Kanada

Lojërat Olimpike Paris 2024: Charron dhe De Grasse flamurmbajtësit e Kanadasë

  • Published in Kanada

Peshëngritësja Maude Charron (Québec) dhe sprinteri Andre De Grasse (Ontario) janë caktuar sot (24.07) nga Komiteti Olimpik i Kanadasë flamurmbajtësit e ekipit kanadez për ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit që do të nisin të premten (26.07). Të dy atletët kanë deklaruar se ndihen shumë krenarë dhe të lumtur për rolin që iu është besuar, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen ndaj vendimmarrësve dhe respektin për të gjithë pjestarët e delegacionit të Kanadasë. Ata gjithashtu janë fitues të medaljeve të arta në Lojërat Olimpike të zhvilluara në Tokio në vitin 2021.

“Besoj se kjo është një pikë kulminante e karrierës time, si dhe motivim i mirë para pjesëmarrjes sime për herë të tretë në lojërat olimpike”, ka pohuar De Grasse, i cili si fitues i 6 medaljeve olimpike, konsiderohet aktualisht një nga emrat më në zë të atletikës ndërkombëtare, i kurorëzuar me ar në garën e 200 metrave para tre vitesh. “Do përpiqem ta heq nga vetja presionin dhe nuk dua të mendoj shumë për faktin se jam kampioni në fuqi. Do përpiqem thjesht të bëj më të mirën këtë vit”, ka shtuar ai. Ndërkohë atleti ontarian do të garojë sërish në 100 m, garë ku ka ka fituar 2 medalje bronzi olimpike si dhe në stafetën 4 x 100 metra.

Kujtojmë që në fillim të korrikut, De Grasse shfaqi një formë të shkëlqyer në Çmimin e Madh të Hungarisë, ku regjistroi një kohë nën 20 sekonda në sprintin 200 metra, me e mira në këtë sezon dhe u ngjit në majë të podiumit.

Ndërkohë, Maude Charron pat fituar medaljen e artë në kategorinë 64 kg në vitin 2021 në Japoni, duke u bërë pas Christine Girard peshëngritësja e dytë kanadeze që kurorëzohet kampione në Lojërat Olimpike. Kategoria në të cilën ajo garoi në vitin 2021 tashmë është përjashtuar nga programi dhe 31-vjeçarja nga Québec këtë herë do garojë në peshën 59 kg. Në tetor 2024 ajo ka fituar gjithashtu medaljen e argjendtë në Lojërat Panamerikane që u zhvilluan në Santiago (Kili).

Charron dhe De Grasse pasojnë basketbollisten Miranda Ayim dhe lojtarin e rugby me shtatë lojtarë, Nathan Hirayama, flamurmbajtës për delegacionin kanadez në ceremoninë e hapjes së Lojërave të Tokios.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Getty Images