Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 17 mars 2024

  • Published in Kanada

Newfoundland & Labrador

 

-British Columbia, një grup kërkuesish rekomandon terapinë pyjore për problemet e shëndetit mendor

-Alberta, qeveria provinciale nis hartimin e rregullave mbi përdorimin e inteligjencës artificiale

-Saskatchewan, së shpejti nis një projekt i ri vaditjeje me vlerë rreth 1.15 miliard dollarë

-Nova Scotia, ende e pasigurt e ardhmja e farit 200 vjeçar që ndodhet në Seale Island

-Québec, zhvillohet në Montréal parada e 199-të e St Patrick’s Day për nder të trashëgimisë irlandeze

-Ontario, dy të arrestuar gjatë një manifestimi para një hoteli në Toronto ku zhvillohej një aktivitet i kryeministrit Trudeau

 

British Columbia - Një ekip kërkimor nga Universiteti i British Columbia po ofron terapi në natyrë për persona të interesuar dhe kuriozë dhe i ka deklaruar CBC/Radio-Canada se kjo terapi mund të përmirësojë shëndetin mendor dhe mirëqenien e atyre që pranojnë t’i nënshtrohen eksperiencës. Ekipi MINT (Multidisciplinary Institute of Natural Therapy) pranë Fakultetit të Pylltarisë të këtij universitetit dhe që drejtohet nga profesori i asociuar Guangyu Wang, u ofron grupmoshave dhe kategorive të ndryshme si të rinjve, të moshuarve, apo të sëmurëve të përjetojnë terapinë pyjore dhe të ndjejnë përfitimet e saj. Terapia e natyrës dhe pyjeve është një praktikë e frymëzuar nga koncepti japonez shinrin-Yoku, i cili fjalë për fjalë përkthehet “banjo në pyll” ose “larje në atmosferën e pyllit”. Profesor Wang shpjegon se kur një individ përjeton stres, trupi i tij lëshon hormone të tilla si kortizoli. Wang specifikon se një sërë studimesh kanë demonstruar se shëtitjet terapeutike në pyll mund të ulin ndjeshëm nivelet e kortizolit, të ulin tensionin, depresionin dhe të rrisin ndjenjën e mirëqenies dhe fuqinë fizike. Ekipi MINT bashkëpunon, ndër të tjera, me organizata shëndetësore të British Columbia, si për shembull Agjencia provinciale e Kancerit. MINT ofron terapi pyjore për pacientët me kancer për të ndihmuar shëndetin e tyre mendor dhe për të forcuar sistemin e tyre imunitar.

Alberta - Qeveria e provinces Alberta po harton rregullat për inteligjencën artificiale që do të jenë gati ndoshta qysh në vjeshtë. Lajmin e ka bërë të ditur zyra e Ministrisë së Teknologjisë dhe Inovacionit përmes një komunikate me shkrim. Në njoftim thuhet se rregullat do të jenë pjesë e një përditësimi të ardhshëm të mbrojtjes së privatësisë dhe do t'u ofrojnë qytetarëve të Alberta-s mbrojtjen më të fortë të privatësisë në Kanada. Rregullat e reja do parashikojnë gjithashtu mbrojtje kundër teknologjisë së hipertrukimit (deepfake) për të bërë të mundur që ata që krijojnë imazhe ose video intime pa pëlqim të përballen me ndëshkime të rënda. Aktualisht nuk ka ligje që rregullojnë përdorimin e inteligjencës artificiale në Alberta dhe sipas Diane McLeod, komisionere e Informacionit dhe Privatësisë në Alberta, ka ardhur momenti për këtë. Të mërkurën e kaluar (13.03), Parlamenti i Bashkimit Evropian miratoi Aktin mbi Inteligjencën Artificiale duke u bërë organi i parë ligjvënës në botë që miraton një legjislacion gjithëpërfshirës për AI. Sipas Parlamentit Evropian, ky ligj garanton sigurinë dhe respektimin e të drejtave themelore, ndërkohë që stimulon inovacionin. Ligji pritet të hyjë në fuqi në 27 vende të Bashkimit Evropian në fund të këtij viti. Ndërkohë, në Kanada, një projekt-ligj federal që rregullon AI po shqyrtohet nga Parlamenti. Projektligji C-27 aktualisht ndodhet në fazën e diskutimit nga komisioni parlamentar përkatës dhe ende nuk është dhënë asnjë datë se kur do të miratohet përfundimisht.

Saskatchewan - Qeveria e Saskatchewan po përgatitet të fillojë punën për një projekt të ri vaditjeje të lidhur me liqenin Diefenbaker, me vlerë 1.15 miliardë dollarë. Kjo nismë është njoftuar për herë të pare qysh në vitin 2020 nga kryeministri Scott Moe, ndërsa të enjten (14.03), ky i fundit deklaroi se më në fund do të fillojë puna projektuese dhe do të zhvillohen konsulta me përdoruesit e tokës për projektin e zgjerimit vitin e ardhshëm të liqenit Diefenbaker, liqen artificial i krijuar qysh në vitin 1967 nga qeveria provinciale dhe federale. Projekti i ri synon t’u sigurojë fermerëve akses më të madh në ujin e liqenit, duke u mundësuar atyre të vadisin një sipërfaqe shtesë prej 364 kilometrash katrorë. Sipas kryeministrit Moe, ky projekt konsolidon më tej sigurinë ushqimore të Kanadasë dhe do të sjellë përfitime të mëdha për brezat që do të vijnë duke gjeneruar miliarda dollarë përfitime ekonomike dhe mijëra vende pune. Kryeministri i Saskatchewan gjithashtu ka specifikuar përmes një deklarate me shkrim se kostot e zbatimit të projektit të ri të vaditjes do të ndahen midis provincës dhe prodhuesve që dëshirojnë të përfshihen në të.

Nova Scotia - Në Nova Scotia, një grup për mbrojtjen e trashëgimisë i ka bërë thirrje Ottawa-s të bëjë gjithçka që mundet për të shpëtuar farin 200-vjeçar të Seal Island. Nga ana e saj, ministria e Peshkimit dhe Oqeaneve e Kanadasë kohët e fundit e ka konsideruar me kosto të lartë mirëmbajtjen e kësaj ngrehine historike, që ndodhet në jug të Pubnico, e cila në fakt është fari më i vjetër prej druri në Nova Scotia dhe i dyti më i vjetër në Kanada. Fari u ndërtua nga familjet vendase në vitin 1831, pas raportimit të një numri të madh anijesh të mbytyra në zonë. Seal Island Lighthouse Preservation Society, grupi i interesuar pë ruajtjen e objektit, insiston mbi faktin se fari ka një rëndësi historike dhe arkitekturore, arsye për të cilën mori dhe statusin e objektit trashëgimi kanadeze në vitin 2009. Mary McLaren, anëtare e këtij grupi, ka shpeguar për CBC se struktura e ndërtesës përgjithësisht është në gjendje të mirë, por ka nevojë për rinovime. Sipas saj, Roja Bregdetare Kanadeze, e cila është përgjegjëse për farin, nuk e ka mirëmbajtur atë siç duhet, por ky institucion së bashku me ministrinë e Peshkimit dhe Oqeaneve deklarojnë se fari kërkon riparime strukturore të cilat do të ishin shumë të kushtueshme. Në një email dërguar CBC, thuhet se është marrë vendimi për të ngritur një kullë çeliku pranë farit si një ndihmë për lundrimin në zone, në vend që të riparohet struktura e vjetër. Në mesazh theksohet se kjo masë do të ishte më pak e kushtueshme dhe e dobishme për shëndetin dhe sigurinë e punonjësve të mirëmbajtjes. Ndërkohë, të premten (15.03), Seal Island Lighthouse Preservation Society i ka dërguar një letër ministres Federale të Trashëgimisë, Pascale St-Onge, për të kërkuar mbështetjen e saj në këtë çështje. Në letër parashtrohet dhe kërkesa që fari të riparohet për të përmbushur standardet e ligjit për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë.

