Kolumnist

Censi 2023 dhe besimi fetar - Nga Arben Kallamata

Nga sot, 18 shtator, deri në 30 tetor 2023 në Shqipëri Instituti i Statistikave zhvillon Censin, regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë. Censi nuk është zgjedhje politike, prandaj shqiptarët kanë rastin më të mirë që të provojnë t’iu përgjigjen pyetjeve me vërtetësi dhe ndershmëri, ndërsa partitë politike kanë rastin të rrinë rehat, në qejf të vet, dhe të mos fusin hundët, pasi nuk kanë interes të ndikojnë. Të vetmit që duken sikur janë gjallëruar për të bërë ndonjëfarë fushate për të nxitur njerëzit se si të përgjigjen duken krerët e komuniteteve fetare, të cilët janë thjesht të interesuar për të shtuar numrin e grigjave përkatëse.

Unë shpresoj që shqiptarët do të dinë të jenë të ndershëm me veten e tyre, të aftë për të kuptuar pyetjet e Censit dhe për t’iu përgjigjur siç duhet.

Pyetja 168 e Censit është formuluar kështu:

Besimi Fetar

A praktikon ose i përket <Emri> një feje ose besimi të caktuar?

01. Po

02. Jo, ateist/e (nuk praktikon ose nuk i përket një besimi fetar të caktuar dhe nuk është besimtar/e)

03. Jo, nuk praktikon ose nuk i përket një besimi fetar të caktuar, por është besimtar/e

04. Preferoj të mos përgjigjem.

Duket tepër e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. Askush nuk po pyet se çfarë besimi ka pasur gjyshi dhe gjyshja, babai dhe nëna. Askush nuk do të dijë çfarë besimi ke trashëguar nga familja. Askush nuk është i interesuar të marrë vesh cilit besim i përket në bazë të emrit, apo mbiemrit. Pyetja është thjesht: A praktikon një fe ose besim të caktuar?

Po shpjegoj çdo të thotë të praktikosh ose të mos praktikosh një besim fetar:

Nëse shkon çdo të diel në kishë, nëse nuk ha mish të premteve, nëse nuk ke bërë asnjëherë seks jashtë martese (para dhe pas saj), nëse nuk je divorcuar, etj., atëherë mund ta quash veten praktikant i njërës nga fetë e krishtera, katolik apo ortodoks (ose edhe ndonjë nga këto të rejat që kanë hyrë me misionarë pas 1990-ës.

Nëse porosit dy bërxolla dhe një birrë kur ha te restoranti i plazhit me familjen, të gjithë me rroba banje, atëherë vështirë se mund të pretendosh që praktikon besimin islam. Aq më pak nëse nuk falesh pesë herë në ditë dhe nuk agjëron gjatë muajit të Ramazanit. 

Dhe nëse, veç këtyre më sipër nuk e di nga bie dera e kishës apo xhamisë, atëherë është e mira ta kapërcesh zgjedhjen 01 dhe të shënosh këdo që mendon se të përshtatet më shumë nga tre të tjerat.

Të gjitha përgjigjet janë të mundshme për njerëzit. Të gjitha përgjigjet janë normale dhe secila prej tyre mund të shprehë të vërtetën në lidhje me ju. Ato shprehin thjesht besimin fetar ose mungesën e tij. Nuk shprehin as shkallën e moralit apo të imoralitetit, as ndershmërinë ose poshtërsinë e njeriut. Në fakt, moralin dhe ndershmërinë e shpreh vetëm përgjigjja me vërtetësi e pyetjeve që bëhen.

© Arben Kallamata