Kush shkon më larg, një vrapues me dy këmbë a dy vrapues me nga një këmbë? - Nga Mehmet Elezi
Edhe në garën e sivjetshme presidenciale shqiptarët në Maqedoninë e Veriut u përfaqësuan me dy vrapues, secili me nga një këmbë.
Pas numërimit të pothuajse krejt votave, vërehet:
- Kandidatja Davkova, e Partisë VMRO-DPMNE: 40.2%.
- Kandidatët e partive shqiptare, Osmani e Taravari, marrë së bashku: rreth 23% (13.36% + 9.37%).
- Kandidati socialdemokrat Pendarovski: 19.9%.
Ëndrra presidenciale shqiptare vritet nga vetë politika shqiptare. Shqiptarët u përfaqësuan në garë me dy kandidatë rivalë. Nëse partitë shqiptare do të kishin dalë me një kandidat të përbashkët, rrrethi i dytë (balotazhi) do të kish qenë ndërmjet një kandidati shqiptar e një kandidati maqedonas. Vështirë do ta fitonte presidencën një shqiptar, por do të përcillej një kumt i rëndësishëm uniteti e qytetërimi.
Pse nuk ndodhi, çfarë interesash vihen në plan të parë? Historia do të pyesë.
Njëzet vjet më parë, në pranverës 2004, pati ndodhur njësoj. Për ata që dëshirojnë me pa si përsëritet historia, pa nxjerrë mësimet e duhura, po përcjell një shkrim të shkurtër, që pata botuar asokohe. Shkrimi është ribotuar në përmbledhjen “Heshtje varri për një djep të shenjtë”, 2020.
NJË VRAPUES ME DY KËMBË DHE DY VRAPUES ME NGA NJË KËMBË
1.
Vetura me militantë që tundin flamurët kombëtarë e brohorasin duke u rënë borive; turma që shkojnë me portretin e kandidatit të zemrës e me simbolet e partive përkatëse. “Fitore!”. Këto pamje i vumë re nëpër disa qytete shqiptare në Maqedoni, gjatë rrethit të parë të garës presidenciale.
Nëse nëpër fushata zgjedhore këto pamje kanë kuptim, këtë herë shtronin një pyetje: cila ishte fitorja që mund të prisnin shqiptarët në zgjedhjet për numrin një të Shkupit, ku u përfaqësuan me dy kandidatë?
Mundësia e ngjitjes së cilitdo prej kandidatëve shqiptarë në krye të piramidës në vendin fqinj ishte zero. Mbështetja për njërin a tjetrin prej tyre nuk mund të thuash se i shërbente garës presidenciale. Ishte thjesht militantizëm partiak. Militantizëm përballë kujt? Përballë partisë tjetër gjithashtu shqiptare! Militanitizëm për të fituar asgjë.
2.
Shqiptarët në Maqedoni kanë problem madhor të përbashkët: me u trajtue si qytetarë të barabartë të atij vendi. Në mënyrë institucionale, tashti ky problem madhor shprehet me fjalët: jetësim i marrëveshjes së Ohrit.
Dy partitë politike shqiptare, BDI, drejtuar prej z. Ali Ahmeti dhe PDSH, drejtuar prej z. Arbër Xhaferi, që garuan me kandidatë për president, nuk janë kundër kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë në dy partitë kryesore maqedonase marrëveshja e Ohrit ka kundërshtarë e pengestarë.
Në këto rrethana si mund t’u shërbehej më mirë interesave të shqiptarëve: duke i copëtuar energjitë e zgjedhësve dhe votat, apo duke i bashkuar ato rreth një kandidati? Interesi kombëtar çon kah alternativa e dytë. Për fat të keq u ndoq rruga e parë: energjitë e votat e shqiptarëve u shpërndanë.
3.
