Durrsaku dhe Deti - Nga Danish Bebeziqi

Durrsaku, “Biri i Detit” mëson ndër fjalët e para, fjalen “DET”, pagëzohet aty, ninëllohet nga klik-klaku, si nje murmurime e bukur e ndjerë, qysh në moshen e tij më të njomë.
Lidhet durrsaku fort me detin, përjetë… Me detin nuk je kurrë vetëm. Ai si një qenie e gjallë qesh e qan, ledhaton, ndjell-josh, të bën trim.
Deti të jep kështjellat e para me rërën e lagur, qytetet me pirgjet e imagjinatës fëminore.
…Kush nuk ka shkruar në rërë kujtimet e veta më të ëmbla, emrat më të dashur, sekretet e të paharruarës, të ëmblës, përvëluese: dashuri e parë?
Edhe “Baba i Madh”, Hyu i Detit, kishte shkruar Melisa nëpërmjet lojës së valëve të lehta mbi brigjet e tij edhe durrsaket, gjate mijëra vjetësh me shenja apo germa, i besuan detit, rërës së lagur të zbaticës mëngjezore, atë, që ndoshta nuk ia kishin thënë kërkujt tjeter, qofshin edhe miqve të zemrës.
Dhe deti di t’ua ruajë sekretin; Vjen batica dhe fshin çdo gjë (Teme ne vehte kjo: “deti dhe dashuria e parë”), duke marrë në zemrën e vet të gjërë, në gjirin e vet të pafund, kujtimet e aq e aq dashurive të para, ku bartësit, apo thjesht ënderruesit, ndoshta nuk jan’ prej kohësh.
Në det të gjithë janë të barabartë; të pasur dhe të varfër. Njerëz të çfarëdo rangu hyjnë në det njëlloj; me një copë rrobe në mes.
Deti nuk ia fsheh kërkujt egërsinë e vet; ai të paralajmëron: RUHU!
Deti nuk të ve prita të fshehta. Aty ku ka shkëmbij nën ujë, ai të paralajmëron me shkumbëzim të bardhë, ose me klik-klakun e dallgëve, herë-herë edhe me zhurmë të madhe, por sidoqoftë nuk fshihet për të dëmtuar pabesisht. Edhe gurët e tij jane zbardhuar dhe lemuar nga klik-klaku i dallgëve e janë bërë si vetë zemra e gjërë e detit.
Mund të ndahesh me vite nga miku, duke e përballuar, kurse nga deti-miku i të gjithëve nuk ndahesh dot as për pak ditë; kurdoherë e ndjen si domosdoshmëri, madje të papërballueshme ta takosh.
Dhe brez pas brezi, femijët edhe të rinjtë, prindërit dhe gjyshërit, me shokët, bijtë dhe nipërit dhe mbesat, krah per krah dhe dorë për dore, komunikojnë dhe e vazhdojnë këtë traditë miqësie të pashkëputshme… dhe sheh, përgjate bregut, gjyshër dhe nipër që shetisin, luajnë në rërë e në uje, ëndërrojnë dhe gëzojnë …dhe…dhe…nipërit ëndërrojnë rritjen dhe….gjyshërit kthehen në rinin’ e tyre, në gëzimet e para, në kujtimet e dashurisë së parë, miqësive të vjetra dhe…dhe brezi i ri në det bëhet i fortë, për të përballuar të ardhmen….
Jeta është lufte, është si deti, që duhet përballue, “Me zemër dhe Trimni”, ashtu si në këngën “Kapidon’o djal’ i ri”, këngë e detarit të perjetshem durrsak, këngë e të gjithë bregdetaseve durrsakë, luftëtarë për jetën, krenarë si deti, guximtarë si deti, të drejtë e të ndershëm si deti, miq me të gjithë ata qe e meritojnë, që kanë tiparet e “Babë Detit” dhe ….dhe gjyshërit, deti i bën më të fortë, për përballjen me atë që i pret…dhe …madje durrsaku nuk i ndahet detit as në fundin e fundeve.
Kudo ku janë vendprehjet e përjetshme të durrsakëve, “Bijt e Detit” shikojnë “Babë Detin, dëgjojnë këngen e tij, ndjejnë flladin e tij të pafund, pëshpërimën e tij sikur don me thanë: “Prehuni në paqe bijt’ e mi”!
Të dashurosh detin, është në thelb dashuria për të bukurën natyrore, të cilën deti e përmban njëherit në të gjithë komponentët, në të gjitha format, duke të ngjallur besim në vetvehte, frymë pavarësie dhe lirie, forcë dhe të mbush me optimizëm për të jetuar dhe luftuar edhe kur jeta të duket e padurueshme.
31 Dhjetor 1997
©Bamir Bebeziqi