Java Kanadeze - Lajme shkurt 21 korrik 2024
- Published in Kanada

Confederation bridge (12,9km), që lidh New Brunswick dhe Prince Edward Island
-Ontario, pas marrëveshjes së sindikatës me LCBO dyqanet e alkoolit rihapen të martën
-British Columbia, moti i nxehtë përfshin pjesën më të madhe të provincës
-Alberta, gërmime arkeologjike në territorin e fermës së kaubojit të parë zezak John Ware
-New Brunswick, akordohen 71.6 milionë dollarë për mbjelljen e mbi 52 milionë pemëve
-Nova Scotia, deri në dhjetor do instalohen 660 pika të reja karikimi për automjetet elektrike
-Prince Edward Island, ndalohet përdorimi i celularëve në klasat shkollore
Ontario - Punonjësit e Bordit të Kontrollit të Pijeve Alkoolike të Ontarios (LCBO) ratifikuan sot me gati 90% (21.07) marrëveshjen tentativë të arritur midis njësisë së bisedimeve dhe punëdhënësit. Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj të internetit, LCBO njoftoi se ishte e kënaqur me këtë vendim të anëtarëve të Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Publik të Ontarios (OPSEU), duke pohuar se greva do të përfundojë në mesnatën e së hënës, ndaj dhe kompania shtetërore u lutet klientëve të saj “të jenë të durueshëm ndërkohë që po bëhen ndërhyrjet e nevojshme për t’u kthyer në nivelet e shërbimit që priten prej saj”. Nga ana tjetër, në një deklaratë për shtyp, presidentja e komitetit të negociatave të punonjësve të LCBO, Colleen MacLeod, pohoi se ishte “mirënjohëse” për mbështetjen e komunitetit gjatë gjithë grevës. “Kjo na lejoi të forconim pozicionin tonë”, shtoi ajo. Marrëveshja e re kolektive përfshin rritjen e pagave dhe shndërrimin e vendeve të përkohshme të punës në të përhershme. LCBO e konsideroi të drejtë marrëveshjen e re kolektive për punonjësit e saj dhe saktësoi se së shpejti do të pasojë ratifikimi i plotë nga qeveria. Rreth 10,000 punonjës të LCBO nisën grevën që nga 5 korriku. Kjo ishte greva e parë në histori për punonjësit e kësaj kompanie shtetërore. Fillimisht LCBO dhe sindikata nuk ranë dakord për hapësirën që LCBO duhet të zërë në tregun provincial të alkoolit. Ndërkohë dyqanet e shitjes se pijeve alkoolike do të rihapen të martën (23.07).
British Columbia - Raportohet se për shkak të temperaturave të larta në British Columbia, vetëm gjatë këtij muaji urgjenca paramedikale iu është përgjigjur më shumë se 200 thirrjeve telefonike për ndihmë, ndërkohë që për shumicën e territorit të provincës, përfshirë Kamloops, Kelowna, pjesën lindore të ishullit Vancouver dhe zonat bregdetare në veri, janë emetuar paralajmërime për mot të nxehtë sërish dje (20.07) në mëngjes. Në disa komunitete, të tilla si Osoyoos dhe Penticton, Environment Canada parashikoi temperatura afër ose mbi 40 gradë Celsius. Meteorologët paralajmëruan gjithashtu se nxehtësia ekstreme mund të rrisë rrezikun e zjarreve. “Ne presim që paralajmërimet për temperatura të larta të përfundojnë për shumicën e zonave të martën e ardhshme (23.07)”, i ka deklaruara CBC/Radio-Canada Philippe-Alain Bergeron, meteorolog pranë Environment Canada. Sipas tij, aktualisht temperaturat janë10 deri në 12 gradë mbi normalen që është 27 gradë Celsius në këtë kohë të vitit. Sipas BC Wildfire, pothuajse e gjithë provinca është në rrezik të lartë përfshirjeje nga zjarret. Deri tani mbi 320 zjarre janë aktivë dhe janë lëshuar urdhëra evakuimi për më shumë se 2000 banorë në pjesën jugore.
Alberta - Gati një shekull e gjysmë pasi kauboji legjendar John Ware krijoi fermën e tij të parë në Millarville, 70 km në jug të Calgary, arkeologë nga Fakulteti i Arteve të University of Calgary organizuan gjatë kësaj jave një gërmim tre-ditor, në pronën e tij të vjetër, me shpresën për të mësuar diçka më shumë mbi jetën e tij. John Ware, viktimë e skllavërisë, u largua nga Shtetet e Bashkuara më 1882 së bashku me një kope bagëtish dhe u vendos në Alberta. Pesë vjet më vonë ai krijoi fermën e tij në Sheep Creek, afër Millardville. Sipas uebsajtit të Parks Canada, në vitin 1892, ai u martua me Mildred Lewis, vajzën e një koloni dhe marangozi zezak, që ishte zhvendosur nga Ontario në Alberta. Çifti pati gjithsej gjashtë fëmijë. Kopeja e tij e bagëtive në Sheep Creek u rrit shpejt duke arritu në qindra kokë. “Ferma e tij në Millerville ishte prona e tij e parë, përpara se të shpërngulej drejt zonës Duchess”, i ka shpjeguar CBC arkeologia Lindsay Amundsen-Meyer. Në vitin 2017, ajo pat bërë disa gërmime në Sheep Creek për një dokumentar, gërmime gjatë të cilave u gjetën një patkua, disa gozhdë katrore dhe disa kocka lope. Sipas saj, gozhdët katrore kanë ekzistuar para vitit 1910 dhe ndoshta para viteve 1900. Ndërsa John Ware është një figurë e njohur, disa gjëra mbeten misterioze rreth tij, sipas studiuesve. Ata besojnë se gjetja e shtëpisë së tij do të ishte një nga zbulimet më të vlefshme, sepse John Ware konsiderohet si kauboji i parë zezak i Albertës. Pjesa më e madhe e asaj që dihet mbi këtë personazh vjen nga historitë e shkruara në vitet 1930, ndërkohë që ai pat vdekur në vitin 1905. Objektet që janë zbuluar gjatë gërmimeve kanë dhënë një ide më të qartë për jetën e tij të përditshme dhe do t’i dorëzohen Royal Alberta Museum.
