“Reforma territoriale” tjetër... - Nga Ndue Dedaj
-Si mund ta bëjmë vendin tonë prodhues
1.
Është ajo “reformë” që nuk e bëjnë vetëm institucionet e shtetit, por dhe vetë qytetarët, e cila nuk ka të bëjë me krijim njësish të vogla apo të mëdha të administrimit të territorit, si, bie fjala rajonet, por me investimet shtetërore, private, familjare, të natyrave të ndryshme në territoret e braktisura, të shpopulluara të vendit. Kjo është sipas nesh dhe reforma e vërtetë. Se mund të caktosh kufij në hartë e në terren, po kur nuk ka njerëz, zhvillim, banim, jetesë, reforma territoriale e humbet kuptimin. Kemi njëqind vjet që bëjmë reformë të territorit dhe ende nuk ia kemi dalë, përderisa një banor i Shkopetit, “ngjitur” me Urën e Zogut në Milot, duhet të shkojë në Peshkopi njëqind e ca kilometra larg, për një vërtetim kadastral e një tjetër banor nga Munella duhet të kapërcejë “nëntë male” e të shkojë në Prefekturë të Shkodrës për një shërbim të gjendjes civile!? Nuk ka prokuror e gjykatës të gatshëm në Mirditë, Fushë-Arrës, Has, a thua se këto bashki nuk janë në administrimin gjyqësor të republikës. Qytetari për një gjyq të thjeshtë duhet të “zbresë” si në legjenda nga Fierza (përkufi me “Bajram Currin”) në Pukë!? Mirdita në kohët kur nuk kishte shtet, kishte dalje në Adriatik, në Bregun e Matës, deri ku shtriheshin pronat e veta natyrore, kurse me krijimin e shtetit, e humbi detin!?... Por sa anomali të tjera pushteti mund të sjellësh kështu, për shkaqe të hershme e të vona. Ky është një handikap administrativ, që nuk ndodh askund tjetër, paçka se flitet se qytetari duhet t’i marrë shërbimet online përmes platformave qeveritare etj.
Na duhet një reformë territoriale pa artifice elektorale e llogari politike, e pranuar nga të gjithë shqiptarët, që të mos i rikthehemi prapë e prapë në të ardhmen! Por, siç e cekëm më sipër, shkrimi ynë fokusohet tek ajo reforma tjetër territoriale, që e bëjnë idealistët, me dëshirën e mirë që të mos e “humbasin” territorin në kohë e hapësirë, duke nisur nga trualli i shtëpisë së tyre, që ua kanë lënë në tapi gjyshërit, trashëgimia dhe historia. Ata që shohin përtej pragmatizmit të sotëm dhe dyndjes së përgjithshme drejt urbanizimit, por që, përkundrazi, këtë të fundit e “mbartin” në vendlindjen e tyre mes malesh e jo vetëm në fushë.
2.
Shpesh ata që e bëjnë ndryshimin në kahjen e kundër të rrjedhës bashkëkohore “rrëshqitëse” drejt fushës, qytetit e përtejdetit, janë të padukshëm, pasi ata nuk e bëjnë për duk. Në këtë mes për t’u përshëndetur është jetëzimi i kullave nga vetë të zotët. Ndërsa kryeqyteti lartëson kullat qiellzënëse e frymëmarrëse në qendër të tij, shumë dukagjinas, kelmendas, mirditorë, pukjanë, hasjanë, matjanë, dibranë etj., janë kthyer pa kurrëfarë zhurme në vendlindjen e tyre dhe kanë rivitalizuar kullat e të parëve, më e pakta që ajo trashëgimi të mos bjerret më shumë. Dhe nuk janë një e dy për katund, por shumë, që i kemi parë me sytë tanë, nga Skuraj në Lekbibaj e nga Lëpusha në Shishtavec. Edhe pse banorët janë një hap para qeverisë në këtë nismë, kjo e fundit pak kohë më parë ka paraqitur “Programin për Rijetëzimin e Kullave në disa rrethe në bashkëpunim me GIZ-in, i cili synon të kthejë kullat tradicionale të Veriut në hapësira të gjalla të turizmit, kulturës dhe ekonomisë lokale, duke i restauruar, përshtatur dhe përfshirë në itinerare turistike që ofrojnë përvoja autentike për vizitorët vendas dhe të huaj”, duke uruar që ky projekt të mos ketë fatin e dështimit të “100 fshatrave”.
