Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 18. 02. 2024

  • Published in Kanada

 

Algonquin Park - Ontario

 

-British Columbia, dy të plagosur pas një përplasje trenash në Revelstoke

-Alberta, vazhdon të rritet numri i automjeteve të vjedhura në Edmonton

-New Brunswick, Food Depot paralajmëron krizën e bankave ushqimore

-Price Edward Island, gjithnjë e më shumë të moshuar jetojnë në varfëri

-Québec, Dhoma e Avokatëve Montréal fushatë kundër avokatëve të rremë të imigracionit

 

British Columbia - Dy persona të plagosur u dërguan të premten (17.02.) në spital, pasi një përplasje mes dy trenave në lindje të Revelstoke, shkaktoi zjarr dhe një dalje vagonash nga shinat. Jeta e tyre nuk është në rrezik dhe njëri madje ka dalë nga spitali, thuhet në një njoftim për shtyp të publikuar nga Canadian Pacific Kansas City (CPKC). Sipas kompanisë hekurudhore, pak pas orës 22:00 të së premtes, një nga trenat e saj u përplas me një tjetër që po transportonte grurë, tren i cili kish ndaluar 12.87 km larg Revelstoke, në brendësinë jugore të provincës. Katër vagona nga treni që kish ndaluar dolën nga shinat. Një prej vagonave mori flakë, por zjarrfikësit lokalë arritën ta shuajnë shpejt atë. Sipas shefit të zjarrfikësve të Revelstoke, Steven DeRousie, bëhet fjalë për një zjarr karburanti, aroma e mprehtë e të cilit u përhap mbi Revelstoke dhe zonat përreth. Ndërkohë, ekipet e CPKC janë marrë me pastrimin e zones ku ndodhi përplasja dhe po përpiqen të kuptojnë gjithashtu origjinën e aksidentit. Një zëdhënës i Bordit të Sigurisë së Transportit, Liam MacDonald, deklaoi se bordi po “monitoron situatën” por nuk ka dërguar hetues në terren.

Alberta - Policia e Edmonton, kryeqendra e provinces Alberta, njoftoi të mërkurën (14.02.) “rritjen e vazhdueshme të vjedhjeve të automjeteve” dhe në të njëjtën kohë një rënie të numrit të automjeteve të gjetura. Ka dy arsye kryesore për vjedhjen e automjeteve thuhej në deklaratën e policisë, në të cilën theksohej se ato në radhë të pare vidhen për t’u dërguar jashtë Kanadasë. Nga viti 2021 deri në vitin 2023 vjedhjet e kësaj kategorie janë rritur me 26%, nga 3744 në 4714. Ndërkohë, është konfirmuar se disa nga këto automjete janë gjetur në Liban dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ekipi i Parandalimit të Vjedhjes së Automjeteve të Policisë së Edmonton ka arritur megjithatë të rikuperojë automjete dhe pajisje të vjedhura në vitin 2023 me një vlerë totale prej 18 milionë dollarësh. Gjithnjë sipas policisë, një pjesë e automjeteve që vidhen përdoren edhe për kryerjen e krimeve, përfshirë vrasjet dhe trafikun e drogës dhe kjo është dhe arsyeja e dytë e vjedhjes së tyre. Në një samit kombëtar për vjedhjen e automjeteve që u zhvillua 8 shkurtin e kaluar, politikanë provincialë dhe federalë premtuan masa për të luftuar këtë fenomen, i cili konsiderohet në rritje në të gjithë vendin. Sipas statistikave të muajve të fundit, të publikuara nga Radio-Canada, në vend vidhej 1 automjet çdo 6 minuta.

