Njoftime

Shënoni 1 Marsin në kalendar. “Rrugëtimi i Shqiponjës” fillon!

Toronto - Më 1 Mars 2020, në orën 2:00 pasdite, do të çelet ekspozita e pikturës “Rrugëtimi i Shqiponjës”. Është hera të dytë që organizohet një aktivitet i kësaj natyre. Këtë radhë do të marrin pjesë gjithsej 20 artistë mes të cilëve profesionistë dhe amatorë të artit figurativ me banim kryesisht nē Toronto e rrethina. Nga Halifax i Nova Scotia do të jetë prezent i mirënjohuri Zeqirja Rexhepi.

Punimet do të ekspozohen në Etobicoke Civic Centre Gallery (399 The West Mall, Etobicoke, ON M9C 2Y2) dhe ekspozita do të qëndrojë hapur për gati 3 javë. Vizitorët do të kenë mundësi të njihen me artin e komunitetit shqiptar dhe pse jo të blejnë ndonjë vepër origjinale për të zbukuruar ambientet ku jetojnë e punojnë.

Duket sikur mbledhja bashkë e artistëve shqiptaro-kanadezë po kthehet në traditë, pas organizimit komunitar të suksesshëm të vitit 2018 ku morën pjesë artistë të telajos dhe daltës nga provinca të ndryshme të Kanadasë.

Nisur nga titulli i ekspozitës “Rrugëtimi i Shqiponjës” lë të shohim se me çfarë punimesh do të prezantohen në rrugëtimin e sivjetshëm artistët e lindur në vendin e shqiponjave.

Lista e pjesëmarrësve e përditësuar është si më poshtë: 

Albana Çanga, Ardian Mehmetaj, Ardian Radovicka, Arjan Bafa, Dhurata Sahatçija, Elis Tarelli, Ermal Xhixha, Genti Hali, Jasemina Ujkani, Kristaq Turtulli, Lindita Aga-Meço, Lorida Hysenbegas-Hali, Petro Dhimitri, Rei Misiri, Robert Simoni, Vilma Saraçi-Mebelli, Viola Ilia,Ylli Radovicka dhe Zeqirja Rexhepi.

Flasshqip iu uron sukses organizatorëve dhe pjesmarrësve.

©FlasShqip.ca