Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 23 qershor 2024

  • Published in Kanada

Port Saint John - New Brunswick

 

-Québec, anulohet parada e Ditës së Kanadasë në Montréal

-Ontario, LCBO u rekomandon klientëve të krijojnë rezerva pijesh alkoolike për shkak të rrezikut të grevës

-British Columbia, paralajmërohen reshje të dendura në veri të provinces

-Alberta, ish-kryebashkiaku i Calgary-t Naheed Nenshi zgjidhet kryetar i NDP

-Nova Scotia, qeveria federale akordon 141 milionë dollarë për autoktonët Mi’kmaq

-Prince Eward Island, numër rekord imigrantësh gjatë vitit të fundit

 

Québec - Sipas Radio-Canada që i referohej The Canadian Press sot (23.06), “divergjencat politike” e kanë detyruar organizatorin e paradës së Ditës së Kanadasë në Montreal (1 korrik) ta anulojë atë, të paktën për këtë vit. Nicholas Cowen publikoi ​​një deklaratë ku thuhej se po përballej me vështirësi të mëdha për të marrë lejen nga autoritetet përkatëse qeveritare që nga viti i kaluar si dhe për të siguruar financim të mjaftueshëm për paradën. “Një ngjarje që synonte të frymëzonte unitetin u pengua për shkak të ndarjeve”, pohoi Cowen duke theksuar se vitin e kaluar u përball me ndryshime rregulloreje në minutën e fundit dhe kërkesa që ishin thuajse të pamundura për t'u përmbushur. Atij iu desh të punësonte 148 vullnetarë shtesë pak para paradës për t’u siguruar që kishte katër persona pranë çdo automjeti. Qeveria federale thuhet se kërkoi që disa pjesë të paradës të suprimohen plotësisht, duke përfshirë shpërndarjen e tortës. Buxheti i paradës u shkurtua “duke u barazuar me shifrat e vitit 2013”, çka i dha një goditje tjetër shkatërruese evenimentit, shtoi Cowen. Ndërkohë, as Bashkia Montreal dhe as ministria federale e Trashëgimisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga The Canadian Press. Parada e 1 korrikut organizohet që nga fundi i viteve 1970 në Montreal. Ajo u anulua nga viti 2020 në 2022 për shkak të pandemisë COVID-19. Aktivitetet e tjera në programin e 1 korrikut do zhvillohen si më parë, duke përfshirë edhe festimet tradicionale në Portin e Vjetër.

Ontario - Bordi i Kontrollit të pijeve në Ontario (LCBO) u ka rekomanduar klientëve të krijojnë rezerva pijesh alkoolike dhe po zgjat orët e hapjes së disa prej dyqaneve të tij në pritje të një greve të mundshme pas 10 ditësh. Punonjësit, anëtarë të Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Publik të Ontarios (OPSEU) votuan 97% në favor të një greve këtë javë dhe greva mund të fillojë në mesnatën e 4-5 korrikut. LCBO pohoi në një deklaratë se qëllimi i saj mbetet arritja e një marrëveshjeje që do të jetë e drejtë për punonjësit. Megjithatë, nga data 27 qershor deri më 4 korrik, të gjitha dyqanet do të jenë të hapura nga ora 09:30 dhe gjithashtu shumë dyqane do të qëndrojnë të hapura deri në orën 22:00. Disa shërbime do të pushojnë së ofruari deri në fund të javës së ardhshme. Kësisoj, porositë në dyqane do të jenë të disponueshme deri më 26 qershor dhe terheqja e porosive nga e njëjta datë deri më 2 korrik. Dyqanet e LCBO do mbyllen si zakonisht më 1 korrik, për Ditën e Kanadasë. Sindikata është veçanërisht e preokupuar për liberalizimin e shitjes së alkoolit, që do t’u mundësojë të gjitha dyqaneve ushqimore dhe disa convenience stores të shesin pije alkoolike.

