Loja e turbullt e Kinës përballë konfliktit në Ukrainë - Nga François Brousseau

François Brousseau, Radio-Canada
A është Kina qartësisht në anën e Moskës për luftën në Ukrainë? Të gjithë po e bëjnë aktualisht këtë pyetje dhe me sa duket, kjo është dhe gjëja që preokupon më shumë sot Uashingtonin.
Sipas një informacionit të publikuar më 13 mars nga New York Times, i ofruar direkt nga shërbimet e inteligjencës amerikane, Moska, e cila ka nisur një luftë më të kushtueshme dhe më vdekjeprurëse sesa pritej, i ka dërguar tashmë Kinës një kërkesë për ndihmë ushtarake.
Një takim i nivelit të lartë është zhvilluar më 14 mars në Romë, midis Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Jake Sullivan dhe drejtuesit të Komisionit kinez të Punëve të Jashtme Kineze, Yang Jiechi, një nga dy ose tre figurat kryesore të politikës së Jashtme të Kinës. Takimi ka zgjatur shtatë orë dhe pala amerikane e ka paralajmëruar palën kineze: “Çdo lloj mbështetje për Moskën - ushtarake apo ekonomike - do të ketë pasoja. Nuk lejojmë asnjë vend të kompensojë humbjet e pësuara nga Rusia për shkak të sanksioneve perëndimore”.
Mbështetje verbale
Pra, a ka filluar Kina të përfshihet në krah të Rusinë për pushtimin Ukrainës? Për sa i përket motiveve dhe pretendimeve të Moskës, rreshtimi dhe mbështetja verbale e Pekinit janë mjaft të qartë: “Kina pranon shqetësimet e drejta të Rusisë në lidhje me sigurinë dhe kundërshton përdorimin e sanksioneve për të zgjidhur problemet, veçanërisht sanksionet e njëanshme që nuk bazohen në të drejtën ndërkombëtare.
Por për sa i përket ndihmës konkrete materiale ndaj Rusisë të përfshirë në luftë - transferta financiare, dërgimi i armëve - apo miratimit të strategjisë së saj të pushtimit, kjo është një histori tjetër.
Të dy vendet bashkëpunojnë ushtarakisht. Organizojnë shumë shpesh manovra të përbashkëta ushtarake, për shembull gushtin e kaluar, në Kinën verilindore (10,000 ushtarë). Nga ana tjetër, në kohë normale, fluksi i pajisjeve ushtarake ndërmjet dy vendeve - anije apo avionë luftarakë - duket se shkon kryesisht nga Rusia në Kinë dhe jo anasjelltas.
Për dekada, Rusia i ka shitur Kinës destrojerë dhe avionë luftarakë Sukhoi. Një kërkesë për furnizim me pajisje në drejtimin e kundërt mund të konsiderohet sot si një sinjal alarmi që vjen nga Moska.
Duhet theksuar që thashethemi (apo informacioni) i New York Times u mohua me forcë, si në Pekin ashtu edhe në Moskë, që e konsideruan lajmin si “dezinformim” me terma pothuajse identikë. Në këtë rast mund të themi se ka një koordinim shumë të mirë të komunikimit publik mes këtyre dy vendeve përballë pjesës tjetër të botës.
Një aleate e përmbajtur
Megjithatë, Kina kishte - dhe vazhdon të ketë - disa rezerva rreth pushtimit të Ukrainës. Ne madje mund të tentojmë të themi që ekziston hipoteza që ka disa divergjenca në radhët e udhëheqjes së lartë në Pekin, në raport me vijën e saktë që duhet ndjekur në lidhje me Ukrainën.
Mund të kujtojmë gjithashtu se ministri i Jashtëm Wang Yi, gjatë konferencës së Mynihut më 20 shkurt (një takim i madh vjetor kushtuar çështjeve të sigurisë dhe atyre ushtarake, takim në të cilin Rusia shkonte rregullisht, ndërsa këtë vit mungoi), pati deklaruar se për Kinën, paprekshmëria e kufijve është një parim themelor, i cili vlen edhe për Ukrainën.
Por vazhdimi i ngjarjeve po na shfaq një Kinë që mbështet pretendimet e Moskës për sigurinë, duke denoncuar sanksionet dhe madje duke marrë në konsideratë pretendimet e Moskës rreth ekzistencës së armëve biologjike dhe kimike në Ukrainë.
Gjatë ditëve të fundit, diplomatët kinezë, agjencitë qeveritare dhe media shtetërore i kanë bërë jehonë gjerësisht teorisë se Pentagoni financoi laboratorët klandestinë në Ukrainë, një teori të cilës i bën jehonë edhe e djathta ekstreme në Shtetet e Bashkuara (animatori televiziv Tucker Carlson).
Nga sa thamë më lart, mund të nxjerrim përfundimin se Kina shfaqet globalisht si një aleate de facto e Rusisë, por një aleate e përmbajtur, e luhatshme, që transmeton sinjale kontradiktorë: për shembull duke abstenuar gjatë votimit të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 2 mars, rezolutë që denoncoi pushtimin e Ukrainës dhe kërcënimet e hapura bërthamore të Vladimir Putin.
Çfarë shpreson Uashingtoni
Çfarë po kërkojnë Shtetet e Bashkuara nga Kina dhe çfarë mund të marrë Uashingtoni nga Pekini? Disa ëndërrojnë për një ndërhyrje kineze - një ndërmjetësim imponues - gjatë së cilës, për të përdorur një shprehje figurative, Xi Jinping do t’i tërhiqte veshin Vladimir Putinit për ta detyruar të zbusë presionin ndaj Ukrainës. Një ndërmjetësim i tillë u kërkua madje publikisht nga ministri i Jashtëm ukrainas Dmitro Kuleba.
