Qeveria e reduktuar, premtimi i rremë i Mark Carney - Nga Marc-André Leclerc
- Published in Kanada

- Nga: Marc-André Leclerc - Journal de Montreal
14 marsin e kaluar, sapo u zgjodh kryetar i Partisë Liberale të Kanadasë, Mark Carney emëroi këshillin e tij të parë të ministrave.
Ish-guvernatori i Bankës së Kanadasë synonte të jepte një mesazh të qartë: do t’i bënte gjërat ndryshe. Mjaft me kabinetet e stërmëdha - në skenë do të vinte një ekip i reduktuar, efikas dhe pa tam tame.
Dy muaj më vonë, historia paraqitet ndryshe.
Kabineti i reduktuar rezultoi të ishte një iluzion. Sapo nisi ceremonia e betimit, u flakën maskat: qeveria e re e Carney-t rezultoi realisht me 38 anëtarë - 28 ministra dhe 10 sekretarë shteti.
Më shumë ministra se Trudeau
Mund të luhet me fjalët, por në praktikë, këta sekretarë shteti ushtrojnë funksione ministrore. Ata do kenë zyrën e tyre, kabinet këshilltarësh, personel, limuzinë - me pak fjalë, gjithë përfitimet dhe autoritetin e një ministri të mirëfilltë.
Nëse bëjmë një krahasim me të kaluarën: në vitin 2015, kur krijoi kabinetin e tij të parë, Justin Trudeau kishte 30 ministra, përfshirë dhe ata me role dytësore.
Stephen Harper, në vitin 2006, kishte një kabinet më të vogël, me 24 anëtarë, përfshirë ministrat e Shtetit.
Me 38 anëtarët e qeverisë së tij, Mark Carney i tejkalon të dy paraardhësit. Jemi larg “reduktimit” të premtuar.
Risi e rreme
Është e vërtetë që 24 nga 38 anëtarët e këtij ekipi ministror janë fytyra të reja.
Por edhe këtu nevojitet një sqarim: shumica e ministrave të dikastereve më të rëndësishëm - Mélanie Joly, Dominic LeBlanc, François-Philippe Champagne, Steven Guilbeault, Chrystia Freeland, Sean Fraser dhe David McGuinty - kishin tashmë role kyçe në qeverinë e Justin Trudeau.
Risia e premtuar i ngjan më tepër një zëvendësimi etikete.
Nëse Mark Carney dëshiron me të vërtetë të mishërojë ndryshimin, ai do duhet ta dëshmojë këtë shpejt me vendime që dallohen qartë nga ato të paraardhësit të tij. Sepse për momentin, përveç emrit të kryeministrit, kjo qeveri duket më shumë si një riciklim.
Burimi: Journal de Montreal
Foto: Christinne Muschi/The Canadian Press