Komunitet

Me shqiptarët e Kanadasë - Nga Ilir Ikonomi

  • Published in Komunitet

Të shtunën mbrëma (08.06) e sollëm "Apostullin" në Toronto. Shfaqëm dokumentarin "Ëndrra e Fan Nolit", pastaj diskutuam gjatë për librin.

Mu bënë shumë pyetje, të lehta e të vështira. Njerëzit donin të dinin për Fan Nolin e vërtetë, të pa lustruar dhe të pa ideologjizuar.

Rrëfimi i së vërtetës është pasioni im. Mendoj se retushimet dhe shtrembërimet vetëm sa i bëjnë qesharake figurat historike. Ne duhet të mësohemi me këtë, kemi nevojë të heqim dorë nga hipokrizia. 

Disa nga pyetjet kishin të bënin me vëllimin e dytë të biografisë së Nolit për të cilin po punoj, prandaj u përpoqa t'u jap përgjigje me aq sa ishte e mundur.

U mblodhëm në një nga ato sallat klasike, tip katedrale në qendër të Torontos, ku e vjetra qëndron hijshëm krahas modernes. Ndjeva përnjëherësh se atmosfera i shkonte si jo më mirë "Apostullit".

Faleminderit shoqatës shqiptare të Kanadasë ACDA - Albanian Canadian Development Alternative që punoi me përkushtim për aktivitetin dhe Albanian Canadian Civic League që ndihmoi për organizimin e përsosur. Faleminderit Albanianyouth e Torontos. Ju të gjithë meritoni respekt. E them sinqerisht.

Ishte kënaqësi të njihesha me dy shqiptarë të mirë të diasporës, Rudin Dakli dhe Nador Bakalli. Ata janë dy specialistë të nderuar, secili në profesionin e vet, që gjejnë kohë për t'u marrë me kauza fisnike për komunitetin. Ata rrezatojnë kulturë.

Kureshtja për figurat historike mbetet e gjallë dhe shqiptarët e Torontos janë një dëshmi e mirë se njerëzit nuk kanë hequr dorë nga leximi.

Sot kthehem në Uashington me përshtypje të pashlyeshme. Do vij përsëri, Toronto!

© Ilir Ikonomi

Fotot: ACDA