New Brunswick - Radio-Canada raportoi se në territoret që i përkasin Kurorës në provincën New Brunswick do të mbillen rreth 52 milionë pemë të reja, e barabartë kjo me më shumë se 65 pemë për frymë. Kjo nismë, e shpallur të premten (19.07) në Moncton, është pjesë e programit të qeverisë federale për mbjelljen e 2 miliardë pemëve gjatë 10 viteve, i premtua nga qeveria Trudeau, për të zbutur efektet negative të ndryshimeve klimatike dhe për të frenuar rënien e biodiversitetit për shkak të përdorimit veçanërisht të lëndës drusore në sektorin e ndërtimit të banesave. Në fund të vitit fiskal 2022-2023, qeveria federale pat negociuar marrëveshje me provincat për mbjelljen e 553 milionë pemëve me synimin që të arrihen dy miliardë deri në vitin 2031. Për këtë qëllim, Natural Resources Canada dhe qeveria e New Brunswick do akordojnë së bashku 71.6 milionë dollarë. E veçanta e kësaj province bregdetare është se territori i saj përbëhet 74% nga sipërfaqe pyjore.
Nova Scotia - Të enjten (18.07), qeveria federale njoftoi akordimin e pak më shumë se 3 milionë dollarëve për instalimin e 660 pikave të karikimit të nivelit 2 për automjetet elektrike në provincën Nova Scotia. Grupi Polycorp do marrë 3.05 milionë për të instaluar 634 nga këto terminale në nëntë ndërtesa banimi me shumë njësi, ndërsa kompania e ndërtimit 292 Main Street Developments Limited do përfitojë rreth 95,000 dollarë për instalimin e 26 terminaleve. Këto investime synojnë zona jashtë qendrës urbane të Halifax. Përkrahësit e kësaj teknologjie shpresojnë se kjo nxitje e re do të mundësojë që Nova Scotia të përafrohet me provinca e tjera të vendit. Në Nova Scotia, automjetet elektrike përfaqësojnë ende një pjesë të vogël të shitjeve të automjeteve të reja. Mungesa e stacioneve të karikimit konsiderohet si një nga arsyet kryesore që po e ngadalëson rritjen e këtij tregu. Nova Scotia ka aktualisht vetëm 260 stacione karikimi publik në një sipërfaqe prej më shumë se 55,000 kilometra katrorë. 660 terminalet e rinj të shpallur do të instalohen brenda dhjetorit 2024. Aktualisht, në këtë provincë atlantike ka rreth 3,500 automjete elektrike dhe qeveria e saj synon që deri në vitin 2030 shifra të shkojë 22,000.
Prince Edward Island - Provinca Prince Edward Island njoftoi se përdorimi i celularëve në klasa do të ndalohet nga viti i ardhshëm shkollor. Nxënësve të klasave 1-6 do t’u ndalohet totalisht përdorimi, ndërsa nxënësit e klasave 7-12 do mund ta përdorin atë gjatë periudhave të pushimit. Megjithatë, këta nxënës do mund lidhen me internetin vetëm përmes rrjetit të shkollës, i cili ka filtra që përjashtojnë përmbajtje të caktuara dhe bllokon faqet e mediave sociale. Ata nuk do të lejohen të bëjnë fotografi ose të bëjnë regjistrime pa lejen e një mësuesi dhe këta të fundit mund të autorizojnë përdorimin e telefonave për arsye edukative. Po kështu, do lejohen përjashtime për arsye mjekësore ose kushte specifike të mësimit. “Ky është një hap i rëndësishëm dhe ne po e kufizojmë përdorimin e teknologjisë në klasa për një sërë arsyesh, përfshirë shëndetin mendor të nxënësve si dhe kufizimin e shpërqendrimeve gjatë orëve të mësimit. Këto rregulla të reja janë në përputhje me trendin kombëtar”, deklaroi për CBC ministrja e Arsimit Natalie Jameson. Kohët e fundit, dy provincat e tjera atlantike, New Brunswick dhe Nova Scotia, njoftuan politika të ngjashme.
Natalie Jameson
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada