Kanada

Dy vjet pas fillimit të luftës: Kryeministri kanadez Justin Trudeau viziton Kievin

  • Published in Kanada

Në dy vjetorin e nisjes së sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, kryeministri kanadez Justin Trudeau ka vizituar Kievin sot paradite (24.02.) për të manifestuar sërish mbështetjen e Kanadasë ndaj popullit ukrainas. Njëkohësisht me të, sot në kryeqytetin e Ukrainës ndodheshin edhe tre aleatë evropianë, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kryeministri belg, Alexander de Croo dhe presidentja e Bashkimit Evropian, Ursula Von Der Leyen.

Liderët politikë që vizituan Kievin zhvilluan edhe një takim hibrid të G7 ku diskutuan, ndër të tjera, mundësinë e ashpërsimit të sanksioneve ndaj Moskës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu bashkua takimit, gjatë të cilit ai ka ripërsëritur kërkesën për më shumë se mbështetje morale nga shtatë fuqitë e mëdha.

Pa përmendur drejtpërdrejt bllokimin e ndihmës së re amerikane nga Kongresi i SHBA, G7 u bëri thirrje sot donatorëve të Ukrainës që të konkretizojnë kontributin e tyre financiar për këtë vit. “Ne kërkojmë miratimin e ndihmës shtesë për të përmbushur nevojat e mbetura buxhetore të Ukrainës për vitin 2024”, deklaruan udhëheqësit e G7 (SHBA, Japonia, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Kanadaja) në një komunikatë të përbashkët që u publikua pas samitit videokonferencë që u mbajt nën presidencën italiane.

Kjo është hera e tretë që nga nisja e luftës që Justin Trudeau viziton Ukrainën. Pas pjesëmarrjes në një ceremoni përkujtimore ku vendosi dhe një kurorë para Memorialit të të rënëve (Muri i Kujtimit), ai ka zhvilluar dhe një takim kokë më kokë me presidentin Zelensky duke e mbyllur vizitën me një konferencë të përbashkët shtypi. Trudeau dhe Zelensky kanë nënshkruar gjithashtu sot edhe një marrëveshje të re Kanada-Ukrainë në fushën e sigurisë, me vlerë 2.7 miliardë dollarë 

Në Kiev Trudeau u shoqërua nga zëvendëskryeministrja, Chrystia Freeland, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Bill Blair dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Kanadeze, gjenerali Wayne Eyre.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Nathan Denette