Kolumnist

Mjaft me hipokrizi, jo deputetë listash në Kuvend! - Nga Milaim Nela

Diskutimet për Reformën Zgjedhore dje në Komisionin Parlamentar ishin një hipokrizi e gjallë. Diskutime krejt pa bukë, ku në fund do të bëhet ekzaktësisht ashtu siç i intereson “Rilindjes”.

Vota e diasporës do bëhet egzaktësisht siç e pat paralajmëruar marioneta e “Rilindjes”, DPSHL e Florjan Haçkajt, pra thesit të patronazhistëve të Rama-Veliajt do t’i shtohet edhe vota e diasporistëve socialistë, sepse vetëm ata do regjistrohen në sistemin e Celibashit.

Ata që u përzunë nga vendi dhe janë kundërshtarë të regjimit nuk kenë mundësi as të regjistrohen e as të votojnë.

Vota e diasporës nuk mund të realizohet nga ata që duhet të ishin në burg!

Ishte e dhimbshme të shikoje të jepte mendime juridike Damian Gjiknuri, personi kyç i dosjeve kriminale të zgjedhjeve të vitit 2017.

Listat e Hapura, duhet ta themi hapur që nuk i do asnjëra pale.

“Rilindja” dhe PS i do 30% të mbyllura, pra listat e kryetari. Do të kemi serish në Kuvend “elisat” 5 milionëshe dhe “plarentët” 400 euro një kapele. Po ashtu edhe përfaqësuesit e PD e thanë me gjysëm zeri sikur duan lista të hapura.

Jo të nderuar!

Askush nuk i do listat e hapura, sepse listat e hapura shumicën e atyre që sot e mbajnë veten për elitë politike i nxjerrin jashtë sistemit, pasi janë thjesht të pavotueshëm.

Do ishte shumë e thjeshtë të aplikohej Ligji dhe Kodi Zgjedhor i Kosovës për të patur zgjedhje të lira e të ndershme.

Por ta theksojmë sërish që pa çmontuar sistemin kriminal të patronazhimit nuk ka asnjë shans për rrëzimin e “Rilindjes” edhe sikur të shkruani dhe miratoni ligjin më të mirë në botë.

Pa rrëzuar Rama-Veliajn, ne mund të diskutojmë pa fund, ditën e natën, por nuk do kemi asnjë mundësi të bëjmë ndryshimin.

Duhet të jemi të ndershëm në radhe të parë me veten, pastaj edhe me publikun shqiptar.

© Milaim Nela