Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 14 korrik 2024

  • Published in Kanada

Peggy's Cove - Nova Scotia

 

-British Columbia, rrufeja shkakton disa zjarre në pyje gjatë fundjavës

-Alberta, hapet në Edmonton bari i parë në provincë me pije pa alkool

-Saskatchewan, Ottawa do kërkojë falje ndaj disa autoktonëve të konsideruar historikisht si refugjatë

-Nova Scotia, kryeministri Houston kritikon bashkinë Halifax për hapësirat e reja që u ka caktuar të pastrehëve

-Ontario, vazhdon greva e rreth 9000 punonjësve të LCBO

 

British Columbia - Sipas BC Wildfire, të paktën pesë zjarre u shkaktuan të premten (12.07) nga rrufeja në zonën pyjore të Lillooet në British Columbia. Njëkohësisht u paralajmërua se do të ketë zjarre të reja për shkak të kushteve të motit. Ndërkohë, zjarrfikësit kanë ndërhyrë prej të premtes për të ngadalësuar avancimin e flakëve me ndihmën e cisternave ajrore dhe helikopterëve dhe aktualisht asnjë godinë apo infrastrukturë nuk kërcënohet nga zjarret. Në 24 orët e fundit kanë nisur gjithsej 19 zjarre të reja, duke e çuar në 153 numrin total të tyre në provincë, nga të cilat 61 nuk janë ende nën kontroll. Rrufeja është shkaku i zjarreve në 76% të rasteve dhe në 13% të tyre shkaku është dora e njeriut. P.sh. në parkun Pipers Lagoon në Nanaimo, një grup të rinjsh shkaktuan zjarr pasi hodhën fishekzjarre pikërisht në ditën kur hyri në fuqi ndalimi i ndezjes së zjarreve në natyrë. Kryebashkiaku i Nanaimos, Leonard Krog, i deklaroi CBC/Radio-Canada se zjarri në fjalë që dogji një hapësirë shkurresh, dëmtoi vegjetacionin e nëndheshëm në një zonë shumë të ndjeshme ekologjike.

Alberta - Është hapur në Edmonton i pari bar pa alkool çka dëshmon dhe një tendencë se ka edhe konsumatorë që preferojnë pije joalkoolike. Lokali quhet SpiltZeroProof dhe mendohet se ështi i pari i këtij lloji edhe në të gjithë provincën Alberta. Bari zotërohet nga tre pronarë, mes të cilëve Joanne Pearce, e cila nuk konsumon aklool prej 20 vjetësh. Ajo ka nisur kohë pas kohe të përgatisë kokteile duke përdorur wasabi, shurupe të ndryshme, kryesisht kumbulle, apo edhe lëngje të bëra në shtëpi dhe produktet e saj janë bërë gjithnjë e më të njohura. Sipas saj, bari i sapohapur me kapacitet rreth njëzet vende ulur në fillim të muajit korrik, është një vend për ata që preferojnë vajtjen në lokale pa ndjerë nevojën të konsumojnë alkool.

Saskatchewan - Qeveria federale kanadeze do t'u kërkojë zyrtarisht falje nesër (15.07) 9 komuniteteve autoktone Dakota dhe Lakota të provincave Saskatchewan dhe Manitoba, për faktin se historikisht pjestarët e tyre janë konsideruar si refugjatë në Kanada. Me këtë detyrë është ngarkuar ministri i Marrëdhënieve të Kurorës me Autoktonët, Gary Anandasangaree, që do marrë pjesë në një ceremoni që do zhvillohet në territorin e komunitetit Dakota Whitecap në Saskatchewan. Ai do të shoqërohet nga përfaqësues të Plains Wahpeton Dakota Nation, Sioux Valley Dakota Nation, Birdtail Sioux Dakota Nation, Canupawakpa First Nation, Tipi Dakota Nation, Standing Buffalo Dakota Nation, Wahpeton Dakota Nation si dhe Wood Mountain Lakota Nation. “Për disa breza, stërgjyshërit tanë dhe pasardhësit e tyre e kaluan jetën me etiketën e refugjatit. Është për të ardhur keq që ata nuk do jenë prezent për të dëgjuar ndjesën që do paraqesë qeveria”, ka deklaruar për Radio-Canada Vincent Tacan, shefi i Sioux Valley Dakota Nation. “Fakti që kjo etiketë po na hiqet është një lajm i mire”, ka shtuar ai. Sipas z. Tacan, etiketimi refugjat i ka privuar anëtarët e komuniteteve Dakota dhe Lakota të përfitojnë nga disa shërbime që u ofrohen popujve të tjerë autoktonë. Edhe pse shumë komunitete Dakota luftuan së bashku me britanikët kundër Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së 1812, ata nuk u njohën asnjëherë si indigjenë në Kanada. Dëshmitë historike mbështesin ekzistencën e vendbanimeve Dakota dhe Lakota Nation në shekullin e 18-të dhe në fillim të shekullit të 19-të në jug të Saskatchewan, Manitoba dhe Ontarion veriperëndimore. Në vitet 1870, kur u nënshkruan disa traktate, qeveria kanadeze pat refuzuar marrëveshjen me pasardhësit e Chief Sitting Bull sepse ata i konsideronte si refugjatë amerikanë.

