Kanada

Java kanadeze - Lajme shkurt 7 korrik 2024

  • Published in Kanada

 

Cavendish Beach - Prince Edward Island

 

-British Columbia, Greater Vancouver do ketë mbi 4 milionë banorë në vitin 2050

-Alberta, paralajmërime për tym, zjarre dhe mot të nxehtë në veri të provincës

-New Brunswick, rikthehet konkursi i karavidhengrënësve në 75-vjetorin e Festivalit të Shediac

-Nova Scotia, studentë të Dalhousie University pjesëmarrës në një garë veturash me energji diellore

 

British Columbia - Sipas parashikimeve të Komisionit të planifikimit në metropolin e British Columbia të publikuara të premten (05.07), rreth vitit 2045 Greater Vancouver pritet të ketë 1.4 milionë banorë më shumë sesa aktualisht. Më saktësisht, skenari i rritjes mesatare të popullsisë parashikon që Metropolitan Vancouver do të ketë 4,210,400 banorë në vitin 2050. Sipas profesoreshës së asociuar të studimeve urbane në Universitetin Simon Fraser, Meg Holden, kjo shifër përfaqëson një rritje prej 50% të popullsisë së vitit 2021. “Dendësia dhe diversiteti që do të shoqërojë këtë rritje të shpejtë, rrezikon të minojë vlerat e tolerancës aq të rëndësishme për banorët e metropolit”, thuhet në një email që ajo i ka dërguar CBC/Radio-Canada. Më tej në mesazhin e saj ajo thekson se “ka shumë të ngjarë që lagjet tona multikulturore të jenë më të pakta dhe enklavat etnike të bëhen normë”, duke dhënë shembullin e Torontos. Kjo rritje e përshpejtuar do të çojë gjithashtu në një kërkesë gjithnjë e më të madhe për strehim dhe shërbime të transportit publik. Dokumenti i planifikimit të Metropolitan Vancouver përfshin gjithashtu skenarë të rritjes së ulët dhe shumë të lartë të popullsisë. Në rastin e rritjes së lartë, metropoli mund të arrijë një popullsi prej 4.4 milion në vitin 2050 dhe qytetet Vancouver dhe Surrey do të kenë të dy më shumë se një milion banorë secili. Anasjelltas, skenari më konservator me ritme të ulëta parashikon rritje që e çon numrin e banorëve të Greater Vancouver në më pak se 4 milionë brenda 25 viteve.

Alberta - Nga Lethbridge në jug e deri në High Level në veri, Alberta pritet të përfshihet nga moti i nxehtë në pothuajse të gjithë territorin e saj, përveç juglindjes, pranë provincës Saskatchewan. Kjo situatë klimatike nuk është ogur i mirë për zjarret në pyje. Environment Canada ka publikuar disa paralajmërime për temperaratura të larta si dhe këshilla për cilësinë e ajrit në pjesën veriore. Në Edmonton, Slave Lake dhe Grande Prairie, priten temperatura të larta nga 30 deri në 35°C deri të paktën në mes të javës së ardhshme. Në Slave Lake, Cold Lake, Fort McMurray, Peace River dhe Wood Buffalo, Environment Canada gjithashtu ka njoftuar se tymi nga zjarret e pakontrolluara po shkakton ose pritet të shkaktojë cilësi shumë të dobët të ajrit dhe ulje të shikueshmërisë. Sipas Alberta Wildfire, në province numërohen aktualisht 68 zjarre aktive, 14 prej të cilave nuk janë nën kontroll.

New Brunswick - Festivali i karavidheve në Shediac të New Brunswick feston këtë vit 75 vjetorin. Që nga viti 1949, ky festival ka bashkuar komunitetin rreth ikonës së krustaceve. Statuja e famshme Giant Lobster është restauruar gjithashtu sivjet. Aktivitetet e para kanë nisur qysh të premten (05.07) dhe ngjarja e veçantë pritet të jetë rikthimi i një konkursi historik, konkursit të karavidhengrënësve, që pat nisur të zhvillohej në fillim të viteve 1950. “Për këtë edicion përvjetor, organizatorët synuan ta risjellin këtë traditë në plan të pare”, rrëfen për CBC/Radio-Canada Pascal Haché, president i festivalit. Sipas tij, kjo është një garë mbresëlënëse ku pjesëmarrësit duhet të hanë një karavidhe pa mjetet e nevojshme për hapjen e saj, pincat dhe thikat. Gjatë dhjetë viteve të fundit, përveç shfaqjeve dhe ofertës kulturore, ky festival ka zhvilluar gjithnjë e më shumë aspektin kulinar dhe për të demonstruar atë do të organizohet edhe një darkë degustimi në plazhin e Parlee Provincial Park. Festivali i karavidheve në Shediac do të vazhdojë deri më 14 korrik.

Nova Scotia - Studentë nga Dalhousie University në Nova Scotia, të cilët projektuan automjetin e parë elektrik me energji diellore të Kanadasë Atlantike, do marrin pjesë sërish në një konkurs ndërkombëtar që sivjet do organizohet në Kentucky të SHBA. Ata do të garojnë me 33 skuadra nga e gjithë Amerika e Veriut për Çmimin e Madh të Formula Sun, nga 16 deri më 18 korrik, një event garash me makina diellore i krijuar posaçërisht për të inkurajuar studentët universitarë të projektojnë, ndërtojnë dhe drejtojnë automjete inovative. Gjatë garës, skuadrat kanë një periudhë udhëtimi tetë-orëshe në ditë, për tre ditë, në cirkuitin e mbyllur të Parkut të Motorsporteve të Muzeut Kombëtar Corvette në Bowling Green. Automjeti që kryen më shumë xhiro shpallet fitues. Gjatë garës studentët mund të testojnë frenimin, përshpejtimin dhe kthesën. Në konkursin e vitit të kaluar në Topeka, Kansas, automjeti i studentëve të Universitetit Dalhousie realizoi 135 xhiro, ose 540 kilometra. Ekipi Dalhousie u formua në vitin 2021 nga një grup studentësh vullnetarë. Qysh atëherë, më shumë se 100 studentë të inxhinierisë kanë punuar për këtë projekt. Vetura me energji diellore peshon rreth 270 kilogramë dhe mund të arrijë shpejtësinë 65 kilometra në orë. Në pjesën e përparme të automjetit, 1.5 metra e gjatë, është vendosur një grup panelesh diellore për të rimbushur bateritë dhe për të kontrolluar motorin.

© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; Getty Images/Don White