Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 28 prill 2024

  • Published in Kanada

Algonquin Provincial Park - Ontario

 

-Ontario, 15 miliardë dollarë për 4 fabrika automjetesh e baterish elektrike të gjigantit japonez Honda

-Québec, 603 milionë dollarë investim në 5 vjet për mbrojtjen e gjuhës frënge

-British Columbia, ndëshkim me 10 mijë dollarë gjobë dhe 15 vjet ndalim gjuetie për vrasjen e një ariu grizzly

-Saskatchewan, peticion në favor të pranimit të më shumë refugjatëve palestinezë në Kanada

-New Brunswick, homazh për të pastrehët që kanë humbur jetën në Moncton

-Nova Scotia, shkatërrohet totalisht nga zjarri një kishë 130 vjeçare në Bridgetown

 

Ontario - Gjiganti japonez Honda konfirmoi një projekt prej 15 miliardë dollarësh në Ontario, që përfshin katër fabrika për prodhimin e baterive dhe automjeteve elektrike (EV). Sipas qeverisë federale, ky është investimi më i madh në industrinë e automobilave në historinë kanadeze. Kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe homologu i tij i Ontarios Doug Ford, ishin prezent në fabrikën e Honda-s në Alliston, në veri të Torontos, të enjten (25.04) në mëngjes gjatë ceremonisë së prezantimit të projektit ku ndodhej gjithashtu Presidenti i Honda Toshihiro Mibe. Ottawa ka garantuar 2.5 miliardë dollarë për megaprojektin në formën e kredive tatimore ndërsa provinca Ontario 2.5 miliardë dollarë përmes “stimujve të ndryshëm të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë”, lexohej në një njoftim për shtyp të qeverisë Ford. Në total, projekti përfshin katër fabrika: Honda do të ndërtojë një fabrikë të montimit të automjeteve elektrike në Alliston. Fabrika aktuale e Honda-s monton modelet CR-V dhe Civic. Kompania japoneze do të ndërtojë gjithashtu një fabrikë të prodhimit të baterive dhe një fabrikë përpunimi për materialet aktive katodë dhe prekursorët e materialit aktiv katodë, në partneritet me prodhuesin korean të materialeve të baterive POSCO Future M Co. Honda do të prodhojë gjithashtu ndarës për bateritë në Ontario dhe fabrika e katërt do të ndërtohet në një sipërmarrje të përbashkët me prodhuesin japonez të kimikateve Asahi Kasei. Kryeministri Trudeau deklaroi se projekti i ri Honda do të krijojë më shumë se 1,000 vende pune në sektorin e prodhimit, përveç garantimit të vazhdimësisë së vendeve të punës për 4,200 punonjësit aktualë të Honda-s në Ontario. Fabrika e re e montimit të automjeteve elektrike pritet të jetë funksionale nga viti 2028 dhe kapaciteti maksimal i planifikuar i prodhimit do jetë 240,000 automjete në vit.

Justin Trudeau dhe Toshihiro Mibe

Québec - Qeveria e François Legault ka premtuar masa konkrete dhe të paprecedentë për të frenuar rënien e përdorimit të gjuhës frënge në provincë. Për këtë qëllim, ajo planifikon të investojë 603 milionë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme. Më shumë se gjysma e këtij investimi do të shkojë në favor të procesit që njihet si francizimi i imigrantëve (programet e mësimdhënies së frengjishtes për imigrantët që vendosen në Québec). Do të krijohet gjithashtu një panel kontrolli (dashboard) për të monitoruar evolucionin e frëngjishtes në provincë çdo vit, pa pasur nevojë të priten të dhëna nga Statistics Canada për këtë temë, të dhëna të cilat nuk publikohen çdo vit. Këto masa janë pjesë e një plani të ri veprimi, i cili u prezantua sot (28.04) në mëngjes nga ministri i Gjuhës Frënge, Jean-François Roberge. Ky plan përfshin 9 prioritete dhe 21 masa që janë në fuqi ose do të vendosen gjatë muajve të ardhshëm për të frenuar rënien e frëngjishtes në Québec. Përmirësimi i ofertës audiovizive në frëngjisht në internet është gjithashtu një nga nëntë prioritetet e planit të veprimit. “Ne kemi nisur ofensivën. Jo kundër cilitdo, por për të rifituar terrenin e humbur”, deklaroi Roberge para mediave. Gjatë prezantimit ai shoqërohej dhe nga ministrat që morën pjesë në Grupin e Veprimit për të Ardhmen e Gjuhës Frënge: Christine Fréchette (Imigrimi dhe Francizimi), Mathieu Lacombe (Kultura dhe Komunikimet), Pascale Déry (Arsimi i Lartë), Bernard Drainville (Arsimi) dhe Martine Biron (Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Frankofonia). Në një intervistë ekskluzive dhënë për Radio-Canada përpara konferencës për shtyp, ministri Roberge u angazhua për miratimin e një legjislacioni që do të detyrojë platformat si Netflix apo Prime Video të shfaqin më shumë përmbajtje në frëngjisht.

