Faji i politikës apo elitave? A kemi elitë intelektuale? - Nga Milaim Nela
“Detyra e intelektualëve është të sjellin formulat morale, politike e shoqërore që konkretizojnë dëshirat e paqarta të turmave. Pa rolin e elitave drejtuese dhe shënjimin e rrugës që duhet ndjekur lëvizjet popullore shëndërrohen në aventurore. Po të lëshohet në qarkullim një ide e drejtë kjo do të ndiqet nga masat.” (T.G. Wells)
Ky fragment është shkëputur nga një nga penat e mençura britanike i shkruar gati para 150 vitesh. E solla këtu për të ngacmuar sado pak mendimin dhe debatin për atë çka po ngjet në Shqipëri.
Sot si shoqëri shqiptare ne kemi arritur në depresion shoqëror edhe për faktin se ose nuk kemi elita siç i përshkruan T.G. Wells në shekullin e 19-të, ose elitat tona intelektuale janë në mpirje të mendimit, ose totalisht të ndrydhura.
Në periudhen e Rilindjes por edhe në kohën e Zogut kishim një shtresë të vogël në numër, por me një ndikim shumë të madh në rrethet intelektuale të kohës.
Kam parasysh ketu jo vetëm gjigantët e Rilindjes Kombëtare si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Faik Konica e të tjerë, por edhe ata të gjysmës së parë të shekullit të kaluar si fjala vjen, Hafiz Ali Korça, Branko Merxhani, Mit’hat dhe Mehdi Frashëri dhe shumë figura të shquara të mendimit estetik e politik shqiptar të kohës.
Regjimi stalinist i Enver Hoxhës përveç se kishte karakter aventurier ishte dukshëm edhe nën ndikimin e fqinjëve veriorë të asaj kohe sepse mbi të gjitha ishte pjellë e tyre.
Elitat e trashëguara nga epoka e monarkisë zogiste u shkatërruan thuajse plotësisht. Pjesa më e madhe u vranë e u burgosën, e një pjesë e vogël e tyre arriti të arratiset. Shumë pak prej këtyre të fundit arritën të shkruajnë diçka, por edhe ajo pak vepër e tyre deri në vitin 1990 nuk arriti të depërtojë në Shqipëri.
Në Kosovë megjithëse nën pushtim, ishin të njohur për lexuesin shqiptar Fishta, Konica apo edhe Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli.
Vetëm elementë sporadike të shkollës komuniste krijuan një farë stature dhe kuptuan që ajo që ndodhte në Shqipëri ishte katastrofë, por nuk patën fuqi reaguese, e aq më pak të krijonin ide që të ndiqeshin nga masat. Kjo ishte pothuajse e pamundur.
Kosova në këtë aspekt ishte më fatlume. Periudha pas Rankoviçit dhe sidomos pas hapjes së Universitetit të Prishtinës krijoi një elitë që dalngadalë u bë jo vetëm lokomotiva e mendimit intelektual që rezononte me nevojat e shqiptarëve të Kosovës, por arriti që për 20 vjet si askund tjetër ta udhëhiqtë popullin drejt çlirimit nga pushtimi serb.
Pa këtë elite intelektuale Kosova pa dyshimin më të vogël do ishte edhe sot sërish nën pushtim.
Në Shqipëri pas rënies së sistemit komunist jo vetëm nuk u shfrytëzua hapësira e lirisë që u krijua për ta rritur mendimin intelektual në përputhje me sfidat që kërkonte koha apo kishte nevojë shoqëria shqiptare, por edhe ajo cilësi që kishte shkolla shqiptare brenda kornizave të sistemit stalinist pësoi një degradim të frikshëm.
Elita që doli nga sistemi i kaluar nuk arriti të çlirohet nga skemat vetcensuruese të atij sistemi.
Edhe sot pas 35 vitesh të menduarit nuk ka ndryshuar.
Akoma fjala vjen ne shqiptaret nuk kuptojmë se Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri ka qenë një luftë e mirëfilltë civile dhe shumicën e viktimave (edhe këto më shumë se të dhjetëfishuara në numër) i ka prodhuar jo përballja me pushtuesin, por vrasja e njëri-tjetrit apo vëllavrasja.
Niveli i arsimit universitar sot në Shqipëri ka pësuar një regres të frikshëm. E këtë e vërtetojnë edhe auditet dhe testet ndërkombëtare si ai i PISA-s.
Shkolla dhe niveli i mësimit është rrënuar në çdo nivel, që nga arsimi fillor deri në atë pasuniversitar.
Sot në Shqipëri shumë njerëzve që kanë marrë tituj shkencorë me të drejtë iu vjen turp edhe t'i shkruajnë në publik sepse i kanë marrë jo vetëm pa meritë, por edhe nga institucione pa asnjë lloj kredibiliteti kombëtar apo ndërkombëtar.
Sot në kemi tendencën të fajësojmë për gjithçka politikën apo individë të caktuar, disa prej tyre aventurierë të rrezikshem, që përdorin pushtetin e tyre vetëm për kënaqësitë dhe përfitimet e tyre personale, por në aspektin e përgjegjësisë publike janë tërësisht të papërgjegjshëm.
Faji, nëse mund ta quajmë të tillë, apo përgjegjësia, është e të gjithë shoqërisë, e secilit prej nesh, por para së gjithash i elitave intelektuale, që në çdo vend të zhvilluar udhëheqin mendimin publik dhe marrin shoqërinë pas vetes duke e udhëhequr në drejtimin e duhur të zhvillimit e të përparimit të kombit.
Që kemi dështuar tashmë është e dukshme, por pyetja që shtrohet është: a do ta marrim kthesën e shumëpritur apo do vazhdojmë të fajësojme politikën, së cilës i kemi lëshuar edhe fushën që nuk është e saj?
© Milaim Nela