Québec - U zhvillua sot (17.03) në Montréal parada e 199-të vjetore e Ditës së Shën Patrikut për nder të trashëgiminë irlandeze me prezencën edhe të kryetares së bashkisë, Valérie Plante. Muzikantë, automjete të dekoruar dhe mijëra pjesëmarrës vërshuan në rrugët e qendrës së Montréal. Parada tradicionale nisi në mesditë në cepin e rrugës Fort dhe bulevardit Maisonneuve. Më pas kortezhi zbriti në bulevard deri në cepin e rrugës Jeanne-Mance. Festimet përfunduan rreth orës 15:00. Një pjesëmarrës i intervistuar nga Radio-Canada theksoi rëndësinë e përkujtimit të kulturës irlandeze dhe të evidentimit të kulturave të ndryshme të lidhura me njëra-tjetrën. Tradicionalisht një festë katolike, Dita e Shën Patrikut ka evoluar me kalimin e kohës duke u shndërruar në një festë për irlandezët në mbarë botën. Parada të shumta u zhvilluan sot në të gjithë vendin, duke përfshirë Toronto, Calgary dhe Vancouver. Sidoqoftë, parada ka një kuptim shumë të veçantë në Montréal për shkak të trashëgimisë irlandeze mjaft të rëndësishme në metropolin frankofon. Vlen të kujtohet se qysh në vitin 1833, në emblemën e Montréal u vendos një gjethe tërfili për të theksuar praninë irlandeze në ishull. Vite më vonë i njejti simbol u shtua dhe në flamurin e qytetit. Ky vlerësim për kontributin e irlandezëve në Québec nuk është anekdotik. Ndërtimi i kanalit Lachine dhe urës Victoria në veçanti u realizua me kontributin e komunitetit të parë irlandez që mbërriti në Quebec në vitet 1830, që siguroi jo vetëm një fuqi punëtore të kualifikuar, por solli edhe një mori traditash. Parada e parë në Montréal për të nderuar Shën Patrikun daton në vitin 1824.

Ontario - Policia e Torontos ka konfirmuar kryerjen e dy arrestimeve të premten (15.03) ndërsa një turmë e madhe protestuesish pro-palestinezë u mblodhën jashtë një hoteli në qendër të qytetit, ku kryeministri Justin Trudeau po drejtonte një aktivitet mbledhje fondesh të Partisë Liberale të Kanadasë. Sipas policisë, dy të arrestuarit në lidhje me protestën, ishin një 61-vjeçar nga Richmond Hill (i akuzuar për pengim të një oficeri policie dhe shkelje të angazhimit për moscënimin e rendit publik) si dhe një 25-vjeçar nga Toronto (i akuzuar për akte dhune). Policia megjithatë nuk konfirmoi nëse të akuzuarit ishin me demonstruesit pro-palestinezë apo me kundër-protestuesit. Organizatorët e protestës ishin zotuar që do ta pengonin zhvillimin e aktivitetit në hotelin King Edward, duke këmbëngulur në një deklaratë se Partia Liberale e Kanadasë nuk mund të vazhdonte aktivitetet e saj të zakonshme në këtë periudhë lufte në Rripin e Gazës. Ndërsa protestuesit u mblodhën jashtë hotelit, duke valëvitur shumë flamuj palestinezë, kryeministri Trudeau u pa në një bar irlandez aty pranë duke pirë birrë Guinness. Më pas, kryeministri hyri në hotel nga një portë anësore dhe mbajti një fjalim të shkurtër para mbështetësve të Partisë Liberale. Në fillim të këtij muaji, një pritje në Galerinë e Arteve të Ontarios, ku do merrnin pjesë Justin Trudeau dhe kryeministja italiane Giorgia Meloni, u anulua për shkak të një proteste të ngjashme.

Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Adrian Wyld/Graham Hughes/Arlyn Mcadorey