Kolumnist

Numra që na përndjekin - Nga Jeta Dedja

Nga: JETA DEDJA

Janë disa numra që na përndjekin kudo. Që kur vijmë në jetë ato shkruhen në kartelën mjekësore, e më pas në regjistra gjendjesh civile. Sërish në regjistra shkolle e më pas në llogari bankare kur fillojmë një punë. Janë numrat e moshës sonë.

I sajuan njerëzit atëherë kur hoqën dorë nga sistemi i kohës përmes hënës apo diellit. Bënë mirë se na sistemuan jetën, por edhe na e kthyen kalendarin në një faktor ndikues në biologjinë, psikologjinë apo jetën tonë sociale. Edhe pse të gjithë e dimë se jemi po ne edhe kur sapo kemi ndërruar prefiks, sërish ne përdorim vitet për të përkufizuar ekzistencën tonë në planet.

Kjo nuk do të thotë se mosha e shkruar në dokumentet tona thotë shumë për ne. Po sikur të mos e dinim moshën tonë, sa vite do i jepnim vetes? Do kuptonim që mosha nuk është vetëm ajo që shkruhet. Ne mund të jemi 60-vjeçarë me zemrën e një 30-vjeçari, apo muskujt e një 40-vjeçari. Nëse shkojmë në palestër rregullisht dhe nuk abuzojmë me ushqimet, mund ta ulim me të paktën 10 vjet, moshën kronologjike. Kockat nuk do humbin densitetin e tyre me të njëjtin ritëm po ashtu edhe veshkat nuk do vjetërohen me shpejtësi.

Ka që mund t’i drejtohen kirurgjisë plastike për të “rinovuar” pjesët e jashtme të vetes. Mirë bëjnë apo keq bëjnë, është përpjekje e tyre për të shtyrë moshimin. Pasi kështu, ne mund të kthehemi në faktorë përcaktues të moshës biologjike funksionale, për ta patur të ndryshme me atë të certifikatës.

Nga ana tjetër, nëse nuk pranojmë të besojmë mitin se me kalimin e kohës humbim aftësinë për të mbajtur mend apo për të mësuar, i kemi bërë moshës psikologjike një shërbim të madh. Gjithçka është në mendjen tonë, mjafton motivimi.

Ne kujtojmë se me kalimin e moshës degradon truri, por në fakt të moshuarit nuk kanë motivimin e duhur për të kujtuar dhe mësuar, pasi ata e dinë se prej tyre pritet të mos bëjnë asgjë. Ata përmbushin pritshmëritë e të tjerëve duke i hyrë në hak moshës së tyre të vërtetë. Për më tepër duhet të dimë se mosha kronologjike e ndihmon atë psikologjike në aspektin e menaxhimit të emocioneve.

Pas të 50-tave bëhemi mjeshtër për të përballuar emocionet negative. Shpërthimet emocionale janë më të rralla. Sigurisht që ka raste, sidomos tek ata që nuk janë “shëruar” ende nga xhelozitë. Në këtë moment kuptojmë që po moshohemi (nuk më pëlqen të thuhet plakemi). Kjo na mërzit pak, por na sjell edhe të mira. Ngadalësohet kalendari i moshës psikologjike. Nuk është pak!

Ka dhe një tjetër dimension që na thotë diçka për moshën. Është “ora sociale” e jetës. Kjo orë na tregon se kur duhet të martohemi e të bëjmë fëmijë dhe se kur duket t’i futemi punës ose karrierës. Kjo orë për shumicën ndalon së bëri tik-tak pas daljes në pension. E dini pse? Sepse shoqëria pret prej nesh të sillemi sipas modelit të ndërtuar nga nuk e di se kush.

Sipas saj, 20 vjeç duhet të fejohemi, 30 të jemi bërë me fëmijë, e 65 të dalim në pension. Po ta bëjmë pak lëmsh rradhën, ka gjasa të ndryshojmë moshën sociale. Për shembull po të ndjekim shkollën pasi kemi bërë fëmijë, ose të bëhemi prind sërish pas moshës 40-50 vjeç do e vonojmë moshimin. Disa veprimtari tipike për një fazë të caktuar të jetës nëse i realizojmë edhe në faza të tjera do na ndryshojnë trajektoren dhe kjo nuk është aspak e keqe.

Përkundrazi do ndjejmë se kemi më shumë vite për të jetuar. Dhe kur të na pyesin se sa vite kemi mbi supe, përveç letrave, që do e japin një shifër, orët biologjike, psikologjike dhe sociale nuk është e thënë të jenë në sinkron. Ajo ç’ka e bën njeriun të duket më i madh në moshë nuk është grisja e kalendarëve vit pas viti, por është të mbajturit kalendar. Të veprosh përputhshëm modeleve të ndërtuara sipas fazave moshore të përcaktura nga njerëzit për efekt studimesh e llogarish, na ngarkon me përgjegjësinë e luajtjes së roleve pa i brendësuar ato.

Ka 30-vjeçarë që e trajtojnë veten sikur të jenë 70-vjeçarë, ka 50-vjeçarë që duken si 80-vjeçarë, siç ka edhe nga ata që sillen e mbahen si 17 apo 30 vjeç gjithmonë.

Por ideja është që njeriu duhet të trajtojë veten sipas moshës që i përshtatet trupit, sipas moshës që mendon se i përket, sipas moshës që kërkon të ketë. Gjithmonë me prirjen për të ngadalësuar moshimin e shpejtë. Këtu qëndron bukuria e moshës. Gjithçka tjetër është pjellë e sistemit për t’i vënë qëniet njerëzore në rreshtimin e variableve studimorë.

 ©JetaDedja/Flasshqip.ca