Kolumnist

Mjeku që nuk merrte ryshfet - Nga Ilir Levonja

Lëreni Spitalin Onkologjik se peshku është qelbur nga koka. Ta marrësh hollë-hollë ministrja e Shëndetësisë duhet të jepte dorëheqjen pas atij skandali, por ajo nuk e bëri. Madje jo vetëm ajo, por edhe qeveria. Mirëpo në vendin tonë e kufizojnë banalitetin, dështimin etj., me kunjat e politikës. Ka 3 ditë që një Shqipëri e tërë po linçon publikisht mjekët e kancerit.

Që t’i biem shkurt, nuk bëhen këto punë me “u raftë pika”, “i hëngshin në mortin e tyre”, “i bëfshin qefinë” etj. Nuk ndreqet asgjë me xhelistat dhe firmatot e Kuvendit, ku dalin e japin shpjegime idiote në vend të dorëheqjes. Nuk ndreqet me pyetjet, “i di qeveria këto?” dhe me sqarimet dalëboje të iks ministre shteti se “ne bëmë reformën në drejtësi dhe ta lëmë drejtësinë të bëjë punë e vet”.

Ka mbaruar gjithçka..., ka mbaruar qeverisja, mjekësia, arsimi, akademikllëku, profesoratet... Marrja kolektive për t’u pasuruar ka zeruar çdo fije ndjenje dhe mundi. Shiten me shumicë diploma, jepet rryshfet me shumicë kudo dhe ju prisni që të ndreqet vendi me mallkime në kor.

Ajo çfarë kanë bërë mjekët e spitalit të kancerit është makabre, por një gjë ta dini mirë, nuk është faji vetëm i tyre. Sot mund t’i linçoni gjithë ditën por ata janë mirëfilli produkt i mendësisë sonë që gjithçka e arrijmë përmes ryshfetit, dorovitjes, mikut etj.

Kam njohur një mjek i cili nuk merrte ryshfet dhe më vonë mësova se e kishte ndarë gruaja. Sigurisht janë biseda monstruoze ato që dalin nga përgjimet, jo biseda mjekësh..., ato kur thonë, “vari leshtë se edhe një muaj jetë ka ajo”, por ta dini janë edhe pjellë e mendësisë sonë, e tolerimit tonë.

Tolerojmë që nga dera e spitalit kur i fusim para nën dorë një dordoleci tek dera i cili pi birra tek kafja në hyrje bash me doktorët. Ato spitale nuk janë pronë e tyre, por e juaja. Duhet ta kuptoni qartas se edhe ata janë pjellë e produktit tonë social, i së përditshmes aq edhe i erzit tonë.

Ne nxitojmë të japim para edhe pse shkojmë me këmbët tona tek ato ngrehina që quhen spitale shtetërore, ku ai që të viziton të thotë, eja më vonë nga shtëpia për një kontroll më të specializuar etj. Ne jemi totalisht dakord dhe kryekëput i bashkohemi fajit duke mos u ankuar si qytetarë, duke e refuzuar dhe duke iu nënshtruar pikërisht mendësisë apo asaj kulture vrastare të bakshishit.

Në një farë mënyre askush nuk kërkon llogari se përse mungojnë ilaçet në spitalet e shtetit. Përse mjeku specialist kryen vizitën aty në spitalin shtetëror, pastaj të kërkon t'i shkosh në shtëpi, gjoja për një verifikim më special. Sigurisht ai nuk është mjek, është peshkatar, por edhe zonat e peshkimit kanë ligjet e tyre.

Shumë nga ju flasin edhe për vdekjen e humanizmit, se si atyre nuk u ka mbetur pikë humanizmi etj., janë kthyer në kriminelë gjakftohtë. Nuk ka më humanizëm, pasi shqiptari sot është tërësisht një gjindje me synime, jo me ndjenja. Kur ju thonë nuk ka spitali ilaçe, vërini drynin. Jepuni ca dajak bythëve atyre që vërdallosen korridoreve, kaq.

Provoni të jeni një herë të vetme qytetarë. Edhe mjeku që vjedh aty, vjedh se vjedhin të gjithë. Nga ta kapësh? Shkunduni dhe mos u tallni me faktin që kur proteston ky apo ai, nuk ia vlen. Kush do vijë po të iki ky. Janë llogje. Janë vegjetacion.

© Ilir Levonja