Edi Rama, Sudja dhe Rrapush Xhaferri - Nga Ilir Levonja

Ai i gjati, siç kanë filluar ta quajnë shqiptarët Edi Ramën, cilësoi se të gjithë ata që janë opozitë, përfshi këtu edhe partitë e reja, apo të vogla, nuk janë gjë tjetër po Sudja dhe Xhaferri. Në fakt raporti i Shqipërisë me kohën e këtij të gjatit, është një batak social pasi në kohën e Sudes, Rrapushit, apo Vehbi Alimuçës etj., shqiptarët i sillnin paratë me karro në Shqipëri. Kërkonin të përmisonin kuletën, të ndërtonin shtëpi duke shitur apartamentet e kontributit vullnetar etj. Një konfuzion social sipas këtij, megjithëse sot një tërësi e emrave janë pjesë e batalionit të tij qeverisës, deri te ca zogza që ai i shpalli edhe investitorë strategjike po me burrat e dytë.
Në kohën e Sudes dhe të Xhaferrit, në mos realitetin, shqiptarët të paktën jetuan ëndrrën. Dhe vërtet paratë e tyre ishin të kulluara në raport me ekonominë tënde komplet një një ndërrmarje për kultivimin dhe prodhimin e drogës. Sudja dhe Xhaferri qarkullonin lekun, kurse ti sot qarkullon llojet e drograve. Madje do mbahesh mend në histori për legalizimin e saj. Shqiptarët i kishin para gjaku, nuk kishin eksperiencën e duhur në ekonominë e tregut, por investonin për portofolin dhe mirëqënien e tyre, por në Shqipëri ama. Dhe sa për dijeni, Suden dhe Xhaferrin i falimentuat ju duke e futur vendin në një luftë të pastër civile, të cilën po me strategjitë e Sigurimit të Shtetit ia ngjeshët opozitës së sotshme.
Sa për partitë e reja opozitare, janë prurje jo vetëm e liberalizmit demokrat, e unit apo e interesit makut për një karrike deputeti, por edhe po strategji e Sigurimit të Shtetit të etërve të tu, pra e jotja. Pasi me sistemin zgjedhor më idiot, votat e partive të vogla janë ushqim për ty. Ti e di mirë se ta zëmë forca Mundësia, votat do i marri nga e djathta jo nga ushtria e kuqe që ti përfaqëson. Mund të thuash sa të duash broçkulla lart e poshtë, si ato që ty ta paska mbushur mendjen dashnorja që të mos largohesh nga Shqipëria. Mund të thuash sa të duash meme plot pështymë se sikur PS-ja të ishte në pushtet që nga 1992, Shqipëria do ishte sot pjesë e Europës.
E para dhe e fundit, askush tjetër nuk e vrau PS-në më shumë se ti..., sot aty nuk ka më socialistë. Ka dy lloj krijesash, ca të matufepsur pas një inati pervers karshi Saliut dhe ca të tjerë pa ngjyrë politike, por shushunja që vetëm bëjnë llogari se si e ku të vjedhin, të rrjepin, të vrasin, të shqyejnë gjithkënd që i del përpara. Shiko realitetin shqiptar sot pas 12 vjet qeverisje. Nuk ka debate televizive, nuk ka llogaridhënie, nuk pyetje e përgjigje studiove, por vetëm bëj si them unë. Ka vdekur demokracia në Shqipëri dhe ai që e vrau dhe e bëri publikisht, je ti.
Shqipëria e Sudes dhe Rrapushit punësoi dhe stimuloi investimin njerëzor karshi portofolit personal, gjë që nuk mund ta bëje ti për plot 12 vjet, madje ishin grupet e interesit komunist që edhe ato pak prona të fondacioneve i zhvatën me zellin e hajnave guerrilas, jo me projekte serioze shtetërore. Mund të thuash me gojën plot fyerje për mendimin ndryshe, se janë llum kënete, por që çuditërisht ti u kërkon publikisht të mos dalin në votime. Një absurditet social i qëllimtë se ti nuk e ke problem të qeverisësh edhe me 20% pjesëmarrje në votime.
Sikur sot në Shqipëri të bëhet një referendum mbarëkombëtar, mes teje, Sudes dhe Rrapush Xhaferrit, ti do të merrje shpullat, votat Sudja dhe Rrapushi!
© Ilir Levonja - SHBA