Trashëgimi

Një brez akademikësh e intelektualësh elitarë - Nga Ethem Ruka

Nuk është aspak e lehtë të shkruash për një gjenaratë të talentur akademikësh siç janë miqtë e mi të Fakultetit të Shkencave të Natyrës.  Ky brez e mori stafetën nga profesorë të nderuar që kishin studiuar në universitete perëndimore si ata në Francë, Austri e Itali, por edhe në universitete lindore si ata në Gjermani Lindore, Poloni, Rusi, Bullgari, Kore, Kinë etj.

Përkundrazi, në nxënësit e tyre u shkolluam të gjithë në Universitetin e Tiranës, por shumica dërrmuese prej nesh, ndoqën studime të gjata pasuniversitare tre dhe katërvjeçare në shumë universitete perëndimore si ata të Francës, Austrisë, Italisë, Suedisë e vende të tjera.

Shumica jonë, të diplomuar në vitet 1970, u njohëm me njëri-tjetrin që kur ishim studentë. Nuk ishim të gjithë nga Tirana, por nga gjithë viset e Shqipërisë. Në ato vite askush nuk mund të përzgjidhej pedagog universiteti, nëse nuk i kish mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera. Për fat të keq këtë mundësi nuk e patën studentë të shkëlqyer që nuk kishin përbërje të mirë politike. “Lufta e klasave” ishte në apogjeun e vet dhe kriter i pakapërcyeshëm.

Të emëroheshe për të punuar në universitet ishte nder dhe fat i madh, të cilin nuk mund ta arrinte kushdo. Çdo pedagog konsiderohej pjesë e elitës më të mirë intelektuale të vendit, dhe respektohej nga të gjithë.

Ishte koha që kishim vetëm Universitetin e Tiranës dhe atë Bujqësor, Institutin e Lartë të Arteve, Institutin e Lartë të Edukimit Fizik si dhe institutet e larta pedagogjike në Shkodër, Elbasan e Gjirokastër.

Pa asnjë dyshim, mburrja dhe lokomotiva e arsimit të lartë në Shqipëri mbetej Universiteti i Tiranës, që kishte shumë fakultete. Një ndër më elitarët e këtij universiteti ishte dhe mbeti Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku ne studiuam dhe u rritëm si profesorë e akademikë.

Rrugëtimi ynë si matematikanë, fizikanë, kimistë e biologë nuk qe aspak i lehtë. Shkencat e natyrës kanë ligjesi të veçanta dhe kërkojnë mendje të mprehta e inteligjente.  Të ngjitësh me dinjitet shkallët e karrierës akademike është mjaft e vështirë, është një investim që do vite e vite të tëra. Nuk mjafton të mbash leksione e të shkruash libra, nëse nuk merersh me punë kërkimore e për këtë duhen laboratorë kërkimesh, paisje, kimikate, infrastrukturë e gjithçka tjetër.

Por, nëse rrugëtimet kanë fillime të përbashkëta, karrierat kanë veçoritë e veta individuale. U rritëm pak e nga pak, u bëmë të gjithë doktorë shkencash, docentë e profesorë. Disa prej nesh u bënë drejtues katedrash e më vonë departamentesh, drejtues të fakultetit dhe të Universitetit të Tiranës.

Të gjithë lanë gjurmë në edukimin e mijëra studentëve, shkruan vepra dinjitoze shkencore, mbrojtën doktorata të çertifikuara nga shkencëtarë të huaj, shkruan artikuj të pafund shkencorë brenda e jashtë vendit dhe përfaqësuan me dinjitet arsimin e lartë shqiptar në aktivitete ndërkombëtare.

Është e vështirë të shkruash për secilin prej miqve të brezit tim. Çdonjëri është një personalitet më vete. Disa janë më të njohur e disa më pak të njohur, disa më publikë e disa më pak publikë, disa e mbyllën karrierën tërësisht në botën akademike, disa në funksione të larta publike e ekzekutive, disa brenda vendit e disa në universite të njohura jashtë vendit.

