Shqiptarët peng i së shkuarës? - Nga Zejadin Dedinca
- Published in Andej-Këtej

- Nga: Zejadin Dedinca - Montreal
Çdo mendim më çon në përfundimin se, në thelb kemi pasur gjithmonë një luftë për mbijetesë kombëtare, një përpjekje që është bërë pjesë e identitetit tonë kulturor. Thënë kjo në një fjalë, kemi qenë në luftë me "të tjerët". Dhe kjo nuk është thjesht një përvojë e së shkuarës, por një ndjenjë e vazhdueshme, si një refleks apo pasqyrim kolektiv. Me të drejtë, ndoshta, sepse si popull shqiptar kemi kaluar nëpër shumë sfida, ku shpëtimi, dinjiteti dhe vetë ekzistenca jonë janë vënë në pikëpyetje. Dhe vënia jonë përballë sfidave të ndryshme na ka bërë te jemi paksa paranojakë, duke na nxitur kështu të kemi gjithmonë një lloj frike brenda nesh, e cila shpeshherë është e panevojshme, por jo edhe e palogjikshme.
Është interesante se ndonëse kemi përballuar perandori të mëdha, regjime të ashpra dhe një izolim të plotë si ai i komunizmit, ende sot një pjesë e madhe e energjisë sonë shkon në rezistencë ndaj vetë qeverive tona. Sikur gjithmonë ekziston një ndjesi e përhershme se jemi nën një “pushtim të brendshëm”. Dhe kjo rezistencë nuk është se na ka ardhur nga asgjëkundi, na ka ardhur dhe duket sikur jemi lindur me këtë ndjenjë të vetëmbrojtjes, pikërisht për shkak të atyre që kemi kaluar.
Shpeshherë, njerëzit ndihen më të lidhur me idenë e një “lufte kundër padrejtësisë” sesa me një realitet ku sundon normaliteti institucional. Dhe ndoshta kjo vjen nga mungesa e një historie të gjatë me qeverisje të drejtë dhe përfaqësuese. Duhet të kemi parasysh që njerëzit ndikohen shumë nga veprimet shkak-pasojë. Çdo herë ekziston një arsye pse dikush bën apo nuk bën diçka. Vetëm se duhet të jemi mjaftueshëm lexues të mëdhenj të asaj çka thuhet apo bëhet, në mënyrë që ta kuptojmë realitetin e dikujt, qoftë ai realitet i vërtetë apo i pavërtetë.
Po për ty, si ndjehet kjo? Është më shumë lodhje nga historia, apo një lloj krenarie që ende nuk kemi hequr dorë nga kërkesa për drejtësi? A është se sot nuk duam, apo thjesht nuk dimë të respektojmë qeveritë tona? Apo ndoshta jemi mësuar historikisht të luftojmë pushtuesit dhe regjimet shtypëse, dhe sot në mungesë të tyre kemi kaluar në një refleks të trashëguar, ku sfidojmë edhe qeveritë tona, sado legjitime të jenë?
Dhe po ta mendosh nuk është se mund të vihemi në faj për këtë.
Ndoshta është edhe kjo: duam gjithçka ta kemi “tonën” - institucionet, drejtësinë, pasurinë kombëtare, madje edhe tokat që i konsiderojmë si pjesë të qenies sonë historike. Duam ribashkim territoresh që nga veri-jugu, lindja e perëndimi jo thjesht si territore, por si pjesë të një kujtese kolektive, të një identiteti që është cënuar dhe që ende kërkon rikthimin. Duam atë që të tjerët s’e duan. Dhe vetëm atëherë, kur të ndiejmë se kjo plagë e njohur, është shëruar, dhe pjesërisht e kthyer, do të vijë një lloj qetësie e brendshme. Po ndoshta prapë s'do ta gjejmë qetësinë e brendshme edhe po të bëhet ribashkrimi i territoreve të humbura. Sepse atëherë do të kërkojmë drejtësi edhe për ata që u vranë e u masakruan për të mbrojtur ish-tokën tonë.
Deri atëherë, duket se mbetemi në një tension të përhershëm, një ndjesi se ende nuk jemi plotësisht të zotët e vetes, të tokës sonë, të historisë sonë. Mbetemi peng i së shkuarës. Dhe ndoshta, për aq kohë sa jemi në këtë gjendje, gjithmonë do të luftojmë: me të kaluarën, me të tjerët, dhe shpesh, me veten. Nuk them ta harrojmë atë që kishim dikur, apo atë që përjetuam, por dua të them të luftojmë, të rikthejmë atë që kishim dikur dhe se ne duhet të ngulim këmbë, të insistojmë derisa ta arrijmë atë gjë dhe pikë. Dhe kur të ndodhë kjo të jeni të bindur, se ne do ta duam qeverinë tonë dhe do ta kemi në dorë udhëheqjen tonë.
Qenia njerëzore në përgjithësi, nganjëherë nuk e di se çfarë do, sepse ashtu është natyra e saj. Por shqiptarët dinë se çfarë duan, shqiptarët i kanë të qarta dëshirat, synimet, ëndërrat e kahmotshme që duan t'i bëjnë realitet dhe gjithmonë qëndrojnë fuqishëm ndaj pronësisë që atyre u takon. Shqiptarëve nuk u trembet syri përpara asgjëje, ata kërkojnë drejtësi dhe kërkojnë vetëm të respektohen të drejtat e tyre njerëzore, ashtu siç respektohen të drejtat e gjithë njerëzimit. Shqiptarët duan ta mbrojnë atë që është e tyre, dhe duan të jetojnë të lirë, si shqiponja lart në qiell. Shqiptarët nuk cënojnë të drejtën e askujt, asnjë populli, kombi tjetër. E gjitha çfarë kërkojnë ata është të jetojnë aty ku kanë jetuar të parët e tyre dhe thjesht të jetojnë të lirë.
© Zejadin Dedinca - Montreal