030. Organizatori i manifestimit, Devin O’Leary, shpjegoi për CBC/Radio-Canada se zgjidhjet tashmë ekzistojnë dhe ato mund të ofrojnë deri në 2300 njësi banimi. O’Leary, i cili punon për Projektin e Strehimit Carnegie në Vancouver përmendi shembullin e rehabilitimit të hotelit Balmoral, që do të mundësojë 120 njësi banimi me qira të përballueshme. Sipas Bashkisë Vancouver, nisja e projektit është planifikuar për verën e ardhshme.
Alberta - Pas më shumë se 12 vjet procese rregullatore dhe ndërtimesh, ka nisur zyrtarisht javën që sapo mbyllet funksionimi i tubacionit të dyfishtë të transportimit të naftës Trans Mountain midis Albertës dhe British Columbia me gjatësi 992 kilometra. Kompania shtetërore përgjegjëse për projektin mori të marten e kaluar (30.04) të gjitha autorizimet e nevojshme për të filluar nga puna. “Ky është një moment vendimtar për Albertën. Jemi të lumtur që tubacioni më i madh i Kanadasë pas më shumë se një dekadë mund të transportojë tashmë naftë nga Edmontoni deri në brigjet e British Columbia”, deklaruan në një komunikatë të përbashkët kryeministrja e Albertës, Danielle Smith dhe ministri i Energjisë së provincës, Brian Jean. Qeveria e Albertës falënderoi edhe qeverinë federale për mbështetjen e projektit deri në përfundimin e tij. Ottawa e rimori projektin në duart e veta nga kompania amerikane Kinder Morgan në vitin 2018. Qysh atëherë, kostoja e ndërtimit ka kaluar 34 miliardë dollarë. Zgjerimi i tubacionit e ka rritur kapacitetin e transportit të naftës midis dy provincave nga 300,000 në 890,000 fuçi në ditë. Sipas njoftimit për shtyp të kompanisë shtetërore, mbushja e tubacionit nuk ka përfunduar ende dhe anijet transportuese të naftës do të fillojnë të furnizohen me ngarkesë nga mesi i majit, ndërsa sipas ekspertëve, rafineritë e shtetit Uashington, të Kalifornisë si dhe disa vende aziatike janë të interesuara për naftën kanadeze. Analistët e tregut të naftës presin gjithashtu që funksionimi i Trans Mountain të nxisë një rritje të prodhimit në këtë sektor. TD Economics parashikon që rritja në vitin 2024 mund të jetë midis 6% dhe 10%, çka krahasohet me vitet e bumit 2010-2015.
Nova Scotia - Kryebashkiakët e dy qyteteve më të mëdha të provinces Nova Scotia kanë njoftuar tashmë se nuk do të kërkojnë një mandat të ri. Ndërkohë 3 kandidatë që synojnë të pasojnë Mike Savage pas zgjedhjeve të tetorit të ardhshëm në Halifax janë deklaruar së fundi publikisht. E para është Pam Lovelace, anëtare e këshillit bashkiak që përfaqëson distriktin Hammonds Plains-St. Margarets. Ajo ka pohuar se do të punojë me qeveritë provinciale dhe federale për të rritur numrin e banesave të përballueshme dhe përmirësimin e infrastrukturës. Pam Lovelace u zgjodh për herë të pare si këshilltare në vitin 2020 dhe gjithashtu ka shërbyer si nënkryetare bashkie nga viti 2021 deri në vitin 2022. Para hyrjes në politikë, ajo ka punuar në fushën e komunikimit dhe menaxhim projektesh. I dyti që synon të kandidojë quhet Clay Bowser, një i ri 27-vjeçar që jeton në një strehimore. Ai gjithashtu synon të fokusohet tek strehimi i përballueshëm dhe shpreson se kandidatura e tij do të inkurajojë më shumë të rinj që të përfshihen në politikë. I treti në garë, Nolan Greenough, është një mekanik 23-vjeçar që synon të ketë si prioritet transportin publik. Po ashtu përflitet se do të kandidojë deputeti i Halifax, Andy Fillmore, por ai ende nuk e ka konfirmuar këtë. Kandidatët mund të mbledhin donacione dhe të bëjnë fushatë qysh tani. Nominimet zyrtare do të bëhen më 10 shtator, ndërsa dita e zgjedhjeve lokale në Nova Scotia është caktuar 19 tetori.
Pam Lovelace
Prince Edward Island - Policia e Charlottetown në provincën Prince Edward Island, ka arrestuar të marten e kaluar (30.04) Michael Bebee, të arratisurin më të kërkuar në vend. 35-vjeçari kërkohej nga policia e Torontos për vrasjen e Shamar Powell-Flowers, në lagjen greke në korrik 2023. Muajin e kaluar, policia e Torontos ofroi një shpërblim prej 100,000 $ për çdo informacion që mund të çonte në prangosjen e të arratisurit. Oferta ishte pjesë e programit Bolo, që ofron shpërblime në këmbim të informacionit që mund të ndihmojë në kapjen e 25 të arratisurve më të kërkuar në Kanada. Policia e metropolit pat kontaktuar kolegët në Prince Edward Island javën e kaluar për t’u komunikuar se dispononte informacion të besueshëm që Michael Bebee ndodhej në provincën e tyre. Sipas Policisë së Charlottetown, detektivë nga Sektori i krimeve të rënda të Policisë së Torontos do të udhëtojnë drejt ishullit Prince Edward në ditët në vijim për të kthyer Michael Bebee përsëri në Ontario.
Michael Bebee
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; Tourism Saskatchewan; Toronto Police