Opinione

Reportazhi i Rai3 prova e pakontestueshme se Shqipëria drejtohet nga një kryemafioz - Enver Bytyçi

Prej vitesh shkruaj në reagim të politikave të brendshme dhe sidomos lidhur me Kosovën, të kryeministrit tone Edi Rama. Aq shumë kanë reaguar përkrahësit e Ramës, sa ndonjëherë më kanë vënë në dilemën: Mos po gaboj, ose së paku po e teproj me kritikat ndaj kryeministrit të Shqipërisë? Ju them me sinqeritet, do isha shumë i lumtur të kisha gabuar, sepse nga gabimet e mia kritike ndaj zotit Rama nuk e pësonte Shqipëria, Kosova dhe as shoqëria shqiptare. E pësoja vetëm unë dhe zhgënjeheshin disa lexues që më besojnë mua. Kaq dhe vetëm kaq.

Por fatkeqësisht çdo ditë e më shumë bindem se kritikat e mia janë një pike uji në oqean, sepse është dasht që të gjithë analistët, akademikët, njerëzit e penës, të artit, të kulturës, të gjithë ata që e duan atdheun dhe kombin, që kanë familje dhe e duan atë, pra të gjithë ata që e duan Shqipërinë dhe Kosovën të kishin reaguar në atë masë që kam reaguar unë e shumë kolegë të mi. Tashmë jam i bindur për këtë. Tashmë nuk ka asnjë mëdyshje se Shqipëria dhe Kosova janë në rrezik serioz nga një kryeministër i lidhur me krimin dhe një familje kryeministrore mafioze.

Kam shkruar se Edi Rama të gjithë bashkëpunëtorët e tij i zgjedh sipas kriterit të aftësisë dhe besnikërisë që përcakton kodi i mafies. Nëse ke kontribute në krimin e organizuar, nëse ke eksperiencë pune në organizatat mafioze, nëse ke guxim të vjedhësh, të grabisësh, të korruptosh e të korruptohesh, atëherë i ke plotësuar të gjitha kriteret e emërimit ministër, kandidat për deputet, zv. ministër dhe drejtor i madh apo i vogël, shef prokurimesh, ose tenderdhënës, drejtues në tatime apo në dogana, kryepolic apo komisar e drejtor policie.  Nuk ka shans ndryshe. Të njëjtat kritere si edhe shefi i tij ka ndjekur gjithashtu kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Po ashtu ministrat dhe vartësit e tyre, si dhe kryetarët e tjerë të bashkive. Engjëll Agaçi u zgjodh i pari sipas këtyre kritereve dhe më pas të gjithë të tjerët, radhë pas radhe e njëri pas tjetrit.

Por kryeministri ka sajuar formulën, sipas së cilës: “kush ha dardha prapa shpinës time, ka përgjegjësi personale”. D.m.th. se ai i zgjedh sipas kritereve të lartpërmendura njerëzit e mafies në pushtet. Dhe i ka porositur ata që gjithçka ta ndajnë bashkë, të jenë transparentë dhe të mos ia marrin atij pjesën e vet. Ndryshe konsiderohet se këta “hanë dardha pas shpine dhe do t’i lëshojë nga dora për t’i çuar në SPAK”. SPAK, nga ana e tij, është porositur që të demaskojë publikisht dardhangrënësit pas shpinës së dardhabërërsit. Identik si në kodin e mafies. Nëse fsheh diçka nga paratë e drogës, ndëshkohesh. Nëse tradhton, vritesh. Nuk ka asnjë kuptim tjetër formula e Edi Ramës për dardhat pas shpine. Që kur i merr pranë vetes, ai i paralajmëron mafiozët në stilin, po ma drodhe, të përdredh.

Reportazhi i Rai3 është dëshmi e gjithë asaj çfarë është thënë e stërthënë për qeverisjen mafioze të Edi Ramës. E dija se me vendimet e tij do të prishë ekuilibrat dhe do të krijojë kundërshtarë. Marrëveshja për refugjatët me Melonin bëri punën e vet. Zgjoi interesat e opozitës italiane që të godasin kreun e ekzekutivit shqiptar dhe të sjellin dëshmi se ai është kapoja i kupolës mafioze të pushtetit të “Rilindjes” në Shqipëri. Për këtë kanë fakte e dëshmi jo vetëm italianët, por edhe britanikët, gjermanët, francezët, hollandezët e të gjithë anët dhe ezët e tjerë europianë.

Rai3 nxorri në skenë veçmas lidhjet e Olsit me mafien. Olsi ishte trajnuar në këto lidhje që kur i vëllai i tij ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sapo Edi u bë “mbreti” i Shqipërisë, Olsi erdhi në Shqipëri. U maskua si president i “Partizanit”, por në fakt ishte dhe qëndroi deri në fund në rolin e tij si tutor dhe ndërmjetës i kryeministrit shqiptar me bandat mafioze jashtë Shqipërisë. Gjithçka për një arsye të vetme: Të bënin sa më shumë para e pasuri.

Tani radhën për ta denoncuar mafien shqiptare e kanë të gjithë perendimorët. Ata nuk munden më ta mbrojnë kryetrafikantin Olsi dhe kryemafiozin, Edi Rama. Tani ka rënë edhe teoria e dardhave pas shpine. Çdo fije të aktivitetit mafioz e kanë lëvizur pa u frikësuar aspak dy vëllezërit mafiozë të familjes Rama. Por çdo gjë e ka një fund. Tani perendimorët do të thonë: “na falni, se nuk e paskemi ditur se i dashuri ynë, Edi, paska qenë kryemafioz”! Se mos e kanë për herë të parë këtë formulë?!

Natyrisht që ajo familje nuk do të prodhonte atdhetarë, as njerëz të ndershëm. Mafiozë do prodhonte, sepse mafia e diktaturës ishte ngjizur në koshiencën dhe subkoshiencën e të dy vëllezërve. Shqipëria duhet të kuptojë më në fund se batutat e kryeministrit që zgjodhën janë maskë e veprimtarisë së tij mafioze. Kosova gjithashtu duhet të kuptojë dhe të kthjellohet për rolin e rrezikshëm të këtij kryemafiozi për shtetin, shtetësinë, territorin dhe sovranitetin e Kosovës.

Mafia nuk ka atdhe. Mafia nuk njeh patriotizëm. Mafia është një me paranë dhe krimin. Mafia është organizimi fisnor më i rrezikshëm që ka prodhuar historia e njerëzimit të kohëve moderne. Prandaj mos prisni asgjë të mirë nga banda mafioze e “Rilindjes” së Edi Ramës. Televizioni italian Rai3 përfundimisht e kthjelloi edhe më naivin e këtij vendi. Megjithatë vazhdoj të them se nuk duhej të ndodhte kjo provë, sepse Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët nuk e kanë merituar këtë ndëshkim. Së paku Kosova jo!

© Enver Bytyçi