Kjo është fatkeqësisht një ëndërr në diell, sidomos në këtë fazë të luftës. Por të paktën, duke qenë realistë, ne duam që Uashingtoni të inkurajojë tendencën e Kinës për qëndrime të përmbajtur, gjë që e tregojnë edhe disa deklarata, ku thuhej, për shembull, se “e kuptojmë dhimbjen e ukrainasve” dhe rëndësinë që ka për ta sovraniteti, për më tepër që Kina ka dhënë deri tani më pak se 1 milion euro (1.4 milion dollarë kanadezë) ndihmë humanitare. Për krahasim, Kanadaja miratoi 100 milionë dollarë ndihmë humanitare në fillim të marsit, si edhe 117 milionë dollarë të tjerë ndihmë shtesë më 10 mars për të pritur refugjatët.
Konkretisht, në lidhje me luftën në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara duan të inkurajojnë kampin e “të moderuarve” apo “hezituesve” në Pekin. SHBA duan të parandalojnë mbështetjen në mënyrë aktive ekonomikisht dhe ushtarakisht të Moskës nga Kina, duke i përsëritur kësaj të fundit - siç raportohet se bëri Jake Sullivan disa herë gjatë takimit të tij me Yang Jiechi më 14 mars - se do të ketë pasoja për Kinën nëse zgjedh të mbështesë plotësisht Vladimir Putinin.
Sa larg mund të shkojë Pekini?
Sa larg mundet dhe deri ku synon të arrijë Pekini, në mbështetjen e tij ekonomike dhe financiare ndaj një Rusie nën sanksione ndërkombëtarë?
Mund të besohet se Pekini i ka vullnetin dhe mjetet për t'i ofruar Rusisë mbështetje financiare, nëse sanksionet e dëmtojnë vërtet; nëse tregtia ruse me Perëndimin rrënohet; nëse ngrirja ndërkombëtare e aseteve ruse funksionon përtej asaj që ishte parashikuar; etj. në një skenar të tillë Pekini mund të kompensojë dhe t'i vijë në ndihmë pjesërisht Moskës.
Por, përsëri, ka pikëpyetje. Së pari, a janë kanalet për dhënien e ndihmës së Kinës drejt Rusisë funksionalë dhe të praktikueshëm? Kanalet financiare, pas përjashtimit të bankave ruse nga sistemi Swift. Kanalet infrastrukturore, për shembull, për të lejuar që kinezët të blejnë, nga sot deri nesër, dy ose tre herë më shumë gaz rus sesa aktualisht. Pra, ka pengesa praktike për një kapacitet të tillë ndihme që, në rastin më të mirë, do të kompensonte vetëm pjesërisht humbjet ruse.
Atëherë, a nuk do të tundohej Kina, me gjithë pajtimin e saj me diskursin rus, të reagonte në këtë menyrë, nëse lufta do të bëhej edhe më e tmerrshme, deri në atë pikë sa ta kompromentonte dhe atë vetë nga një qëndrim i tillë?
Çfarë do të ndodhë nëse Evropa do të vendosë të reduktojë gradualisht lidhjet e saj tregtare me Kinën? Tregtia e Kinës me Bashkimin Evropian është gati 6-7 herë më e madhe se tregtia e saj me Rusinë.
Në kushtet kur Kina është shumë e përkushtuar ndaj stabilitetit që lejon zhvillimin e tregtisë dhe biznesit, nëse situata do të përkeqësohet akoma, nëse lufta do kalojë përtej kufijve të Ukrainës, është e sigurt që Pekini nuk do ta kapërdijë këtë gjë.
Mosmarrëveshje në majën e pushtetit?
Ekziston mundësia të ketë mosmarrëveshjeve apo kontradikta në rangjet e larta të pushtetit në Pekin, për sa i takon linjës politike që Kina duhet të ndjekë ndaj Ukrainës, por për momentin kjo është vetëm hamendje ose hipotezë. Mund të kujtojmë, për shembull, një Yang Jiechi (ai që takoi amerikanin Jake Sullivan në Romë) ose zëdhënësin Zhao Lijiang (ai që ofendoi amerikanët, evropianët dhe australianët në fillim të pandemisë), ose ato që shkruan Global Times: janë militantë, intransigjentë, madje arrogantë; ata që mund të quhen “linja e ashpër”, “diplomacia luftarake”. Nga ana tjetër, ministri Wang Yi në konferencën e Mynihut më 20 shkurt, paraqiti një ton tjetër.
Hu Wei, një autor kinez që jeton në Shanghai, sapo ka publikuar në faqen e internetit të Fondacionit Carter (në një seksion kushtuar çështjeve kino-amerikane) një analizë në të cilën ai shprehet në mënyrë eksplicite kundër një lidhjeje shumë të fortë të Kinës me Rusinë, me idenë se Rusia në fund mund të rezultojë humbëse në këtë luftë.
Ajo që mund të lexohet mes rreshtave të këtij artikulli, të shkruar nga një analist që jeton në Kinë - një vend që megjithatë është shumë i kontrolluar, duke përfshirë edhe botën akademike - është ndoshta diferenca mes atyre që janë vendimmarrës dhe analistëve kinezë, mes atyre të cilët thonë se ne “duhet të pozicionohemi plotësisht në favor të Rusisë kundër Perëndimit” dhe atyre që, përkundrazi, mendojnë se një qëndrim i tillë është jo vetëm i dëmshëm për tregtinë dhe ekonominë, por edhe që mbështetja e hapur e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës është një zgjedhje e dëmshme strategjike në aspektin afatgjatë.
Burimi: Radio-Canada
Përktheu Flasshqip.ca
Foto: Reuters