Opinione

Zëra të vetmuar, por të dlirë e të nderuar si vetë e vërteta - Nga Armand Plaka

Meqenëse po amplifikohet prej kaq ditësh një debat i stërzgjatur për pjesëmarrjen/mospjesëmarrjen e këngëtarit (në fakt më shumë i ngjit termi ish-jugosllav) Goran Bregoviç në aktivitetin më të fundmit artistik të Korçës, mes shumë diskutimeve vura re një pohim. Atë se “vetëm regjisori Çedomir Petroviç ka denoncuar nga serbët krimet në Kosovë“.

Në fakt komentuesi ndoshta për shpejtësi, për nevoja utilitare etj., ka dashur të thotë më konkretisht se është shumë, shumë e rrallë të pranohet nga një serb ajo çka ata kanë bërë para dhe sidomos pas kolapsit të ish-Jugosllavisë me shqiptarët në Kosovë.

Në këtë kontekst, ai ka të drejtë, por nëse i hyjmë më thellë temës në fjalë, nuk është tamam ashtu.

Në linjë kronologjike historike, mund të themi se në gjirin e shoqërise serbe, pas formimit të shtetit nacional serb në messhekullin XIX e sidomos pas 1912-1913, kur ndodh edhe “de jure” okupimi  i Kosovës prej tyre dhe vënies në jetë të planeve të fshehta (apo publike), të dhunshme ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavinë e Parë e atë të Dytë, ka dalë disa figura publike, politikan, historian, artist etj, të cilët kanë spikatur me kurajon e tyre, duke treguar se humanizmi, vlerat njerëzore e intelektuale nuk njohin kufij nacionalë, e ndaj të cilëve ne si shoqëri ndoshta u kemi një borxh: të mos i lemë në harresë e t'u japim vendin e duhur.

E di se edhe në këtë rast s'do të isha plotësisht i drejtë, pasi nëse do përmendnim emra publikë, mund të linim po aq në harresë qytetarë të thjeshtë, pedagogë, profesorë e intelektualë, të cilët si emra ndoshta nuk i njeh askush, por që në kohë të ndryshme (si fenomen ka ardhur gjithsesi në rritje) e kanë thënë mendimin e vet dhe kanë shprehur një "mea culpa", kur, sa dhe ku kanë patur mundësi.

Para së të kaloj në një renditje historike e kronologjike të emrave të njohur, e ndjej për detyrë morale të përmend një rast, i cili më ka mbetur në mendje para më shumë se dhjetë viteve, kur punoja për Fondacionin gjerman "Konrad Adenauer".

Po organizonim në Tiranë një seminar për ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe efektin e tyre në ekonomitë e rajonit dhe të ftuar kishim edhe dy profesorë serbë të ekonomisë që punonin e jetonin në Londër.

Fatkeqësisht emrat ua kam harruar (dhe ky fakt të percjell vërtet në atë që pretendoj më lart), por njëri prej tyre në darken pas aktivitetit, u ul pranë meje dhe në diskutim e sipër më shprehu se Serbia duhet t'i kërkojë falje shqiptareve për atë që i ka bërë, duke vijuar më pas madje edhe me kontributet e shqiptarëve në kulturen nacionale serbe; përmendi një poet të njohur për ta dhe gjithashtu citoi ca vargje.

Unë mbeta fare i habitur dhe e falenderova, por nuk e zgjata shumë dhe kalova në tjeter temë, sepse funksioni që kisha nuk ma lejonte të ndalesha shumë aty dhe duhej të kujdesesha për mbarëvajtjen e aktivitetit edhe në fazen përmbyllese, strikt sipas protokollit zyrtar.

E me thënë të drejten as vetë s'ia fiksova emrin atij profesori, megjithesë nëse rrëmoj në arkivën time, sigurisht se mund t'ia gjej emrin dhe foton.

Sidoqoftë, në aspektin zyrtar, si pike e parë reference kronologjikisht do përmendja liderin e socialdemokratëve serbë të fillimshekullit XX, Dimitrije Tucoviç, apo anëtarin tjetër të opozites së atëhershme serbe, Kosta Novakoviç, të cilët fare hapur e me guxim denoncuan krimet serbe dhe synimet kolonialiste të Serbisë në luftërat ballkanike e fushtatat serbe në territoret e banuara me shqiptare para, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj.

