Kanada

Një dekadë, dy përjetime:  Si mosha ndikon në ndjesinë e mirëqenies në Kanada

  • Published in Kanada
Nga: Daniel Dufort - Montreal Economic Institute

Kanadezët nuk janë më shumë të begatë sot sesa ishin në vitin 2014.

Në tremujorin e fundit të vitit 2024, niveli mesatar i jetesës në Kanada ishte 58,951 dollarë - vetëm 759 dollarë më shumë sesa në tremujorin e katërt të vitit 2014, pasi të jetë marrë parasysh inflacioni.

Me fjalë të tjera, pas 10 vitesh pune të palodhur, jemi bërë vetëm rreth një për qind më të pasur.

Megjithatë, këto të dhëna nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht realitetin e përjetuar nga të gjithë kanadezët, pasi bëhet fjalë për një mesatare. Dhe shqetësimet e shprehura gjatë fushatës së fundit zgjedhore e tregojnë qartë këtë.

Në një sondazh të kryer nga kompania Ipsos gjatë javës para zgjedhjeve të fundit federale, shihet se niveli i pakënaqësisë ndaj qeverisë aktuale zvogëlohet me rritjen e moshës së votuesve të anketuar.

Tek të rinjtë 18 deri 34 vjeç, 56% shprehnin pakënaqësi, ndërsa tek ata mbi 55 vjeç kjo përqindje binte në 44%.

Kur u bëhet pyetja të rinjve, ata përmendin si shqetësimet kryesore: koston e jetesës, papërballueshmërinë e strehimit dhe kriminalitetin.

Ndërkohë, politikat e presidentit Trump ishin një faktor shqetësues për 18% të të rinjve, krahasuar me 45% tek prindërit dhe gjyshërit e tyre mbi 60 vjeç.

Nuk po themi që votuesit më të moshuar nuk janë prekur nga kostoja e jetesës, papërballueshmëria dhe kriminaliteti - këto çështje kanë prekur të gjithë kanadezët - por të rinjtë kanë qenë më të goditurit.

Për ta kuptuar më mirë, mendoni për fillimet e karrierës suaj:

Me shumë gjasa ishit në të njëzetat, sapo kishit mbaruar studimet dhe jetonit me qira.

Në atë fazë të jetës, i vetmi burim të ardhurash ishte paga juaj dhe ideja për të pasur kursime dukej më e largët sesa nevoja për të shlyer borxhet.

Me kalimin e viteve, paga juaj rritej me përvojën dhe promovimet, shtëpia juaj fitonte vlerë, hipoteka shlyhej gradualisht dhe kursimet rriteshin në një RRSP apo në mjete të tjera investimi për pensionin tuaj.

Në këtë kontekst, performanca e dobët e ekonomisë kanadeze gjatë kësaj dekade - dhe ndikimi i saj në fuqinë tonë blerëse - është vetëm një aspekt i gjendjes sonë financiare.

Ndërsa kjo dekadë ka qenë një dekadë e humbur në aspektin e punës, ajo nuk ka qenë e humbur për ata që kishin asete.

Indeksi i bursës S&P/TSX, që ndjek vlerën e aksioneve në bursën e Torontos, u rrit nga 14,632.44 dollarë në dhjetor 2014 në 24,727.94 dollarë në dhjetor 2024. Kjo përfaqëson një rritje prej gati 69% në 10 vjet.

Kjo rritje është reflektuar si në investimet direkte në RRSP (Registered Retirement Savings Plan), TFSA (Tax-Free Savings Account) apo forma të tjera kursimi, ashtu edhe në fondet e pensioneve të kompanive, të cilat janë burim i rëndësishëm për shumë punëtorë.

Por nuk janë vetëm tregjet financiare që kanë përjetuar rritje rekord.

Dhjetë vjet më parë, çmimi mesatar i një shtëpie në Kanada ishte rreth 430,000 dollarë. Sot, sipas të dhënave më të fundit, vlera mesatare është 713,700 dollarë.

Edhe duke e llogaritur me inflacionin, kjo përfaqëson një rritje prej 28.1% në vetëm një dekadë.

Për ta thënë ndryshe: çmimi i një shtëpie është rritur mesatarisht me 43 dollarë çdo ditë.

Për ata që tashmë ishin pronarë shtëpie, kjo ka qenë një periudhë e rritjes së pasurisë së tyre.

Por për të rinjtë në fillim të karrierës, ky shpërthim çmimesh e ka bërë ëndrrën e shtëpisë gjithnjë e më të paarritshme.

Kjo diferencë përjetimesh midis brezave ndihmon të kuptojmë pse prioritetet e të rinjve ndryshuan kaq shumë nga ata të prindërve dhe gjyshërve të tyre në fushatën e fundit zgjedhore.

Ndërsa më të moshuarit i shihnin kërcënimet tarifore të presidentit Trump si rrezikun më të madh për nivelin e tyre të jetesës, të rinjtë - që kanë jetuar këtë dekadë të humbur dhe e ndiejnë efektin e saj - fajësuan më shumë politikat kombëtare si kërcënimin më të madh për mirëqenien e tyre.

Edhe pse të dy perspektivat janë të vlefshme, është e rëndësishme të kuptohet se këto politika kombëtare, që kanë dobësuar begatinë tonë gjatë këtyre 10 viteve, janë drejtpërdrejt nën kontrollin e politikanëve tanë federalë.

Të shpresojmë që kryeministri i ri të jetë në gjendje t’i përballojë këto sfida.

*Daniel Dufort është president dhe drejtor ekzekutiv i Montreal Economic Institute (MEI), një think tank i pavarur mbi politikat publike.

Burimi: https://www.lesaffaires.com

Foto: Adobe Stock