Votat e shqiptarëve, të cilët në çdo rast përbëjnë më pak se gjysmën e popullsisë së vendit, nuk mjaftojnë me zgjedhë kryetarin e shtetit. Megjithatë, duke konkurruar me një kandidat të përbashkët, shqiptarët do të fitonin politikisht. Do t’i dërgonin Shkupit dhe Bashkësisë Ndërkombëtare kumtin se shqiptarët janë të bashkuar, të pjekur, se përballë interesave madhore ata lënë mënjanë mosmarrëveshjet e grindjet partiake.
Veç kësaj, nëse shqiptarët do të dilnin me një kandidat të përbashkët, kishte jo pak gjasa që në rrethin e dytë gara të vazhdonte ndërmjet një kandidati maqedonas e një kandidati shqiptar. Sipas të dhënave paraprake, në rrethin e parë të dy shqiptarët së bashku morën rreth 23 përqind të votave. Por sipas disa burimeve pjesëmarrja e shqiptarëve në votime ka qenë e ulët. E kuptueshme, ata e dinin se me dy kandidatë shqiptarë që luftonin me i marrë vota njëri-tjetrit në një kohë kur maqedonasit luftonin për shtetin, nuk qitej gjë në dritë. Ndaj në votime kanë shkuar kryesisht militantët partiakë.
Nëse partitë shqiptare do të kishin dalë me një kandidat të përbashkët, shpresat që kandidati shqiptar të ngjitej në vend të dytë nuk ishin të pakta. Duke synuar vendin e dytë, dhe duke e përhapësuar këtë synim gjërësisht gjatë fushatës, shqiptarët do të delnin masivisht në votime. Votat e tyre do të rriteshin dukshëm.
4.
Balotazhi ndërmjet një shqiptari e një maqedonasi në garën presidenciale do të kish qenë arritje e madhe. Kandidati shqiptar në balotazh moralisht do të bëhej numri dy i Maqedonisë. Mbase kryetar parlamenti.
Do të kish qenë fitore edhe për krejt Maqedoninë. Nuk mund të ketë demokratizim e integrim europian pa të drejta të barabarta të krejt shtetasve. Aq më tepër, shqiptarët përbëjnë popullsinë e dytë në vend, pas sllavëve.
5.
Udhëheqjet politike të dy partive më të mëdha shqiptare bënë zgjedhje tjetër. Ndoqën rrugën e copëtimit të energjive e të zbehjes së ndikimit politik mbi Shkupin, nëpërmjet votës.
Është koha me i kallëzue muskujt shoqi-shoqit, kur kërcënimet për shqiptarët vijnë nga drejtime të tjera? Disi groteske që edhe pas dështimit të faktorit shqiptar në rrethin e parë - dështim i paralajmëruar për shkak të ndarjes dysh të këtij faktori - edhe pas pohimit të vëzhguesve ndërkombëtarë se zgjedhjet ishin të lira e në përputhje me standardet demokratike, përsëri filluan replikat ndërshqiptare për marre të dheut për “vjedhje votash” e “dhunim të votës së lirë”. Këtë “vjedhje” e “dhunim të vullnetit zgjedhor” ia paskeshin bërë partitë shqiptare njëra-tjetrës!
Edhe në qoftë kështu, kurrkush nuk mund ta thotë çka fituan ose çka humbën shqiptarët nëse njëra parti shqiptare i paska marrë disa vota tjetrës, kur nuk votohej as për deputetë, as për këshilltarë, po për presidentin e Maqedonisë.
Kush ka gjasa më shumë me dalë në krye në një rrugë të gjatë: një vrapues i shëndoshë me dy këmbë apo dy vrapues me nga një këmbë secili? Në garën presidenciale të sivjetshme shqiptarët në Maqedoni u përfaqësuan me dy vrapues që kishin nga një këmbë secili. Faktori shqiptar mbeti sërish garniturë e politikës maqedonase.
E vetmja mundësi zgjedhjeje për shqiptarët tashti është cilin kandidat maqedonas me e mbështetë në rrethin e dytë. Me fjalë të tjera, me votue për një president - maqedonas a për një maqedonas - president?
17 prill 2004
© Mehmet Elezi