Kosta Novakoviç, politikan opozitar serb, i cili kishte qene edhe pjesemarrës në ekspeditën serbe në Shqipëri, do të pohonte më pas se "Qeveria imperialiste e Serbisë nuk la asgjë pa bërë ndaj shqiptarëve gjatë pushtimit". Më tej, Novakoviç do të theksonte se shfarosja e shqiptarëve të Kosovës është kryer me qëllim kolonizimin e Kosovës me serbë, në fakt për serbizimin e Kosovës.

Ndërsa Dimitrije Tucoviç ia bënte me dije opinionit të gjerë serb se “janë bërë përpjekje për vrasje me paramendim të një kombi të tërë”, theksonte më tej se: “kjo përbën në vetvete një vepër kriminale, të cilën do ta vuajmë domosdoshmërisht më vonë ne të gjithë si komb”.

Në Jugosllavinë e parë duhet theksuar se në manifestet e grupimeve të majta, e sidomos atyre komuniste (në vitet njëzet dhe tridhjetë ato ishin të gjitha në ilegalitet) të kryesuara nga Tito dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt serbo-kroato-sllovenë, theksohej deri diku tangent domosdoshmëria e një sjellje ndryshe ndaj popullsisë shqiptare në Serbi e Jugosllavi, duke sjellë në vëmendje se një ndryshim i regjimit, do rregullonte statusin e tyre në shoqëri dhe pohuar kësisoj edhe se ata ishin popullsia më e shtypur dhe më e keqtrajtuar nga monarkia jugosllave. Sidoqoftë, hezitohej të përmendej e drejta e tyre për vetëvendosje.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe themelimit të Republikës Socialiste Fedederative të Jugosllavisë, fazat e para deri në vitet ‘60 ishin vite të vuajtjeve dhe një dhune masive ndaj shqiptarëve, këtë radhe ushtruar nga padronët e rinj komunistë.

Sidoqoftë falë përpjekjeve të shumta të një elite sado të vogël kosovare të kohës (e cila duhet thënë se deri diku u ndje e detyruar të përshtatej me objektivat e regjimit, megjithë kostot që krijonte ai realitet i imponuar), rrethanave e konjukturave të kohës në ish-Jugosllavi dhe atyre ndërkombëtare, si dhe rënies dhe denoncimit të klanit të Aleksandar Rankoviçit pas Plenumit të Brioneve në mesvitet '60, situata për shqiptarët në Kosovë e ish-Jugosllavi nisi të përmirësohet, duke njohur kulmet e saj në vitet '70 me definimin e statusit kushtetues dhe themelimin e Universitetit të Prishtinës e plot arritje të tjera që ia ngritën atyre nivelin e përfaqësimit dhe nxjerrjen më në pah të identitetit dhe dinjitetit kombëtar në kuadrin federal.

Bashkë me këto hapa u vu re edhe një frymëmarrje më e madhe dhe tek-tuk një vetëkritikë e përmbajtur e disa politikanëve e intelektualeve serbë për të pranuar "gabimet" në lidhje me trajtimin e shqiptarëve, duke pohuar më së shumti se gjithçka kish ndodhur, kishte qenë si pasojë e politikave te Rankoviçit dhe e një grushti njerëzish rreth tij, e jo të politikës e popullit serb në përgjithësi.

Në këtë kuadër ishte e vështirë të gjeje ndonjë zë të spikatur që mund të dilte jashtë realitetit të gjithëpranuar titist e komunist, për vetë rrethanat e kohës.

Ndryshe ndodhi me ardhjen në pushtet të Millosheviçit. Me rritjen e autoritarizmit e diktatit, paradoksdalisht qysh në fundvitet '80, akoma pa u rrëzuar ish-Jugosllavia, zëra të vetmuar, por të spikatur të shoqërise serbe, nisën të ngrenë zërin duke vijuar me një kreshendo të admirueshme (edhe pse të vogël në sasi) përgjatë këtyre 30 viteve të fundit, duke denoncuar politikat e krimet serbe fillimisht në Kosovë (rasti i Natasha Kandiç në fundvitet '80 e fillimvitet ‘90 si veprimtare e shoqërise civile dhe e të drejtave të njeriut) e më pas në Bosnje, Kroaci e sërish në Kosovë, për të cilat ajo ka marrë jo pak edhe kërcënime të hapura për jetën,  sikurse ka gëzuar besimin dhe mirënjohjen e opinionit ndërkombëtar e atij kosovar për veprimtarinë e saj të guximshme e profesionale në evidentimin dhe denoncimin e krimeve të luftës.

