Blog

Rakia e Rrashbullit dhe vera 33 mijë euro - Nga Ilir Gjini

Nga: Ilir Gjini - Toronto

Në vitin e largët 1981, kur edhe udhëheqësit të “ndritur” Hoxha nuk i qe hapur ende porta e “parajsës” së Ferrit, një denoncim i pazakontë kish mbrritur në Heteusinë e Tiranës. Banakieri i Minerës së Priskës, i kish hedhur rakisë së famshme të Rrashbullit ujë, për të futur ndonjë lek në xhep.

Rakisë që shërbente edhe si “drogë” për të rritur entuziazmin në punën e rëndë në minierë, i qe ulur grada dhe fuqia. Kjo vuri në lëvizje shokët e Hetuesisë, të cilët dërguan në laborator disa monstra dhe rezultoi që përqindja e alkolit ose grada, nga 18, kish zbritur në 15.

Filloi çështja penale, por banakieri që ende nuk kish mbushur muajin në punë, rridhte nga një familje me “përbërje të mirë” e afërt me regjimin, e kështu nuk e ndoqën penalisht, po e justifikuan se i qe derdhur rakia nga pakujdesia dhe ai nga frika e kish zëvendësuar me ujë. I vunë kapak, e nuk e akuzuan për punë “armiqësore”, apo për vjedhje.

Në kohën e komunizmit, nëse vidhje diçka që e kalonte vlerën e 2000 lekëve të vjetra, dënoheshe me burg. Ndërsa për vjedhje nën 2000 lekë (aq merrte mesatarisht një punëtor për 15 ditë pune), çështja i kalonte gjykatave të lagjeve dhe dënimi ishte vetëm me “qortim”, ose nje gjobë simbolike.

Tani që po jetojmë kapitalizmin e ndritur, “kolegët” e BKH dhe SPAK, gjetën në vilën e Ergys Agasit verë me vlerë mbi 1 milion euro, e cila ishte futur në mënyre klandestine, pa paguar doganën që shkonte në rreth 400.000 euro. Po çfarë bënë hetuesit e BKH-së me ketë provë materiale krimi?

Me pretekstin se nuk e transportonin dot, apo se nuk kishin vend ku ta magazinonin, ia lanë kushëririt të Agasit?! Dhe të nesërmen vera kish avulluar si me magji. Po disa shishe si mostra nuk i merrnin dot me vete hetuesit? Po disa shirita të verdhë dhe ruajtje nga policia nuk vendosej dot?

Pra e lanë të zhdukej, sepse hapte telashe të tjera. Qe numri dy i qeverisë Ahmetaj, i cili pati deklaruar se Ergys Agasi është kumbari që mban lidhjet e qeverisë me botën e krimit. Se kish qenë vetë prezent, kur Rama kish shijuar verën 33 mijë euro të Agasit. Prandaj “kolegët” e BKH-së, e lanë të avullonte.

Vetëm nga një folder i hapur filmimesh në kompjuterin e Agasit, tregohet se emërimet në Policinë e Shtetit nga kreu i saj Proda e deri te shefat e komisariteve në rrethe, bëheshin nga kumbari Agasi. Ju kujtohet filmi Kumbari i Coppola-s, ku të gjithë i puthnin dorën Don Corleones dhe zgjidhnin hallet?

Te kumbar Agasi, shkonin nga ministra e deri prokurorë e gjykatës, për të marrë emërime, e tendera. Në shoqerinë tonë, vazhdon të sundojë mentaliteti i skllavit, i shpëlarjes së trurit, i udhëheqësit të ndritur që është mbi ligjin, mentalitet i injektuar thellë në subkoshiencën tonë nga sistemi komunist.

Ndërsa hetuesit e komunizmit e falën banakierin me “biografi të mirë”, hetuesit e sotëm e lanë të avullonte verën 33 mijë euro, sepse mund të dehet populli, e ngrihet në protesta. Nëse dje mjaftonte të vidhje 2000 lekë (kuptohet vetëm për popullin) e të vinin prangat, sot kur je afër pushtetit duhet të kalosh shumën e 50 milion eurove që të ndiqesh penalisht. Për 50 milion euro vjedhje akuzohet Balluku, por ato nuk mjaftojnë që asaj t’i hiqet imuniteti, se mbrohet nga padroni i kumbarit.

*Faktet e publikuara për “hollimin’’ me ujë të rakisë së Rrashbullit janë marrë nga një publikim i historianit Kastriot Dervishi.

© Ilir Gjini - Toronto

Tagged under Flasshqip.ca Ilir Gjini