Komunitet

Montreal, tenori Ramë Lahaj në rolin e Alfredos te “Traviata” e Xhuzepe Verdit

  • Published in Komunitet

Publiku i metropolit frankofon Montréal, sigurisht edhe ata shqiptarë të apasionuar pas operas lirike, do kenë rastin të ndjekin interpretimin e tenorit me famë botërore nga Kosova Ramë Lahaj, në rolin e Alfredos, në një nga kryeveprat e operas botërore, Traviata e kompozitorit italian Xhuzepe Verdi. Kjo është hera e parë që tenori Ramë Lahaj do interpretojë në metropolin frankofon të Kanadasë dhe Amerikës së Veriut.

Shfaqja e Traviatës për këtë sezon në sallën prestigjioze Wilfried Pelletier (Place des Arts) është programuar në datat 4, 7, 9, 12 dhe 14 maj 2024. Orkestra Metropolitane dhe Kori i Operas Montreal do drejtohen nga dirigjenti kanadez Jordan De Souza, ndërsa regjisor i shfaqjes do të jetë Alain Gauthier. Dy interpretuesit e tjerë kryesorë bashkë me tenorin shqiptar Ramë Lahaj do jenë sopranoja amerikane Talise Trevigne (Violeta) dhe baritoni kanadez James Westman (Zhermoni).

Tenori shqiptar me fame botërore Ramë Lahaj ka lindur në Istog të Republikës së Kosovës më 3 nëntor 1983. Ai e ka nisur studimin e kantos rreth moshës 21 vjeçare dhe në vitin 2008 është diplomuar në Universitetin e Arteve të Tiranës. Pas studimeve, debutimet e tij të para profesionale në skenat jashtë trojeve shqiptare do të ishin pikërisht së pari në rolin e Alfredos tek Traviata në Eutin Festspiele (RFGJ) në vitin 2010 dhe një vit më vonë në rolin e Macduff tek Makbethi (opera e Verdit) në Operan Shtetërore Hungareze në Budapest.

Prej asaj kohe, Lahaj performon rregullisht në sallat më prestigjioze të operas në botë si Royal Opera House Covent Garden, Paris National Opera, Bolshoi Theater Moscow, Gran Teatre del Liceu (Barcelona), Arena di Verona, Opera Australia Sydney, Los Angeles Opera, Teatro Real-Madrid, Deutsche Oper Berlin, StaatsoperBerlin, Haus Für Mozart-Salzburg, Semperoper Dresden, Royal Albert Hall, Opera Tel Aviv, Teatro Massimo di Palermo dhe shumë të tjerë. Rolet e tij më të spikatur konsiderohen Alfredo (Traviata), Duka i Mantovës (Rigoleto), Rodolfo (Bohema), Edgardo (Luçia e Lamermur) dhe Pinkerton (Madame Baterflaj).

Ramë Lahaj është artisti i parë nga Kosova, para dhe pas luftës, që ka intepretuar në skenat më të rëndësishme ndërkombëtare, përkrah emrave të mëdhenj si legjenda e operas Placido Domingo. Ai ka fituar gjithashtu në vitin 2016 çmimin prestigjioz “Operalia” në Konkursit Botëror të Operas.

Të interesuarit për të shijuar interpetimin e tenorit të madh shqiptar mund t’i rezervojnë biletat në linkun e mëposhtëm :

https://www.operademontreal.com/en/shows/la-traviata

© Flasshqip.ca me informacion nga faqja zyrtare web e Ramë Lahaj

Foto: Fadil Berisha