Ia vlen të përmendet sidomos regjisori Çedomir Petroviç, i cili hapur dhe me shumë kurajo ka denoncuar vitet e fundit me shifra konkrete krimet serbe në Kosovë (deklarata për 1500 trupa shqiptarësh të djegur në furra e varre masive) dhe adresuar edhe shqetësimet e përgjegjësitë për personat e humbur, por më shumë ka spikatur politikani opozitar, Çedomir Jovanoviç, i cili është pritur me shumë admirim edhe në Prishtinë si një “star” e lider i përmasave moderne që rezervon një qasje shumë realiste ndaj Kosovës dhe pajtimit serbo-shqiptar.

Kontrovers, kritik si ndaj Vuciç dhe pushtetit, po aq edhe ndaj opozitës (që e sheh si të pazotë dhe të pa-alternativë në përballje me pushtetin dhe në raport me zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe pajtimit mes dy vendeve), ai duhet thënë se vazhdimisht ka qenë prezent me fjalimet, deklaratat, intervistat dhe idetë e tij në sallën e Kuvendit të Serbisë, në median dhe opinionin serb, duke sjellë realisht një zë shumë cilësor, jo thjesht kundër rrymës, por edhe shumë ndikues në formësimin e një mentaliteti të ndryshëm brenda politikës serbe, ardhur nga radhët e e brendshme të saj.

Po ashtu, këtyre qasjeve i është bashkuar tashmë prej vitesh edhe lideri i socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, i cili përkrah një grupimi deputetësh opozitarë të Parlamentit të Serbisë (ku bën pjesë edhe deputeti i spikatur shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi) para pak kohësh kreu një vizitë në zyrën e Kryeministrit kosovar, Albin Kurti, duke bërë thirrje të njihet realiteti i Kosovës së pavarur nga Serbia, sikurse po bënte tashmë edhe ai me kolegët e tij, edhe pse më parë, në vitin 2008, ai kishte pohuar se Serbia do të duhej të ndërhynte me tanke në Kosovë.

Kjo tregon edhe një evoluim jo të vogël të mendesisë në segmente politike aktuale serbe, çka është sigurisht një zhvillim shumë pozitiv.

Meqenëse e nisëm me një këngëtar, një artist, ia vlen të përmendim të ndjerin Gjorgje Ballasheviç (i cili ndërroi jetë para pak kohësh si pasojë e Covid-it) kompozitor, autor tekstesh dhe këngetar serb nga Vojvodina, i cili gjatë gjithë jetës i këndoi dashurisë dhe paqes, duke e bërë këtë edhe gjatë kohës së luftërave në ish-Jugosllavi, me thirrje publike e denoncime të politikave të Millosheviçit nëpër koncerte e takime, nga Beogradi në Novi Sad.

Ai mund të ishte me këtë rast një antipod ndaj Bregoviç, i cili duket se s'e ka pasur problem të bëjë të kundërten nga Beogradi në Krimè, edhe pse këtu ka akoma shumë hapësirë për debat. Në krahun tjetër, një emër famëkeq që falë angazhimit të tij artistik, u (keq)përdor nga politika në vitet ’90, ishte lideri i rock-grupit “Riblja Čorba”, rivalit të “Bijelo Dugme”-s, Bora Gjorgjeviç, i cili njihet për qëndrimet e tij kontroverse dhe nacionaliste të spikatura (ndër to edhe antishqiptare, por jo vetëm).  E në këtë mes, Bregoviç ndodhet sigurisht diku në qendër, pra as shumë i zëshëm e as i pazëshëm në angazhime e thirrje publike nacionaliste.    

Sidoqoftë, duhet pohuar se në detin e deklaratave, qëndrimeve publike, politike, mediatike e opinionbërëse serbe, të gjithë këta emra e kontribute s’janë veçse "një pike ujë në oqean", por që gjithsesi përbëjnë një indeks të qartë se zërat e lirë (ose më mirë them do i shkonte për shtat togfjalëshi i huazuar nga italishtja ‘lupi solitari’) në çdo regjim, kohë apo vend, do të vijojnë të dalin në pah, duke na kujtuar të gjithëve se përpjekja për të njohur e përqafuar të vërtetën, është e ngjizur në subkoshiencën tonë njerëzore qysh në gjenezën tonë dhe meriton kësisoj respekt dhe mirënjohje.

©Armand Plaka