Shefi i komunitetit Dakota Plains Wahpeton, Donny Smoke

Nova Scotia - Kryeministri i Nova Scotia, Tim Houston ka deklaruar se është ndjerë i tronditur kur ka marrë dijeni pë nga disa nga hapësirat që këshilli i Bashkisë Halifax i ka zgjedhur si vende të reja për kampingjet e të pastrehëve. Houston u pohoi gazetarëve pas një takimi të kabinetit të enjten (11.07) se ai gati ishte rrëzuar nga karrigia kur kish mësuar për disa nga vendet ku bashkia mendon të lejojë të pastrehët të ngrenë tenda. Ndërkohë, në fillim të kësaj jave, Bashkia Halifax miratoi nëntë vende të reja, shtatë në Halifax dhe dy në Dartmouth me justifikimin se kampet ekzistuese të të pastrehëve janë mbi kapacitetin. Houston shtoi gjithashtu se vendet e propozuara si parku Point Pleasant dhe Halifax Commons janë hapësira publike shumë të frekuentuara dhe të papërshtatshme për kampet e të pastrehëve, ndërsa qeveria e tij i ka paraqitur bashkisë një listë me rreth 40 vende alternative, por nuk dha detaje të tjera për gazetarët. Sipas shoqatës Affordable Housing of Nova Scotia, në Halifax aktualisht numërohen 1326 të pastrehë.

Tim Houston

Ontario - Bordi i Kontrollit të pijeve në Ontario (LCBO) nuk do të rihapë 32 nga dyqanet e tij të shitjes me pakicë duke filluar nga e premtja e ardhshme pas dy javësh grevë, siç ishte parashikuar fillimisht. Në një deklaratë në faqen internet të publikuar sot (14.07), kompania shtetërore njoftoi se do të shpërndajë stafin e vet që ishte planifikuar për këtë qëllim në sektorë të tjerë të aktivitetit, në mënyrë që të përmirësohet mbështetja për baret, restorantet dhe bizneset e tjera partnere. LCBO pohon se e mori vendimin për shkak të suksesit të programit të saj të shitjes me pakicë në internet. Sipas deklaratës, të gjitha porositë u shpërndanë në destinacion brenda një jave dhe konfirmohet se disponohet kapaciteti për të vazhduar t’u shërbehet klientëve përmes porosive me internet. Rreth 9,000 punonjës të sindikuar të LCBO kanë nisur grevën prej më shumë se një javë më parë. Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Publik të Ontarios (OPSEU), e cila përfaqëson grevistët, i ka kërkuar qeverisë së Doug Ford që përfaqësuesit e LCBO të përfshihet në masën e duhur në diskutimet dhe vendimet për modernizimin e shitjes së alkoolit në Ontario. Negociatat mes sindikatës dhe punëdhënësit kanë ngecur në vend që nga e premtja (12.07). Në deklaratën e saj, LCBO njoftoi gjithashtu se dëshiron që greva të përfundojë dhe inkurajon OPSEU që t’i përgjigjet ofertës së propozuar.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press