Trashëgimi

Plazhe shqiptare: Velipoja dhe Shëngjini

Po mendoni se çfarë të bëni gjatë verës kur të shkoni në Shqipëri? Pasi të keni vizituar të afërmit e të keni kryer qokat e mbledhura të vitit, planifikoni ditët e mbetura duke udhëtuar e pushuar në Shqipëri. Mund të shkoni edhe në plazhet e veriut, përveç turizmit malor që veriu ofron. Për ata që preferojnë rërën krahasuar me gurët e guriçkat e bregut, Velipoja dhe Shëngjini janë perfekt.

Velipoja me plazhin e saj është vendi turistik më i frekuentuar në veriun e vendit. Plazhi ndodhet vetëm 30 km nga qyteti i Shkodrës dhe rruga është e rikonstruktuar.  Plazhi ka një vijë bregdetare për shfrytëzim 14,5km, nga grykderdhja e Bunës deri pranë “Ranës së hedhun”. Plazhi i Velipojës është një perlë e natyrës ku gërshetohen në harmoni deti, lumi, plazhi, laguna, pylli e mali. Rëra e pasur, që sidomos në dy skajet e plazhit ka shumë jod i jep atij dhe vlera kurative. Uji i kulluar i detit, laguna e Vilunit, baticat e zbaticat, ofrojnë bukuri mahnitëse. Pyjet, kryesisht me plepa, të pranishëm në të gjithë plazhin e deri 200 metër pranë detit, i japin freski plazhit edhe në ditët më të nxehta. Shkoni në Velipojë një fundjavë e më pas zbrisni drejt Shëngjinit.

Në Shëngjin shkohet për diellin, për detin e rërën, për bukuritë e rralla, që natyra u ka dhuruar banorëve mikpritës e të shoqërueshëm. Rripi i gjerë i rërës së pastër, nga njëra anë kufizohet me detin dhe nga ana tjetër me pyllin e rrallë me pisha e drurë të tjerë. Një rrip i ngushtë rëre me bimësi, ndan ujërat e cekëta bregdetare me lagunat. Për rreth 25 km nga bregu perëndimor i komunës së Tales deri në kufi me Shkodrën janë vendosur disa plazhe si ai i Vainit, i Shëngjinit, i zonës së Rencit dhe Rërës së Hedhur. Kohët e fundit kanë filluar të shfrytëzohen edhe plazhet e Rrencit e të Rërës së Hedhur që janë nga më të bukurat në Shqipëri. Gjiret e vegjël me rërë të pastër, uji i kthjellët si kristali, kurora malore me pisha që u qëndron mbi krye, i bëjnë këto plazhe nga më atraktivet për pushuesit. Në këtë zonë rëra ngjitet lart në mal mbi 60 metra duke u bërë kështu duna ranore më e madhe në Ballkan e Europë. Pra kjo është një nga gjërat më të veçanta që e ka vetëm Shëngjini. Bien në sy në këto zona toponimet e ndryshme si Guri i Çamë, Shkalla e Ujk Kolës dhe shpella pranë saj, Guri i Peshkatarit ose Guri i Marka Nikës, Shkëmbi i Laçit, etj., të cilat ja shtojnë kureshtjen dhe kënaqësinë turistit. Këto i kanë shërbyer popullsisë së kësaj zone dhe secili toponim ka një histori më vete. Kështu bie fjala: Guri i Marka Nikës e ka marrë këtë emër pasi Marka Nika ka qenë një nga peshkatarët më të vjetër të kësaj zone. Ai vëzhgonte detin nga maja e gurit dhe prej aty orientonte shokët e tij peshkatarë që të dilnin me shpejtësi në det e të hidhnin rrjetat, nga kalonin masat e peshkut. Mos e lini pa shkuar në Shëngjin! Disa ditë gjatë verës ia vlejnë!