Komunitet

Arbër Xhekaj, gol në National Hockey League dedikuar Kosovës në Ditën e Pavarësisë

  • Published in Komunitet

Festa e Pavarësisë së Kosovës, që u kremtua dje (17.02.) kudo ku jetojnë shqiptarë në Kanada u bë objekt komentesh këtë vit edhe në National Hockey League. Kësaj here falë Arbër Xhekajt, lojtarit kolos në repartin e mbrojtjes të ekipit Canadiens të Montréal me baba shqiptar dhe nënë çeke. Xhekaj ka shënuar golin e dytë të tij këtë sezon në ndeshjen kundër Capitals të Washington dhe atë gol ia ka kushtuar Kosovës siç kanë raportuar shumë media, ndër të cilat dhe ajo shtetërore Radio-Canada.

Jack dhe Simona Xhekaj

https://www.nhl.com/fr/canadiens/video/wsh-mtl-xhekaj-scores-goal-against-washington-capitals-6347131183112

Ja si e ka komentuar gazetari i Radio-Canada Sport Alexandre Gascon:

“Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008, gjë që është mirë të kujtohet herë pas here, si një çështje e kulturës së përgjithshme, por apriori nuk kishte asnjë lidhje me ndeshjen Canadiens-Capitals të shtunën në mbrëmje në Bell Center. Gabim. Babai i Arbër Xhekajt, të cilin të gjithë e thërrasin me emrin Jack, është kosovar. Kjo ditë, 16 vjet më parë, kur vendi i tij u nda nga Serbia, ka një rëndësi të madhe për të. Kështu Jack Xhekaj i qëndroi besnik traditës. “Zakonisht ai nuk më telefonon kurrë para ndeshjeve sepse është gjithmonë në punë. Edhe në fundjavë zakonisht nuk më merr në telefon. Por kësaj here më mori dhe më tha: shëno një gol për mua, shëno një gol për Ditën e Pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar vetë Arbër Xhekaj pas ndeshjes. Dhe ai e bëri golin. Me një goditje të fuqishme. Goditjen më të fuqishme që ka realizuar ndonjëherë”. Madje sipas statistikave kjo goditje me shpejtësi 102,2 mph është dhe më e fuqishmja që një lojtar i Canadiens ka realizuar deri tani këtë sezon.

Lajmin për golin e të birit e ka publikuar në rrjetin social X (ish-Twitter) dhe nëna e Arbërit, Simona Xhekaj e cila në postimin e saj shkruante:

“Miq, dua të ndaj një lajm me ju. Sot, para ndeshjes, babai i Arbërit, Jack, foli me të, ashtu siç bëjmë gjithmonë dhe i tha: Sot është Dita e Pavarësisë së Kosovës, shëno një gol për mua, bëje shqiponjën krenare. Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës”.

Nisur nga fakti që Hokeji mbi akull është sporti kombëtar në Kanada, i ndjekur nga miliona shikues, gjesti i familjes Xhekaj dhe goli i Arbërit ishin jo vetëm një dhuratë e bukur për fansat e tij, por edhe një publicitet i mrekullueshëm për Kosovën.

Falemnderit Arbër Xhekaj dhe familja Xhekaj!

© Flasshqip.ca

Foto: Reuters/Eric Bolte