Kanada

Monarkia kanadeze, një farsë koloniale - Nga Elsie Lefebvre

  • Published in Kanada
Nga: Elsie Lefebvre - Journal de Montreal

Mbreti Charles III mund të jetë një personazh i sjellshëm, por nuk është ky thelbi i debatit. Institucionit që ai përfaqëson në sistemin politik të Kanadasë i ka kaluar koha. Në një epokë kur kombet po riafirmojnë me vendosmëri sovranitetin e tyre, ideja që Kanadaja t’i drejtohet një monarku britanik për të hapur Parlamentin dhe për të përforcuar identitetin e saj kombëtar është, në thelb, një absurditet. Propozimi i Mark Carney për ta bërë këtë vetëm sa dëshmon paaftësinë e Kanadasë angleze për të formësuar një identitet të mirëfilltë.

Ky mesazh përçohet veçanërisht keq në Quebec, ku monarkia evokon plagë të vjetra historike - një ndjeshmëri që Carney, me gjithë qasjen e tij thellësisht britanike, duket se e shpërfill plotësisht. Sipas një sondazhi të institutit Léger, 87% e banorëve të Quebec-ut nuk ndjejnë asnjë lloj lidhjeje me këtë institucion që, për shumëkënd, ka përfaqësuar përpjekjet për të zhdukur kulturën e tyre.

Ky refuzim masiv tregon jo vetëm një indiferencë të thellë, por edhe një reagim të vetëdijshëm ndaj një simboli të së kaluarës koloniale. Larg nga të qenit një figurë bashkuese, prania e monarkisë ngjall ndasi dhe rikujton përpjekjet historike për asimilimin e frankofonëve dhe popujve autoktonë të Kanadasë.

Miliona dollarë skandale dhe shpërdorime

Por përtej simbolikës, është edhe çështja e kostos. Mbajtja e sistemit monarkik në Kanada i kushton taksapaguesve rreth 71 milionë dollarë çdo vit. Dhe megjithëse zyrtarët marrin paga të majme - guvernatori i përgjithshëm paguhet 325 mijë dollarë në vit, pa llogaritur pensionin e përjetshëm prej 150 mijë dollarësh - shumë prej tyre janë përfshirë në shpenzime të pajustifikueshme.

Rasti i Mary Simon, e cila gjatë një udhëtimi në Lindjen e Mesme shpenzoi 1000 dollarë vetëm për feta limoni dhe lime, pjesë e një fature totale prej 100 mijë dollarësh, është vetëm një shembull. Julie Payette shpenzoi 650 mijë dollarë për ceremoninë e betimit përpara se të jepte dorëheqjen pas një raporti hetimor tronditës. Michaëlle Jean pat shpenzuar 9.3 milionë dollarë në udhëtime, ndërsa Lise Thibault përfundoi pas hekurave për mashtrim. Adrienne Clarkson nuk mbetet pas, me 8.9 milionë dollarë për udhëtime dhe 1.3 milionë të tjera nga fondet publike, edhe pasi mbaroi mandatin.

A nuk është koha që Kanadaja të pyesë veten pse vazhdon të financojë një institucion që është kaq larg vlerave të saj demokratike dhe që nuk ofron asnjë funksion real?

Në vend të nostalgjisë, një serial

Nëse Mark Carney digjet nga malli për monarkinë, ka një mënyrë më të mirë për ta ushqyer nostalgjinë: le të shikojë serialin The Crown - është i realizuar bukur dhe nuk i kushton askujt miliona dollarë.

Burimi: Journal de Montreal

Foto: AFP