Kanada

Kanada: Ndahet nga jeta ish-kryeministri konservator Brian Mulroney

  • Published in Kanada

I rrethuar nga familjarët e tij është ndarë sot (29.02) nga jeta në moshën 84 vjeçare ish-kryeministri i Kanadasë në vitet 1984-1993 Brian Mulroney. “Një negociator i madh dhe konservator progresist” e ka cilësuar atë media shtetërore CBC/Radio-Canada.

I lindur më 20 mars 1939 në një qytet të vogël 420 kilometra në verilindje të Québec City, atij i pëlqente kur e thërrisnin “djaloshi i vogël nga Baie-Comeau”, por në asnjë rast nuk harroi ta kujtonte origjinën irlandeze të paraardhësve të tij. Babai i djaloshit Mulroney, një elektricist që punonte për një kompani prodhimi letre, nuk donte që i biri të ndiqte hapat e tij, ndaj dhe kryeministri i ardhshëm i Kanadasë, me nxitjen e familjes zgjodhi të studionte fillimisht shkencat politike në Universitetin St. Francis Xavier, në Nova Scotia. Më pas përfundoi studimet për Drejtësi në Universitetin Laval, Québec dhe u titullua avokat.

Avokati i ri Brian Mulroney, tashmë me bindje politike progresist-konservator, në vitin 1956 merr pjesë në fushatën e John Diefenbaker, i cili do të bëhej po atë vit kryeministër i Kanadasë. Në vitet 1970 ai fiton reputacionin si jurist i shquar me kapacitetet që demonstroi në radhët e Komisionit Hetimor “Cliche” mbi industrinë e ndërtimit.

Kundërshtar i Joe Clark (kryeministër 1979-1980) në garën për kreun e Partisë Progresiste-Konservatore më 1976, pak i njohur në perëndim të vendit, Mulroney e humbi përballjen e parë, por arriti të zgjidhet në krye të partisë me diferencë të vogël në vitin 1983.

Në rolin e liderit të ri të opozitës në Dhomën e Komunave, ndërsa denoncon shpenzimet e qeverive liberale për çështje sociale, Brian Mulroney shpall synimin e tij për të fuqizuar sektorin privat dhe për të zvogëluar madhësinë e qeverisë.

Brian Mulroney pas fitores në zgjedhjet e vitit 1984

Në zgjedhjet federale të vitit 1984, ai fitoi 211 vende në parlament, një numër rekord në historinë kanadeze, pesëdhjetë e tetë nga të cilët në Québec. Njëkohësisht angazhohet që Québec të nënshkruajë Kushtetutën kanadeze, duke bindur disa nga sovranistët ta mbështesin, ndër ta dhe kryeministrin e Québec René Lévesque. Ky i fundit e pranon ofertën e Brian Mulroney, që e përcakton Québec si një “distinct society”.

Në vitin 1987, kryeministri Mulroney nisi negociatat e Marrëveshjes së Liqenit Meech të cilat dështuan në fazën e ratifikimit, pas refuzimit nga Newfoundland dhe Manitoba, në qershor 1990. Një përpjekje tjetër me marrëveshjen e Charlottetown, dy vjet më vonë, rezulton sërish e pasuksesshme dhe një “jo” përmes një referendumi kombëtar e vulosi fatin e saj përfundimisht.

Brian Mulroney dhe René Lévesque

Më vonë Brian Mulroney e cilësoi dështimin e Meech si humbjen e tij më të madhe politike. Ai do të humbasë njëkohësisht në ato momente edhe një “shok armësh”: Lucien Bouchard (ish-kryeministër i Québec) do të japë dorëheqjen nga qeveria Mulroney ku mbante postin e ministrit të Mjedisit për të krijuar disa javë më vonë Bllokun e Québec.

Në frontin ekonomik, Brian Mulroney miratoi taksën aspak popullore për kohën (1990) mbi mallrat dhe shërbimet (GST) si dhe përfundoi raundin e negociatave për të përfshirë Meksikën në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) në vitin 1992. Po ashtu miratoi Ligjin Kanadez të Mbrojtjes së Mjedisit dhe nënshkroi Marrëveshjen për shirat acide (ndotjen industriale) me Shtetet e Bashkuara.

Në arenën ndërkombëtare Brian Mulroney denoncoi aparteidin në Afrikën e Jugut dhe mbrojti Nelson Mandelën, qëndrim që ia rriti shumë reputacionin.

Presidenti i Meksikës Carlos Salinas de Gortari, presidenti amerikan George Bush (babai) dhe Brian Mulroney, para nënshkrimit të marrëveshjes NAFTA në tetor 1992.

Në vitin 1993 pas sondazheve të dobëta, ai vendos t’ia dorëzojë drejtimin e qeverisë Kim Campbell, largohet nga rezidenca kryeministrore 24 Sussex Drive së bashku me bashkëshorten Mila Pivnicki dhe i kthehet praktikës së avokatisë. Mes katër fëmijëve të tyre, Caroline, më e madhja, ndoqi gjurmët e babait të saj, duke përkrahur kryeministrit konservator Doug Ford në Ontario, pjesë e kabinetit të të cilit është qysh nga viti 2018, duke mbajtur disa portofole të rëndësishëm.

Brian Mulroney u përball me disa probleme shëndetësore pasi mbushi 80 vjeç. Në dhjetor 2020, familja e tij njoftoi se ai iu nënshtrua me sukses një operacioni urgjent. Më pas, në prill 2023, vajza e tij Caroline konfirmoi se ai po shërohej nga trajtimi për kancerin e prostatës.

Ish-kryeministri Mulroney ka marrë disa doktoratura “Honoris Causa” dhe disa dekorata të larta. Në vitin 2016, ai u emërua Komandant i Legjionit të Nderit të Francës duke u bërë kreu i parë i qeverisë kanadeze që merr këtë titull. Në vitin 1998 ai dekorohet Kompanjon i Urdhrit të Kanadasë, ndërsa në vitin 2002 Oficer i Madh i Urdhrit Kombëtar të Québec.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/AP/Marcy Nighswander; The Hill Times/Andrew Meade