New Brunswick - Radio-Canada raporton se frekuentimi i bankave ushqimore po vazhdon të rritet në provincën New Brunswick, një situatë krize që magazina qëndrore Food Depot Alimentaire po përpiqet ta kapërcejë. Që prej marrjes së detyrës dy vjet më parë, Drejtori i përgjithshëm i këtij organizmi, Stephane Sirois, ka vënë re një rritje të ndjeshme të numrit të personave që frekuentojnë bankat ushqimore dhe mensat komunitare. Sipas tij, nëse më pare frekuentimi ishte nga 22,000 deri në 24,000, tani ai arrin në rreth 55,000 persona në muaj. Në vitin 2023, numri i vakteve të servirura në mensat komunitare u rrit me 17% krahasuar me një vit më pare, ndërsa numri i vizitave në bankat ushqimore është rritur me 35%. Ndërkohë numri i personave frekuentues u rrit 42%. Përveç sigurimit të shpërndarjes së ushqimit në bankat ushqimore, magazina Food Depot Alimentaire mbledh të dhëna në terren për të kuptuar më mirë se kush i përdor këto shërbime. Ky informacion më pas i jepet qeverisë federale dhe asaj provinciale, duke bërë të mundur dhënien e një portreti të evolucionit të kërkesave ndaj bankave ushqimore. Në New Brunswick këto banka u krijuan për here të parë në vitet 1980. “Ishte menduar të ishte një masë e përkohshme dhe 40 vjet më vonë, dy vitet e fundit kanë qenë vite rekord (2022 dhe 2023). Ka diçka që nuk funksionon ose që nuk po ecën mirë. Nuk po shkojmë në drejtimin e duhur”, ka pohuar Stephane Sirois.

Prince Edward Island - Organizatat që u shërbejnë të moshuarve me të ardhura të ulëta në provincën Prince Edward Island po përballen me një rritje të kërkesës për shërbime ndaj tyre. Rritja e varfërisë në shtresën e të moshuarve ka ndikuar edhe në aktivitetin e bankës ushqimore Upper Room në Charlottetown. Sipas drejtorit të saj, Mike MacDonald, të ardhurat e ulëta dhe rritja e kostos së jetesës po e shtojnë numrin e të moshuarve që adresohen në këtë institucion. “Ajo që dëgjojmë më shpesh është se ata nuk kanë të ardhura të mjaftueshme dhe se gjithçka është shumë e shtrenjtë, duke përfshirë ushqimin, karburantin dhe qiranë”, i ka pohuar ai Radio-Canada. Sipas raportit më të fundit të Campaign 2000 të publikuar këtë javë, përafërsisht 6,000 të moshuar jetonin nën kufirin e varfërisë në Prince Edward Island në vitin 2021. Kjo shifër përbën një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2020. Kërkesa për shërbime mbështetëse provinciale që ofrohen për të moshuarit është gjithashtu në rritje. Në janar, programi i punonjësve të posaçëm që u shërbejnë të moshuarve pati një rritje prej 50% të kërkesës në krahasim me dhjetorin 2023. Këtë vit, qeverisë provinciale iu desh ta zgjeronte këtë ekip.

Québec - Ëndrra kanadeze mund të bëhet shpejt një makth për të ardhurit që bëhen viktima të avokatëve të rremë të imigracionit, ka deklaruar duke iu referuar një rasti konkret kryetari i Dhomës së Avokatëve të Montréal David Ettedgui. Sipas tij, mashtruesit synojnë një nga grupet më të pambrojtura, shpesh duke reklamuar shuma të tepruara parash vetëm për të ofruar ndihmë mediokre për imigracionin në rastin më të mirë. Të tjerët thjesht i braktisin viktimat e tyre. “Ne kemi parë po aq investitorë me xhepin plot që janë bërë viktima të këtij mashtrimi sa edhe azilkërkuesit, disa prej të cilëve e kalojnë kufirin vetëm me rrobat e trupit, por e përbashkëta mes tyre është se të gjithë përpiqen të fillojnë një jetë të re në Kanada”, pohoi Ettedgui gjatë një interviste për Radio-Canada të premten (16.02). Dhoma e Avokatëve të Montréal nisi këtë javë një fushatë ndërgjegjësimi mbi fenomenin, duke inkurajuar publikun të verifikojë nëse avokatët e tyre të specializuar në fushën e imigracionin janë të autorizuar të ushtrojnë praktikën në Québec. Fushata përfshin thirrje për kujdes ndaj taktikave të dyshimta, si takimet në hapësira joformale, premtimet për rezultate të shpejta ose mungesa e një kontrate formale. “Fushata është e nevojshme”, shtoi Ettedgui, “për shkak të një rritje të konsiderueshme të vëllimit të ankesave lidhur me imigracionin, që institucioni që ai përfaqëson ka marrë vitet e fundit. Dhoma e Avokatëve nuk ka deklaruar numrin e përgjithshëm të ankesave që ka marrë, por ka konfirmuar se përqindja e raportimeve për avokatët e rremë u trefishua midis viteve 2018 dhe 2022. Raste të tilla përbënin 13% të të gjitha ankesave në vitin 2018, por ato kapën shifrën 39% katër vjet më vonë.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press