Jean-François Roberge

British Columbia - Një person është gjobitur me 10,000 dollarë dhe gjithashtu atij i është hequr për 15 vjet leja e gjuetisë për vrasjen e paligjshme të një ariu grizzly në lokalitetin Elkford, në brendësi të territorit të British Columbia. Sipas një publikimi në rrjetet sociale nga Shërbimi Provincial i Mbrojtjes së Faunës, gjykatësi i gjykatës provinciale Fernie urdhëroi gjithashtu konfiskimin e armës së gjuetisë të shtetasit Guofeng Li. Fernie ndodhet afërsisht 625 kilometra në lindje të Kelowna. Shërbimi në fjalë pat nisur një hetim në pranverën e vitit 2020 pasi mori një informacion nga publiku rreth një personi që gjuante arinj duke përdorur kurthe. Hetimi zgjati një vit dhe ndërkohë, në vitin 2021, punonjësit e Shërbimi Provincial të Mbrojtjes së Faunës e kapën në flagrancë Guofeng Li duke qëlluar me armë zjarri drejt një ariu në vendin ku kishte vendosur kurthin. Provinca British Columbia e ka ndaluar totalisht gjuetinë e arinjve grizzly qysh nga viti 2017.

Saskatchewan - Organizatorët e një manifestimi pro-palestinez në Saskatoon njoftuan dje (27.04.) nisjen e një peticioni për t'i bërë presion qeverisë federale për të strehuar më shumë refugjatë palestinezë në vend. Njoftimi u bë publik gjatë marshimit javor në mbështetje të banorëve të Rripit të Gazës. “Ne i kërkojmë qeverisë federale të rrisë kutotat e pranimit për refugjatët palestinezë, në të njëjtën mënyrë siç bëri për sirianët, afganët ose ukrainasit”, deklaroi për CBC/Radio-Canada Mohammed Abushar, një nga organizatorët. Më 21 dhjetor, Ministri federal i Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë, Marc Miller, pat shpallur një program të ri që synonte të ofronte viza për 1000 palestinezë. Ata mund të strehohen në Kanada për tre vjet nëse familjet e tyre pranojnë t'i mbështesin financiarisht. Nga disa organizata ky numër u konsiderua i pamjaftueshëm dhe ato i bënë thirrje qeverisë të suprimojë kufizimin e numrit të palestinezëve që mund të kërkojnë strehim në Kanada. Ottawa pat deklaruar se numri prej 1000 refugjatësh mund të rishikohej në varësi të zhvillimit të situatës në Rripin e Gazës. Në fund të shkurtit të kaluar, ministria e Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë konfirmoi pranimin e 986 aplikimeve që ishin në proces.

New Brunswick - Për të nderuar kujtimin e miqve të saj të pastrehë, Sabrina Robichaud, e cila jeton edhe vetë si e pastrehë në Moncton të New Bruswick, ka krijuar pranë strehimoreve Humanity Project dhe Harvest House një murale me emrat dhe fotot e atyre që kanë humbur jetën për shkak të mbidozave, sëmundjeve apo krimeve. “Është sa e bukur, po aq dhe e trishtueshme. Kjo murale na kujton njerëz që i njihnim dhe i donim shumë”, i ka pohuar ajo CBC/Radio-Canada. Sipas saj, meqenëse shumica e këtyre njerëzve nuk kanë më kontakte me të dashurit e tyre, vdekja e tyre ndonjëherë kalon pa u vënë re. Sabrina ka kujtuar dhe rastin e dikujt që u ndodh atypari dhe mësoi me atë rast për vdekjen e një njeriu të dashur. “Ishte një nënë, as që e dinte që i kishte vdekur djali sepse nuk kishte më kontakt me të. Shumë prej tyre nuk kanë patur qoftë edhe një ceremoni varrimi apo nuk u është vënë një pllakatë guri mbi varr”, shprehet ajo. Sipas Harvest House, 24 persona të pastrehë kanë vdekur vetëm qysh nga fillimi i vitit 2024.

Sabrina Robichaud

Nova Scotia - Një zjarr që ka nisur të premten (26.04) në mëngjes e shkatërroi plotësisht kishën e vjetër Baptiste në Bridgetown të Nova Scotia. Kisha ndodhej përgjatë autostradës 1, rrugës kryesore të këtij komuniteti dhe ishte ndërtuar në vitet 1890. Oficeri i RCMP të Annapolis Mike Maxwell, raportoi se ekipet e urgjencës u thirrën në vendngjarje pak pas orës 7 të mëngjesit, pasi u njoftuan për tymin e zi që dilte nga ndërtesa. Geoff Agombar, i cili jeton aty pranë, kur ka dëgjuar sirenat e policisë dhe zjarrfikësve ka dalë në dritare dhe është befasuar kur ka parë zjarrin dhe tymin mbi ndërtesë. “Ishte kisha ku janë martuar prindërit e mi”, i ka thënë ai CBC/Radio-Canada. Shefi i Zjarrfikësve Vullnetarë të Bridgetown, Randy Sheridan, konfirmoi se ekipet e zjarrfikësve nga Kentville dhe Digby u thirrën për të ndihmuar, por pavarësisht përpjekjeve dhe shuarjes së zjarrit përfundimisht rreth orës 11:00, ndërtesa u shkatërrua e gjitha. Sipas tij, fatmirësisht nuk pati asnjë të lënduar, por fakteqësisht komuniteti humbi një pjesë të rëndësishme të historisë së tij.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Nathan Denette