11 vjet pa Arbën Xhaferin

- Nga: Përgatiti Enver Robelli
(24 janar 1948 - 15 gusht 2012)
Mënyra më fisnike për të përkujtuar dhe nderuar një personalitet është leximi i mendimeve të tij.
1. Fragment nga libri: “Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, Koha, 2011. Bashkëbisedim me Enver Robellin
***
E.R. - Më herët folët për 100 llojet e trëndafilave, që nëna juaj i kultivonte në shtëpi. Në çfarë rrethi familjar jeni rritur? Me se merrej babai juaj?
Arbën Xhaferi: Im atë ishte rrobaqepës. Ky zanat ishte i përshtatshëm që njerëzit të merreshin me politikë, natyrisht si amatorë. Atmosfera e qetë, statusi social i klientëve, krijonte në atë kohë, kontekstin e përshtatshëm për analiza, për biseda politike, sadopak, kompetente. Në atë kohë vetëm ata, të pasurit, që ishin në funksione të ndryshme, intelektualët apo zejtarët e vyeshëm, kishin mundësi të qepnin kostume të reja. Thuaja se të gjithë rrobaqepësit ishin politikanë amatorë. Fjalën ‘amator’ e dalloj nga fjala ‘diletant’ apo ‘joprofesionist’. Fjala ‘amator’ nënkupton pasionin e madh për t’u marrë me një veprimtari shoqërore, por jo si profesionist që jeton prej punës që bën, por thjesht si hobi apo përcaktim jetësor që të punojë për një ideal.
Në çdo qytet të shqiptarëve në atë kohë, prej viteve të 30-a të shekullit XX funksiononin organizata të fshehta politike. Njëra nga më të popullarizuarat ishte shoqata ‘Besa’, e cila kishte disa segmente: atë politik (çlirimi i atdheut), atë të sigurisë, atë të kulturës dhe atë ekonomik. Kjo formë e organizmit të strukturave ilegale i mbante të gjalla shpresat e popullit për çlirim. Im atë ka qenë njëri nga themeluesit e kësaj shoqate ilegale që në Luftën e Dytë Botërore dhe dha kontributin e pazëvendësueshëm në shtrirjen e shtetit shqiptar edhe në qytetet perëndimore të Maqedonisë.
Si prindi im kanë qenë edhe shumë të tjerë që e mbanin ndezur shpresën në kohët më të vështira. Për këtë veprimtari prindi im ka qenë dy herë në burg, 1945 dhe 1955. Herën e parë, për shkak se kishte qenë nëpunës i financave kur Tetova ishte Shqipëri dhe, herën tjetër, më 1955 për agjitim kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi.
Në fëmijërinë time, në situatën kur ideologjia komuniste, përkatësisht ajo pansllaviste ishte e fuqishme dhe e shëndetshme, jeta në Tetovë dhe qytetet e tjera shqiptare zhvillohej në dy paralele të ndara. Jetën publike e kishin në duart e tyre komunistët, përkatësisht maqedonasit, ndërkaq në jetën private gëlonin debate për kolapsin e Jugosllavisë. Çdo familje patriotike kishte medoemos një radio ku dëgjoheshin vetëm dy stacione: ai i BBC-së dhe ai i Zërit të Amerikës. Aso kohe në Tetovë gjeje mjeshtër që rregullonte radioaparate që sa më qartë të dëgjoheshin lajmet që emetonin këto dy radiostacione. Prindi im madje shiti një copë toke për të blerë një radio që ishte i vetmi mjet i kontaktit me botën e jashtme.
Kur fillova të merrem me politikë, pas vitit 1994, kërkova dosjen e prindit tim. Aty lexova raportin e personit që kishte pasur detyrë ta survejojë atë. Sipas raportuesit, im atë qenka shqetësuar për vdekjen e Dag Hamarskoldit (Dag Hammarskjöld), sekretar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mes viteve 1953-1961 dhe fitues i çmimit Nobel për Paqe. E veçanta e kësaj historie është përkushtimi i njerëzve të thjeshtë që jetonin në margjinat e shoqërisë, për të qenë të informuar mirë për atë se çka po ndodhte në botë. Ata, si prindi im, ishin njerëz që kurrë nuk humbën shpresat që Jugosllavia do të shpërbëhet pandalshëm.
