Komunitet

Për vizitë te klinika e Dr. Hysni Markut në Montreal - Nga Jeta Dedja

  • Published in Komunitet

Dr. Hysni Marku, i njohur si profesionist dhe veprimtar në komunitetin shqiptar të Montrealit, hapi sot dyert e klinikës së tij veterinare për miq e klientë të shumtë që kishin dëshirë të vizitonin ambientet e saj.

Dr. Hysniu në klinikën e ndodhur në 2525 rue Jean Talon Est, ofron shërbime të ndryshme për t’i mbajtur pacientët e tij në shëndet të mirë. Ai rekomandon një vizitë të rregullt te veterineri për të ndihmuar në sigurimin e zhvillimit të mirë të kafshëve.

Ekipi i Dr. Hysniut ofron kontrolle shëndetësore, vaksinime dhe këshilla të personalizuara parandaluese. Gjithashtu në klinikë ofrohet shërbim kirurgjik si për operacionet rutinë të sterilizimit ashtu edhe për operacionet terapeutike. Klinika është e pajisur me teknologjinë e duhur të imazherisë, duke bërë të mundur kështu diagnostikimin më të saktë të disa problemeve te pacientët të saj. Në raste kur pacientët grumbullohen në të njëjtën kohë më nevoja të ndryshme, klinika e Dr. Hysniut mund të akomodojë 10-15 pacientë katërputroshë.

Një nga problemet që Dr. Hysniu e ndau me miqtë e ftuar ishte rënia e numrit të mjekëve veterinerë në Québec, sepse numri i të larguarve çdo vit drejt pensionit (në jo pak raste i parakohshëm për shkak të stërlodhjes), është gati tre here më i lartë se ai i të rinjve që diplomohen. Kjo ka sjellë një rritje të nevojës për mjekë dhe teknologë në fushën e veterinarisë.

Një arsye më shumë e doktorit për të organizuar këtë ditë me dyer të hapura në klinikën e tij ishte dhe njohja e fëmijëve dhe të rinjve me profesionin e mjekut veteriner, me procesin e ngritjes dhe zhvillimit të shërbimeve në këtë fushë si dhe me dashurinë për kafshët.

Të pranishmit u gostitën me pije e delikatesa të përgatitura me shumë kujdes nga familja Marku, për të shoqëruar bisedat e ngrohta mes miqsh dhe u përcollën në fund me mirësjelljen karakteristike të Dr. Hysniut.

© Jeta Dedja & Flasshqip.ca