Vërtet kullat e maleve tona mund t’i marrë në mbrojtje UNESKO një ditë prej ditësh, por kjo do të ishte shumë më pak sesa rikthimi ynë tek ato, dikush për të ribanuar aty, dikush për t’i kthyer në muze familjar, dikush për të kaluar fundjavat apo fundvitin atje, dikush për të bërë një vreshtë rrushi, dikush për të mbarështuar tufat e dhive, dikush për t’i kthyer në agroturizëm etj. Jo pak kullave në skajet më të largëta të Mirditës iu ka mundësuar çatinë e re, çisternat me ujin e shiut etj., shoqata e mirënjohur Austri-Mirditë, për të cilën kemi shkruar herë pas here. Nuk është fjala për fshatra turistikë me kulla e bujtina, që keni parë nga afër, si Fishta, Thethi, Tamara, Vermoshi, Valbona, Curraj-Epër, Kryeziu, Katundi i Vjetër, Tranga, Lura etj., simbole të turizmit malor shqiptar, por dhe për kulla të “vetmuara” bjeshkësh që po kthehen në identitet në katundet e largëta. Shqipëria kështu punohet, jetëzohet, mbrohet (nga shëpërdorimi, grabitja), integrohet dhe trashëgohet; e dëgjon përherë e më pak fjalën shpopullim, braktisje etj.
3.
Por sado t’i rikthejmë banesat në identitet e t’i bëjmë dhe më të bukura në katundet tona, jetesa nuk është soditje, por punë, prodhim, mirëqenie. Në të vërtetë kjo është pika jonë e dobët, ne nuk prodhojmë, në mos vetëm pica e byrekë, ne vetëm tregtojmë tash 35 vjet. Është për t’u përgëzuar një banor që ka ngritur një vreshtë model disahektarshe në vendlindjen tij në Kashnjet të Lezhës, apo disa banorë në fshatrat e Matit, që e nisin dhe e ngrysin ditën në bashtinën e tyre duke u marrë me kopshtin, bimët, kultivimin e troftës etj. Por këta e të të tjerë janë aq pak “ishuj” të lulëzuar krahasuar me shkretimin e përgjithshëm të malësive. Ku i kemi arat e gjyshërve dhe etërve? Të gjitha tokat djerr e të mbuluara nga ferrat deri në çati të shtëpive. Ku i kemi tufat e blegtorisë, baxhat e përpunimit të qumështit dhe prodhimit të bulmetit? Ku i kemi vreshtat për prodhimin e verërave e rakisë, gjer markat tona kombëtare në to etj.? Ku i kemi minierat e bakrit, kromit, mermerit, që të na bëjnë sadopak të pasur, njëherë në jetë, pasi dikur fuqizuan ekonominë socialiste e tash atë kapitaliste të sipërmarrësve të huaj dhe vendas? Nuk kemi më asgjë tonën, të publikut, të qytetarëve, që të mund të prodhojmë! Edhe gurët e malit (bazaltet), edhe rëra e lumenjve nuk janë më tonat. Nuk nuk kemi më as krojet, pasi janë “rrëmbyer” dhe ato nga ata pak fshatarë që kanë mbetur. Sa për lumenjtë e përrenjtë në malet tona nuk bëhet më fjalë, ato janë futur në tuba të mëdhenj HEC-esh. Se si sillemi me pasuritë kombëtare e dëshmojnë pyjet e grabitura mizorisht në vitet e para të tranzicionit.
A mund të kemi ne shqiptarët një qeveri, një shtet me institucione, që t’i bëjë tonat këto pasuri dhe të krijojë lehtësitë e nevojshme për prodhuesit? A është e mundur që të kalohet nga “prodhimi” masivisht i pallateve, në atë agrar dhe industrial? Call-Center-at nuk janë prodhim. Po në cilat platforma elektorale partish, në cilat mbledhje qeverie, në cilat diskutime parlamentare, në cilat studio televizive, në cilat këshilla bashkiake flitet për prodhimin vendas? Askund! Si të jetë kjo një fjalë e huaj. Habi si nuk e prish këtë “tabu” askush. Mund të ketë shkaqe nga më të ndryshmet, ndër të cilët dhe mosinteresi i importuesve të mëdhenj për prodhimin e këtushëm, shpërdorimi i granteve të BE për këtë qëllim etj. Prandaj është shteti, për t’i tejkaluar interesat e ngushta të oligarkëve dhe ndaluar abuzimet e qeveritarëve, që e lënë vendin pa zhvillim dhe përspektivë, thënë ndryshe, që e lënë bregdetin pa agrume etj.
Nëse e kundërta e asaj që ngjet sot me mosprodhimin vendas do të ndodhte, fëmijët tanë nuk do të merrnin udhët e botës si emigrantë...
© Ndue Dedaj












