Dy kanadezë të akuzuar si të rekrutuar nga Irani për kryerje atentatesh në SHBA
- Published in Kanada
Media shtetërore Radio-Canada, e cila i referohet një aktakuze të Departamentit amerikan të Drejtësisë, ka raportuar dje (29.01.) se dy shtetas kanadezë dhe një iranian janë akuzuar se kanë komplotuar për të vrarë dy persona, përfshirë një shtetas iranian, në Shtetet e Bashkuara.
Aktakuza thotë se dy kanadezët Damion Patrick John Ryan dhe Adam Richard Pearson, dyshohet se janë rekrutuar nëpërmjet një trafikanti të dyshuar droge nga Irani, i quajtur Naji Ibrahim Sharifi-Zindashti, i cili dyshohet se vepronte sipas udhëzimeve të një oficeri nga Ministria iraniane e Inteligjencës dhe Sigurisë
Sipas drejtësisë amerikane, komploti përfshinte pagesën e 350,000 dollarëve për të vrarë një burrë dhe një grua që jetonin në Maryland, në bregun lindor të SHBA. Identiteti i dy të shënjestruarve nuk specifikohet në aktakuzë, por njëri prej tyre besohet të jetë një dezertor iranian që ka përfituar strehim politik në Shtetet e Bashkuara.
Damion Patrick John Ryan
Departamentit amerikan i Drejtësisë, thekson që Ryan, 43 vjeç, është anëtar i rregullt i Hells Angels. Shërbimi Kanadez i Inteligjencës (CISC) i ka përkufizuar Hells Angels si një bandë e jashtëligjshme motoçiklistësh të lidhur me trafikun dhe prodhimin e drogës, si dhe me krime të shumta të dhunshme, duke përfshirë vrasjen. Damion Patrick John Ryan besohet se ka drejtuar një ekip vrasësish qysh nga fundi i vitit 2020. Ai aktualisht është i burgosur në Kanada për posedim të jashtëligjshëm armësh zjarri.
Adam Richard Pearson, 29 vjeç, i cili punonte për Ryan, jetonte ilegalisht në Minesota në kohën e kryerjes së veprës për të cilën dyshohet, në 2020 dhe 2021. Ai u arrestua nga FBI në 2021 dhe u ekstradua në Kanada për t'u përballur me akuzën për një vrasje të kryer në Alberta katër vjet më parë. Ndërsa i dyshuari i tretë Zindashti, 49 vjeç, aktualisht ndodhet në Iran.
Adam Richard Pearson
Sipas aktakuzës, Zindashti dhe Ryan dyshohet se kanë pasur shkëmbime, midis dhjetorit 2020 dhe janarit 2021, rreth “asaj që duhej kryer”, “pajisjeve”, “mjeteve” dhe projekteve “për të fituar para”. Në janar 2021, ata thuhet se diskutuan për një punë për t'u kryer në Shtetet e Bashkuara dhe Ryan thuhet se ka pohuar se “mund të gjente dikë për ta bërë atë”.
Më pas Ryan dyshohet se kontaktoi Pearson për një “punë” në Maryland, duke rekomanduar që “dy persona të shkonin atje me pajisjet e duhura”. Pearson ka marrë përsipër gjithashtu t'u thoshte rekrutëve që “të qëllonin një prej viktimave disa herë në kokë për ta bërë shembull”, thuhet në aktakuzën e Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Sipas prokurorit amerikan Andrew Luger, tre të pandehurit dyshohet se përdorën një shërbim të koduar mesazhesh të quajtur SkyECC për të komunikuar me njëri-tjetrin, duke përfshirë diskutimin e identitetit dhe vendndodhjes së viktimave të mundshme, planifikimin e logjistikës dhe mekanizmin e ekzekutimit të vrasjeve dhe për të negociuar pagesën.
Për momentin, asnjë nga pretendimet e përfshira në aktakuzë nuk është paraqitur me prova para gjykatës.
Ngritja e këtyre akuzave nga sistemi amerikan i Drejtësisë vjen në një kohë kur tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë veçanërisht të larta pas vdekjes të dielën e kaluar (28.01.) të tre ushtarëve amerikanë në Jordani gjatë një sulmi me dron që i atribuohet një grupi të armatosur të mbështetur nga Irani.
Sa i përket Zindashtit, qeveria amerikane ka deklaruar veçanërisht se do të ndërmarrë sanksione kundër rrjetit të tij kriminal, që ka operuar nga Irani me mbështetjen e Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë.
Sipas Uashingtonit, në këmbim të mbrojtjes nga shteti iranian, ky grup kriminal do të kryente atentate dhe rrëmbime të disidentëve dhe kundërshtarëve të regjimit iranian në mbarë botën.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Thesarit, ka deklaruar se këto operacione janë mbikëqyrur nga Reza Hamidiravari, zyrtar i Ministrisë iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë.
Për zyrtarin e këtij departamenti, Brian Nelson, “përpjekjet e vazhdueshme të regjimit iranian për të shënjestruar disidentët dhe aktivistët kundërshtarë, demonstrojnë pasigurinë e thellë të regjimit dhe përpjekjen e tij për të zgjeruar represionin e brendshëm të Iranit ndërkombëtarisht”.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Foto: AP/Vahid Salemi; BC-CFSEU; RCMP;