British Columbia - Një njoftim për stuhira të forta është emetuar mbrëmë (22.06) për rajonin Peace River. Njoftimi paralajmëronte deri në 50 mm shi në pjesën më të madhe të zonës verilindore të British Columbia. Një sistem frontal me lëvizje të ngadaltë do të zhvendoset sot (23.06) rreth rajonit Fort Nelson dhe ngadalë do të lëvizë drejt Peace River këtë mbrëmje dhe gjatë natës. “Nën efektin e këtij sistemi priten reshje shiu herë pas here të dendura dhe stuhi intensive”, thuhej në komunikatën e Environment Canada. Agjencia federale pohonte gjithashtu se ky shi mund të shoqërohet me breshër dhe stuhi të forta dhe mund të shkaktojë përmbytje të shpejta. “Reshjet e mëdha do të jenë shumë të lokalizuara”, deklaroi për CBC Yimei Li, meteorolog i Environment Canada. Rajoni i shënjestruar nga komunikata meteorologjike e agjencisë federale ka rreth dhjetë zjarre të pakontrolluara aktualisht. Një tjetër komunikatë rreth cilësisë së ajrit raportonte se qielli në rajonin Fort Nelson do të jetë me tym. Ky rajon është prekur ose ka të ngjarë të ndikohet nga tymi i zjarreve të pakontrolluara gjatë 24 deri në 48 orëve të ardhshme, thuhej gjithashtu në njoftim. Nga ana e saj, BC Wildfire ka deklaruar se niveli i rrezikut nga zjarri varion nga shumë i lartë dhe ekstrem, çka dëshmon se rajoni është shumë i thatë. Karley Desrosiers nga BC Wildfires, vlerësoi po ashtu të premten (21.06) se vëllimi i madh i reshjeve mund të ndihmojë zjarrfikësit të fitojnë terren mbi flakët. Megjithatë, stuhitë shpesh shoqërohen me rrufe, që janë shkaku i 59% të zjareve në British Columbia.

Alberta - Ish-kryetari i Bashkisë Calgary, Naheed Nenshi, ka fituar të shtunën (22.06) me 86% të votave garën për kryetar të NDP në Alberta. Ai pason në këtë post Rachel Notley, që dha dorëheqjen pas humbjen në zgjedhjet e fundit dhe pas 10 vitesh në krye të neodemokratëve albertanë. Nenshi e fitoi garën përballë tre kandidateve të tjera, Sarah Hoffman, Kathleen Ganley dhe Jodi Calahoo Stonehouse, që secila mori më pak se 10% të votave. Shkalla e pjesëmarrjes në votim ishte 85.6%. Ndërkohë, deputeti Rakhi Pancholi dhe sindikalisti Gil McGowan u tërhoqën më parë nga konkurrimi për të mbështetur ish-kreun e Bashkisë Calgary. “Sigurisht që jam i mahnitur nga niveli i mbështetjes dhe më pret shumë punë përpara”, deklaroi fituesi pas garës. Tashmë, nëse i jepet mundësia për të pasur një vend në Parlamentin provincial përmes zgjedhjeve të pjesshme, ai ka deklaruar që e mirëpret një rast të tillë, por megjithatë, e përjashtoi mundësinë për të kandiduar në zonën elektorale vakante në Lethbridge, qytet të cilin nuk e njeh dhe që meriton, sipas tij, dikë që është rregullisht prezent atje. Ndryshe nga kandidatët e tjerë, gjatë garës për lidership, Naheed Nenshi nuk e fshehu në asnjë rast dëshirën e tij për të ndërprerë lidhjet mes NDP provinciale dhe NDP federale të drejtuar nga Jagmeet Singh. Nenshi, i lindur në Toronto, shërbeu si kryebashkiak i Calgary-t për 11 vjet, nga 2010 deri në 2021. Ai ishte i pari mysliman që u zgjodh kryebashkiak i një qyteti të madh të Amerikës së Veriut. Përpara karrierës së tij politike, Nenshi u diplomua në vitin 1998 në Universitetin prestigjioz të Harvardit në Shtetet e Bashkuara dhe më pas për disa vite punoi për firmën konsulente amerikane McKinsey. Në vitin 2004, Naheed Nenshi u emërua profesor i asociuar në Universitetin Mount Royal, me qendër në Calgary, ku u specializua në fushën e menaxhimit dhe marketingut të sektorit jofitimprurës.

