Blog

Njeriu i zakonshëm, ky demon klimatik - Nga Nador Bakalli

Nga: Nador Bakalli - Toronto

Në librin e tij “Values”, Mark Carney shpall ideologjinë e tij: çdo vendim financiar - qoftë individual apo institucional - duhet t’i nënshtrohet një kriteri suprem: dekarbonizimit absolut. Jo efikasiteti ekonomik, jo nevoja njerëzore, jo mirëqenia e sotme - por dekarbonizimi, si një ferman i lartë përmbi gjithçka tjetër.

Nëse Trudeau ishte një figurë groteske, e dobët dhe e zbrazët, Carney është e kundërta: një bajloz ideologjik, pa shpirt dhe pa përulësi, pa asnjë lidhje me realitetin. Ai nuk është thjesht një ithtar i klimës. Ai është arkitekti i një rendi të ri, ku qytetari i zakonshëm shihet si kërcënimi më i madh për planetin.

Në sytë e Carney-t, hallexhiu që guxon të ngasë një makinë të përdorur, të ngrohë shtëpinë me gaz, apo të përdorë një qese plastike... është një demon ekologjik. Është ai që duhet kufizuar, edukuar, ndoshta edhe ndëshkuar.

Carney nuk e mohon që rruga drejt “shpëtimit” klimatik do të ketë kosto. Përkundrazi, ai e sheh sakrificën e brezave të tërë si të pranueshme. As që i lëviz qerpiku nëse rrugës shkatërrohen ekonomitë lokale, ngrihen kostot bazike, apo shformësohet jeta shoqërore.

Dhe pse do të duhej t’i interesonte kjo? Ai nuk e ka jetuar kurrë realitetin tonë. Është njeri i boardroom-eve dhe kullave të fildishta, që mat jetën nga grafiqet dhe shifrat e bankave qendrore. Ai nuk e njeh ankthin, urinë, papunësinë, çmimin e karburantit, apo pasigurinë e të nesërmes. Nuk di të flasë për jetën reale sepse nuk e ka jetuar kurrë. Dhe ndoshta, thellë-thellë, edhe e përbuz.

Miq të nderuar, ky nuk është thjesht një debat për klimën. Kjo është një betejë për vetë pozicionin tonë si njerëz në këtë botë. Sepse nëse ky vizion ideologjik bëhet realitet, atëherë ne nuk do të jemi më qytetarë, por pengesa të padëshiruara në rrugën e një utopie të ftohtë dhe të pashpirt.

© Nador Bakalli - Toronto