Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 10 mars 2024

  • Published in Kanada

Old Québec City

 

-British Columbia, industria provinciale e filmit ende në vështirësi pas konflikteve në Hollywood

-Alberta, pritet grevë e menjëhershme e punonjësve të Bashkisë Edmonton

-Saskatchewan, e vetmja provincë kanadeze që nuk ndryshoi orën mbrëmë

-Nova Scotia, u rikthehet energjia 47,000 klientëve pas avarisë së një linje transmetimi

-Ontario, parking apo banesa një dilemë e vjetër e bashkisë Toronto për disa terrene

 

British Columbia - Ndërsa në Los Angeles vazhdojnë përgatitjet për festën më të madhe vjetore të kinemasë, në British Columbia, industria e filmit dhe televizionit ende përpiqet të rigjejë vrullin pas një viti të mbarsur me dy konflikte të mëdha. Në atelienë e tij të printimit në Burnaby, të ndodhur në zemër të atij që quhet North Hollywood, ku ka disa studio të mëdha brenda një rrezeje 10 km, Chris Fritz tani punon i vetëm. Biznesi i tij, që deri vonë kishte një duzinë punonjësish për t'iu përgjigjur me shpejtësi kërkesave të minutës së fundit nga ekipet e xhirimit, është praktikisht i shkretë. “Të gjithë po luftojnë për të përballuar jetesën”, i ka deklaruar ai CBC/Radio-Canada. Nëse greva e aktorëve dhe ajo e skenaristëve janë tashmë një kujtim i së shkuarës, katër muaj pas ratifikimit të marrëveshjes së fundit, kompania e tij po vuan ende pasojat. Biznesmeni vlerëson se ka humbur afro 1 milion dollarë për shkak të konflikteve në Hollywood, pa llogaritur ndikimin tek punonjësit e tij, të cilët iu desh t’i pushonte nga puna. Sipas të dhënave të fundit, industria e filmit në provincë është rikthyer vetëm në rreth 30%. Në faqen e saj internet, Creative BC liston 30 prodhime në proces, ndërkohë që ishin më shumë se njëqind të tillë para pandemisë. Ndërkohë, në vitin 2022, sektori i filmit dhe televizionit gjeneronte 3.6 miliardë dollarë të ardhura në British Columbia. Ky institucion, i cili mbikëqyr edhe Këshillin e kinematografisë të provincës, vlerëson se midis 70 dhe 80% e industrisë, e cila përfshin gjithashtu sektorin e animacionit dhe efekteve speciale, zakonisht është e lidhur me prodhimet amerikane. “Gjithmonë na pëlqen të themi se funksionojmë me të njejtin orar me ata që punojnë në Los Angeles”, shprehet drejtori i Creative BC, Prem Gill. Me fuqinë punëtore të specializuar, kreditimin e taksave dhe vendndodhjen e tij tërheqëse gjeografike, vetëm tre orë fluturim nga Los Angeles, Vancouver ka krijuar një profil të preferuar për sektorin e argëtimit, duke u bërë një nga qendrat më të rëndësishme të kësaj industrie në Amerikën e Veriut, pas Los Angeles dhe New York.

 

Alberta - Pas refuzimit të ofertës së Bashkisë Edmonton me 87.6% të votave, kryetari i sindikatës që përfaqëson punonjësit e saj ka deklaruar për CBC/Radio-Canada se greva mund të fillojë të enjten e ardhshme (14.03). Ai e ka cilësuar grevën si “iminente”. “Anëtarët po na kërkojnë me insistim të shpallim një njoftim për grevë. Nëse nuk ka ofertë të re nga punëdhënësi në 48 orët e ardhshme, ndoshta do ta deklarojmë grevën nesër në mëngjes (11.03.)”, pohoi Lanny Chudyk, president i Seksionit 52 të Sindikatës së Shërbimit Civil (CSU 52), që përfaqëson disa mijëra punonjës të Bashkisë Edmonton. Si rregull, sindikata duhet të njoftojë Bashkinë të paktën 72 orë përpara nisjes së një grevë. Punonjësit e bashkisë së kryeqytetit të Alberta-s nuk kanë pasur rritje pagash që nga viti 2018 dhe janë pa kontratë pune që nga dhjetori 2020. Negociatat mbetën pezull që nga përfundimi i ndërmjetësimit në janar 2024. Që atëherë, punonjësit e administratës dhe ata të bibliotekave publike kanë miratuar një mandat grevë. Edhe pse nuk u arrit asnjë marrëveshje në parim midis sindikatës dhe punëdhënësit, Bashkia Edmonton i pat kërkuar Komisionit të Marrëdhënieve të Punës në Alberta që të mund t'i lejonte punonjësit e saj të vlerësonin drejtpërdrejt ofertën. Shkalla e pjesëmarrjes në votim arriti 87.5%. “Jemi të zhgënjyer me rezultatin e votimit”, deklaroi me shkrim për mediat Cyndil Taylor, drejtoresha e burimeve njerëzore të bashkisë e cila e përshkruan ofertën si bindëse, edhe nën dritën e realiteteve financiare aktuale. Bashkia ka propozuar veçanërisht një rritje pagash prej 7.25% deri në vitin 2025, e cila përfshin gjithashtu rritje retroaktive. Sipas saj, “objektivi kryesor është të arrihet një marrëveshje e balancuar për anëtarët e CSU 52, bashkinë dhe taksapaguesit”. Nëse nis greva, mund të preken shumë shërbime, përfshirë edhe shërbimin e shpërndarjes së thirrjeve telefonike për numrat 911 dhe 311, shërbimet kompjuterike dhe zyrat e lëshimit të lejeve. Ndërkohë, sipas një marrëveshjeje mes sindikatës dhe bashkisë, shërbimi i transportit të adaptuar nuk do preket nga greva.

Saskatchewan - Ndërsa i gjithë vendi e ndryshoi orën mbrëmë, e vetmja provincë që nuk e ndryshoi ishte Saskatchewan sikurse dhe territori Yukon. Provincat e tjera kanadeze e ndryshojnë orën e tyre dy herë në vit për të përfituar maksimalisht nga orët e ditës dhe për të reduktuar koston e energjisë. Por pse nuk ndodh kështu edhe në Saskatchewan? Për të marrë përgjigje duhet rikthyer në vitin 1966. Pikërisht atë vit, provinca miratoi Time Act, që përcaktonte se Saskatchewan do të vazhdonte të aplikonte Orën Standarde. Pra, një pjesë të vitit, Saskatchewan është në të njëjtën orë me Alberta-n dhe pjesën tjetër të vitit ora e saj sinkronizohet me atë të provincës Manitoba. Vetëm tre komunitete kufitare në Saskatchewan e lëvizin prapa orën në krahasim me provincën fqinje: Lloydminster, Creighton dhe Denare Beach. “Shumica dërrmuese e banorëve tanë punojnë në Manitoba, kështu që ishte më e lehtë për ne të kalonim me orën e saj”, ka shpjeguar për CBC/Radio-Canada kryebashkiaku i Creighton, Bruce Fidler.

Nova Scotia - U është rikthyer energjia elektrike më shumë se 47,000 klientëve në Nova Scotia, të cilët përjetuan ndërprerjen e saj herët në mëngjesin e djeshëm (09.03). Kompania furnizuese e energjisë elektrike Nova Scotia Power njoftoi se një defekt në linjën e transmetimit në New Brunswick e kishte detyruar ekipin e saj të pezullonte energjinë në disa pjesë të provincës. “Ne po punojmë sa më shpejt që të jetë e mundur për të rikthyer energjinë dhe kërkojmë falje për këtë shqetësim”, shkroi në rrjetin social X Nova Scotia Power. Në pikun e ndërprerjeve dje (09.03), pothuajse gjysma e tyre prekën bashkinë rajonale Halifax. Ndërprerjet e tjera ndodhën në zonat Wolfville, Lunenburg, Truro, Antigonish, Port Hawkesbury dhe Sydney.

Ontario - Këshilli Bashkiak i Torontos po diskuton edhe një herë mundësinë e shndërrimit të terreneve të parkingjeve mbitokësore në terrene ndërtimi banesash dhe do t’i duhet të shqyrtojë një plan për këtë qëllim së shpejti, linjat kryesore të të cilit janë përcaktuar nga komiteti ekzekutiv i kryebashkiakes Olivia Chow. Kjo e fundit ka kujtuar në një komunikim me CBC/Radio-Canada se përdorimi i parkingjeve bashkiake për të densifikuar banimin, veçanërisht rreth stacioneve të metrosë, është planifikuar prej dekadash, qysh në fillim të viteve 90-të kur ajo ishte këshilltare, por progresi ka qenë tepër i ngadalshëm. “Tani që jam kryetare bashkie, mund të bëj më shumë”, është shprehur ajo. Bashkia Toronto posedon 300 terrene parkingu dhe sipas një raporti të kohëve të fundit, potencialisht 130 mund të shndërrohen në terrene ndërtimi banesash. 74 prej tyre janë 10 minuta larg në këmbë nga një linjë metroje, hekurudhore ose autobusi të specializuar. Ndërkohë, qeveria provinciale ka vendosur një objektiv ambicioz për ndërtimin e 1.5 milionë banesave të reja deri në vitin 2031 dhe u ka akorduar bashkive të Ontarios kompetenca të posaçme. Nga ana e tij, këshilli i Bashkisë Toronto ka miratuar një plan për të përmbushur objektivin për 285,000 njësi të reja banimi.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; Flasshqip.ca