Nova Scotia - Kryeministri kanadez Justin Trudeau e kaloi të premten (21.06) Ditën Kombëtare të Popujve Indigjenë në qendër të rajonit Cap Breton në Nova Scotia, ku njoftoi edhe arritjen e një marrëveshjeje prej 125 milionë dollarësh me komunitetin autokton We’koqma’q për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me tokat e shitura në vitin 1862. Trudeau e konsideroi këtë marrëveshje si një hap tjetër të rëndësishëm në rrugën e pajtimit midis Kurorës dhe këtij komuniteti. Marrëveshjen, negocimi i të cilës zgjati shumë vite, do duhet ta miratojnë me votim edhe 1,100 anëtarët e komunitetit We’koqma’q, votim data e të cilit ende nuk është bërë e ditur. Marrëveshja u bë e mundur nëpërmjet Programit të Kërkesave Specifike ndaj qeverisë federale, i nisur qysh në vitin 1973 për të korrigjuar gabimet e së kaluarës në lidhje me tokat dhe pronat e popujve autoktonë. Deri më 31 maj 2024 ky program ka zgjidhur 704 kërkesa për kompensim me vlerë 15.2 miliardë dollarë. Të premten (21.06) Justin Trudeau njoftoi gjithashtu 16 milionë dollarë financim vjetor për të ndihmuar 12 nga 13 komunitetet Mi’kmaw të Nova Scotia të riparojnë, zëvendësojnë dhe mirëmbajnë infrastrukturën e tyre arsimore. Paratë do t'i dhurohen Mi'kmaw Kina'matnewey, organizëm që bashkon drejtuesit, stafin, prindërit dhe mësuesit autoktonë për të mbrojtur interesat e rreth 3,000 nxënësve.

Prince Edward Island - CBC bë të ditur gjatë kësaj jave se Prince Edward Island ka mirëpritur një numër rekord emigrantësh brenda një viti. Rezulton se nga 1 prilli 2023 deri më 1 prill 2024, kjo provincë regjistroi 3,674 emigrantë që u vendosën në territorin e saj, numri më i lartë i parë ndonjëherë gjatë një periudhe 12-mujore. Nga ky numër, 1,330 imigrantë mbërritën në tre muajt e parë të 2024. Sipas vlerësimeve më të fundit nga Statistics Canada, të publikuara të mërkurën e kaluar (19.06), popullsia e provinces ishullore, më të voglës në vend, arriti shifrën 177,081 banorë më 1 prill 2024. Kjo shifër është rreth 5300 banorë më shumë se në 1 Prill 2023 dhe llogaritet si një rritje prej 3.1% në një vit, pak më poshtë mesatares kombëtare prej 3.2%. Rritja e popullsisë në Prince Edward Island pak a shumë po ruan ritmin e saj të viteve të fundit. Në tremujorin e tretë të 2022, ajo shënoi 3.1%. Në tremujorin e fundit të vitit 2023, ajo arriti në 4%. Nga ana tjetër, edhe pse imigracioni ka qenë i lartë, numri i banorëve jo të përhershëm në ishull, po zvogëlohet për herë të parë në tre vjet. Nga provinca janë larguar pak më shumë se 500 gjatë dy tremujorëve të fundit. Gjithnjë sipas Statistics Canada, në tremujorin e parë të 2024, Prince Edward Island (-338) dhe New Brunswick (-218) ishin dy provincat e vetme ku numri i banorëve jo të përhershëm ishte më i ulët në fund të tremujorit sesa në fillim. Rritja natyrore e popullsisë së ishullit është gjithashtu negative, një fenomen i cili nuk ka pasur asnjë ndërprerje që nga fundi i vitit 2021, domethënë ka ende më shumë vdekje sesa lindje. Nga prilli 2023 deri në prill të këtij viti, për shembull, numri i vdekjeve e tejkaloi numrin e lindjeve me 145.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada