Pse diaspora turke e Evropës Perëndimore mbështet masivisht Erdoganin?
- Published in Andej-Këtej

- Nga: Intervistoi Raphaël Bouvier-Auclair (Strasbourg)
Raphaël Bauvier-Auclair
Intervistë e Radio-Canada me historianin dhe politologun Samim Akgönül, drejtor i Departamentit të Studimeve Turke në Universitetin e Strasburgut.
Përveç 64 milionë votuesve në Turqi, më shumë se 3 milionë turq që jetojnë jashtë vendit janë në listat e votimit për raundin të dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohet nesër. Në Evropën Perëndimore, një shumicë e madhe e këtyre emigrantëve mbështetën presidentin Rexhep Taip Erdogan në raundin e parë. Për të kuptuar më mirë arsyet e kësaj mbështetjeje të rëndësishme, biseduam me historianin dhe politologun Samim Akgönül (në foto poshtë), drejtor i Departamentit të Studimeve Turke në Universitetin e Strasburgut, Francë.
Sa e rëndësishme është vota e diasporës turke?
Së pari, deri në vitin 2012 diaspora nuk mund të votonte në distancë. E vetmja mënyrë për të votuar ishte të shkoje në Turqi. Për më tepër, gjatë viteve 1990, madje edhe 2000, partitë politike, lëvizjet politike, mobilizuan autobusë për t'iu mundësuar shtetasve turq që jetonin në shtetet kufitare me Turqinë të vinin të votonin. Në atë kohë, regjimi në Turqi, pak a shumë laik, pak a shumë evropian, konsideronte që kjo diasporë ishte shumë myslimane, shumë islamike dhe shumë prokurde. Pra, dhënia e të drejtës së votës ishte në kundërshtim me parimet që zbatonte pushteti në Turqi. Megjithatë, që nga vitet 2000, ardhja në pushtet e Islamit politik krijoi kushtet që tema e të drejtës së votës për turqit që jetonin jashtë vendit të rikthehej në agjendën politike dhe në vitin 2012 atyre iu garantua kjo e drejtë.
Rezultatet e raundit të parë treguan se partia e Presidentit Erdogan ka marrë 64% mbështetje në Francë, 65% në Gjermani dhe gati 75% në Belgjikë.
Rezultatet janë të ndryshme në raport me shtetet ku është votuar. Në vendet tradicionale të imigracionit si Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda apo Austria, dominon vota nacionaliste islamokonservatore, por edhe vota pro-kurde. Në vendet ku ka logjika të tjera migrimi, kam parasysh Britaninë e Madhe apo Zvicrën, për shembull, dominon vota pro-kurde. Partitë pro-kurde marrin deri në 50% të votave atje. Ndërsa në vendet ku ka migrim të shtresave të mesme, intelektuale apo elitës, si Kanadaja apo Australia, dominon vota në favor të opozitës laike.
Pra, preferencat politike janë pjesërisht të lidhura me vendet e origjinës së këtyre votuesve?
Kjo konstatohet edhe brenda një shteti. Pra në Strasburg, ku ne po bisedojmë, ka një emigracion klasik nga Anadolli qendror. Pra, ka një dominim të votës islamokonservatore dhe nacionaliste. Ndërsa në Marsejë, ku ka një përqendrim të elitës, por edhe të kurdëve, ka një dominim të votës kurde dhe asaj qemaliste. Siç shihni, edhe brenda një shteti mund të ketë diferenca të konsiderueshme.
Si ta shpjegojmë simpatinë ndaj Presidentit Erdogan të këtyre votuesve, disa prej të cilëve kanë jetuar për dekada në Evropë ose kanë lindur atje?
Në këto vende, preferencat ndaj tij ndikohen nga disa faktorë. I pari është fetar. Presidenti Erdogan arriti t'i bindë këta votues se ai ishte përfaqësuesi i vetëm i Islamit politik dhe se votimi për partitë e tjera do të ishte një veprim në kundërshtim me Islamin. Pakicat janë shumë të lidhura me identitetin e tyre fetar, kështu që nuk është për t'u habitur nga konstatimi se votat e pakicave turke në Evropën Perëndimore janë në favor të Erdoganit. Së dyti, pakicat kanë nevojë për siguri dhe janë të etura për revansh ndaj shumicës. Për këto arsye, qëndrimi intransigjent, apo agresiv i Erdoganit u pëlqen këtyre pakicave, të cilat në këto vende ndihen të frustruara, të diskriminuara dhe jo të përfaqësuara sa duhet. Ato e identifikojnë veten me diskursin e Rexhep Taip Erdoganit, që shfaqet shumë antiperëndimor dhe shumë nacionalist.
Po ndërkohë, diaspora nuk ndihet e distancuar nga çështjet e brendshme politike?
Në Turqi ekzistojnë tri ndasi identitare, të cilat janë aq të forta sa i zhvleftësojnë motivet e tjera për të votuar. Këto tri ndasi të mëdha janë ato që ekzistojnë midis turqve dhe kurdëve, midis shumicës sunite dhe pakicës alevi (pakicë fetare) dhe midis islamistëve dhe sekularistëve (laikëve). Kriza ekonomike, tërmeti që la më shumë se 50,000 të vdekur dhe më shumë se tre milionë të pastrehë, konsumimi i pushtetit, korrupsioni, nepotizmi etj., të gjithë këta faktorë dalin në plan të dytë pikërisht për shkak të ndasive identitare. Pra, diskursi përçarës që dominon në Turqi është tërheqës për diasporën.
Duke reaguar ndaj shifrave të votave në favor të Erdoganit, disa politikanë belgë kanë bërë pyetjen se si është e mundur të votohet për Erdoganin dhe për vlerat që ai përfaqëson, e në të njejtën kohë të jetosh në Evropë.
E vërteta është që ka shumë paradokse. Për shembull, disa nga njerëzit që votojnë në mazhorancë për partinë e Erdoganit, votojnë socialistët në Francë, sepse besojnë se interesat e pakicave mbrohen më shumë prej partive të majta. Pra nuk ka preokupim për vlerat, nuk ka arsyetim racional, por ka reagim identitar. Nëpërmjet reagimit identitar, mund të kombinohet shumë mirë jeta në Belgjikë, Gjermani apo Francë me mbështetjen për një parti nacionaliste islamo-konservatore në Turqi. Këta votues nuk shohin asnjë lloj papajtueshmërie në këtë rast.
Në rastin e zgjedhjeve ku diferenca mes kundërshtarëve është e vogël, a mund të jetë vendimtare pesha e kësaj diaspore, edhe nëse ajo përfaqëson vetëm rreth 5% të elektoratit?
Sigurisht që vota e diasporës mund të ketë ndikim. Për më tepër, reagimi i opozitës laike perëndimore në Turqi është pak a shumë ky: “njerëzit që jetojnë në Gjermani, Francë, Kanada, apo diku tjetër, në rehatinë e botës perëndimore, kanë në dorë fatin tonë, ndërkohë që as nuk jetojnë atje. Ata votojnë për Erdoganin ndërsa ne vuajmë”. Pra ka një debat të rëndësishëm në Turqi, edhe për të drejtën e votës së kësaj diaspore, që në fakt është një e drejtë kushtetuese.
Burimi dhe fotot: Radio-Canada
Shqipëroi Flasshqip.ca