Në nderim të punës dhe aktivitetit të brezit të viteve 1970 po përmend emrat e  profesorëve të fizikës si Halil Sykja, Fatos Klosi, Kastriot Islami, Maringlen Spiro, Raimond Sharko, e Meri Treska, të profesorëve të kimisë si Eduard Plasari, Besnik Sykja, Eduard Andoni, Kastriot Spahiu, Kastriot Seiti, Merita Koroveshi, Iris Zhegu, Agim Malaj e Filip Lubonja, të profesorëve të biologjisë si Zyri Bajrami, Tefta Rexha e Murat Xhulaj dhe të profesorëve të matematikës si Llukan Puka, Skënder Gjinushi, Thoma Mitre, Omer Stringa, Burbuqe Pepo, Xhezair Teliti, Sefedin Xhemalçe, Pranvera Baholli etj. Në këtë mjedis pata fatin të rritesha edhe unë si profesor në fushën e biologjisë.

Vitet ecin shpejt. Disa prej miqve tanë nuk jetojnë më. Nuk jeton më një nga djemtë më brilantë të brezit tonë, Profesori i nderuar Besnik Sykja, nuk jeton më edhe profesor Raimond Sharko që dikur drejtoi si rektor Universitetit të Tiranës. Të tjerët ende janë aktivë. Ndonse të pensionuar, një pjesë ende mbajnë leksione.

Nga kjo gjeneratë profesorësh të shquar përfitoi edhe politika në këto 30 vitet e fundit. Fakulteti i Shkencave të Natyrës, është ndoshta i vetmi fakultet, që i dha vendit më shumë se çdo shkollë tjetër e lartë burra të mënçur që punuan me ndershmëri e profesionalizëm në kohë e rrethana të vështira për t’i hapur rrugën zhvillimeve demokratike në vend.

Ne ndihemi shumë krenarë që brezi ynë, produkt i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, i dha vendit njëri pas tjetrit katër ministra Arsimi dhe tre rektorë universiteti. Ne drejtuam Ministrinë e Financave, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Pushtetit Vendor e Decentralizimit. Jo vetëm kaq por ne i dhamë vendit tre shefa të Shërbimit Informativ Kombëtar, një zëvendëskryeministër, dy kryetarë Kuvendi, dhjetë akademikë, një kryetar të Akademisë së Shkencave, gjashtë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, por mbi të gjitha edhe një President Republike si profesori e akademiku i nderuar Rexhep Meidani.

Ky ishte brezi im, brezi i profesorëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Një faqe e shkëlqyer në historinë e arsimit të lartë dhe të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Nëse do shtrihesha edhe në breza të tjerë, para dhe pas brezit tim, kjo histori do të ishte edhe më e plotë edhe më e larmishme.

Në një shkrim të shkurtër si ky është shumë pak për të vlerësuar një brez të tërë intelektualësh elitarë, të ndershëm, të urtë dhe të mënçur. Sot stafetën e vazhdojnë ish-studentët tanë të djeshëm e sot profesorë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

E vetmja gjë që kërkojmë prej tyre është që ta çojnë përpara prestigjin e fakultetit tonë, të vazhdojnë traditën e shkëlqyer të profesorëve të tyre dhe ta pasurojnë atë edhe më tej.

Kohët kanë ndryshuar dhe ekonomia e tregut dikton rregulla e kërkesa të tjera. Por ka disa gjëra që nuk ndryshojnë. Nuk duhet të ndryshojë ndershmëria në punë, pasioni për shkencën e kërkimin, puna në ekip, shpirti i krijimtarisë e inovacionit dhe dashuria e pafund për studentin.

Studenti është pasqyra ku çdo mësimdhënës duhet të shikojë veten çdo ditë. E them me siguri që brezi ynë e ka bërë këtë gjë, ndaj edhe kemi bekimin e studentëve tanë në çdo hap të rrugëtimit tonë që ende vazhdon.

©Ethem Ruka