Kanada-Kinë, ministrja e Jashtme Mélanie Joly takon në Pekin homologun e saj Wang Yi
- Published in Kanada

Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Mélanie Joly, zhvilloi këtë javë një vizitë surprizë dy ditore në Kinë dhe u takua të premten (19.07) në Pekin me homologun e saj Wang Yi, duke iu përgjigjur ftesës dhe thirrjes së këtij të fundit për të “rindërtuar një marrëdhënie pragmatike”. Sipas kabinetit të ministres Joly, takimi mes dy krerëve të diplomacisë kanadeze dhe kineze ishte “konstruktiv dhe produktiv” dhe në bisedime është prekur edhe tema delikate e ndërhyrjes së huaj në zgjedhje si dhe çështje të sigurisë globale.
Në komunikatën e kabinetit të ministres së Jashtme të Kanadasë lexohet ndër të tjera se gjatë vizitës, “të dy ministrat zhvilluan gjithashtu një takim të zgjeruar dypalësh ku diskutuan mundësitë dhe sfidat në marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe një gamë të gjerë çështjesh globale me interes të përbashkët, duke përfshirë pushtimin rus të Ukrainës, konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit si dhe tensionet në Gadishullin Korean. Të dyja palët u angazhuan për një koordinim më të madh për çështjet e përbashkëta brenda APEC (Asia-Pacific Economic Cooperation) dhe forumeve të tjera relevante shumëpalëshe”.
Kujtojmë që në fund të vitit 2018, Kina arrestoi kanadezët Michael Spavor dhe Michael Kovrig si kundërpërgjigje ndaj arrestimit në Kanada të trashëgimtares dhe drejtores financiare të gjigantit Huawei, Meng Wanzhou, me kërkesë të autoriteteve amerikane. Siç dihet, pas disa vitesh përpjekje dhe marrëveshjes së Wanzhou me drejtësinë amerikane çështja u zgjidh dhe më 25 shtator 2021 “two Michaels” u kthyen në atdhe. Mélanie Joly është ministrja e parë e Jashtme kanadeze që viziton Kinën që nga viti 2018, duke shfrytëzuar rastin për të “riafirmuar angazhimin e Kanadasë ndaj politikës së saj për njohjen e një Kine të vetme, e cila mbetet e pandryshuar”.
Ndërkohë, sipas Radio-Canada, që i referohet një burimi të afërt me shefen e diplomacisë Joly, kjo vizitë ishte edhe një mënyrë për të përgatitur terrenin, që ministra të tjerë të mund të avancojnë disa çështje me interes të përbashkët me homologët e tyre kinezë.
Para vizitës në Pekin, ministrja Joly ishte takuar tashmë me kreun e diplomacisë kineze shkurtin e kaluar në Gjermani, gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë në Mynih. “Të dy vendet nuk janë rivalë dhe aq më pak armiq. Ata duhet të bëhen partnerë bashkëpunimi”, pat deklaruar në atë moment ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Ministria e Jashtme e Republikës Popullore të Kinës