Nga kjo kohë e errët, e pashpresë, kur çdo gjë ishte sllavizuar, kur ne ishim të pambrojtur si foshnja, më kanë mbetur në kujtesë atmosfera në shtëpi, aroma e asaj kohe. Kur im atë ishte i mërzitur, ose për ta thyer monotoninë këndonte këngë që nuk këndoheshin në publik, as atëherë, as sot. Fragmentet e tekstit dhe të melodisë i mbaj mend edhe sot: ‘...edhe hana do ta dijë, edhe dielli do të ketë pa, se përqark kësaj rrokullie, si Shqipnia vend nuk ka’, ose ‘...ti moj shqipe e Aleksandrit, zaptove botën, dole në Hindi’...
‘Katër vjet liri - katër shekuj shqiptari’, siç do të thoshin nacionalistët e këtyre anëve!’
***
2. Letra e Arbën Xhaferit dërguar bashkëkombësve të tij me rastin e promovimit të librit në Zvicër në vitin 2011
Të nderuar bashkatdhetarë,
Me iniciativën tuaj sot përurohet libri i gazetarit tonë të njohur, Enver Robellit. Interesimi juaj për librin, për porositë që i sjell ai, është gjithsesi inkurajues. Një popull që tregon interes për tema kulturore, që shpeshherë kanë peshë politike dhe kombëtare, është në rrugë të mirë jo vetëm për ta ruajtur identitetin e tij kombëtar, por edhe për ta zhvilluar edhe më shumë.
Ju, bashkatdhetarë të nderuar, jeni në pozitë të dyzuar. Në njërën anë, natyrshëm jeni të ballafaquar me ofertën për integrim në njërën nga shoqëritë më të avancuara të botës dhe nga ana tjetër jeni në dilemë të madhe a t’i nënshtroheni këtij procesi që zhvillohet kudo në botë dhe në çdo kohë. Dilemat e kësaj natyre janë të vështira për çdo popull, pa marrë parasysh nivelin e zhvillimit kulturor.
Por megjithatë diçka është shumë e sigurt: popujt që kanë traditë, zhvillim kulturor, kanë gjasa më të mëdha për ruajtje të vlerave të traditës, të identitetit dhe të sensit të tyre për krenari dhe dinjitet.
Shqiptarët, sidomos ata që padrejtësisht mbetën të jetojnë jashtë shtetit amë, një kohë të gjatë nuk kanë pasur kujdesin sistemor për kultivim të vlerave kulturore. Këtë mangësi ata kanë korrigjuar me vetiniciativë entuziaste, ngjashëm me këtë të sotmen.
Libri “Në Tetovë në kërkim të kuptimit” i gazetarit tonë të njohur dhe të vlerësuar, Enver Robelli, sjell një risi konceptuale. Ky stil i komunikimit, i prezantimit, i analizës së dukurive shoqëroro-politike ngrihet mbi relacionet tradicionale ndërmjet gazetarit dhe politikanit. Siç dihet ekziston një lloj rivaliteteti ndërmjet tyre. Ky antagonizëm shpeshherë është i dhembshëm dhe i rrezikshëm, sidomos për gazetarët hulumtues. Ata kanë një mision të shenjtë që ta vëzhgojnë veprimtarinë e politikanëve, t’i zbulojnë të palarat, abuzimet, gënjeshtrat dhe keqpërdorimet e çfarëdo lloji. Në këtë mënyrë ata i frikësojnë zyrtarët e niveleve të ndryshme që të mos i dorëzohen tundimit që i nxit ata ta shkelin ligjin. Por, raporti ndërmjet gazetarit dhe politikanit di të jetë paranoik, plot dyshime të ndërsjellta, pastaj relacion servil, i korruptuar etj.
Në këtë libër nuk do të gjeni pikanteri të kësaj natyre. Gazetari është në funksion të skanerit, të zbuluesit të dijes, të formimit moral dhe të vetive, të virtyteve apo të ceneve të një politikani. Ai përmes pyetjeve, që në fakt janë minikomente, e nxit bashkëbiseduesin që lirshëm të rrëfehet, nëse ka çka të rrëfejë.
Ky libër sjell një risi: raportin e sinqertë ndërmjet bashkëbiseduesve.
Besoj se kur do ta lexoni librin nuk do të zhgënjeheni.
Edhe njëherë i përgëzoj iniciatorët e këtij përurimi të një libri që në vete ngërthen qëllime fisnike dhe që ofron vlerësime për shumë dukuri shoqërore, politike, kulturore, historike etj.
Lexim të këndshëm!
Me respekt,
Arbën Xhaferi