Shënim mbi romanin e Rita Petros “Lindur së prapthi” - Nga Jeta Dedja
- Nga: Jeta Dedja

Lexova romanin e Rita Petros, “Lindur së Prapthi”. E nisa mbrëmë vonë dhe më vinte inat që më duhej të flija dikur. Më hyri në zemër personazhi. Sot, me t’u kthyer në shtëpi pas punës, e përfundova, ndërsa lexoja me zë të lartë fjalinë e fundit të tij “Të dua".
Si në një seancë analize transaksionale, udhëhequr nga një terapiste me eksperiencë, lexuesi ftohet të ndërveprojë në rolin e fëmijës, të prindit, dhe të rriturit, ku natyrshëm përfshihet në rrafshet e komunikimit të të njëjtit nivel, domethënë kur i flitet si fëmijë gjen fëmijën brenda vetes, dhe kur i flitet si prind thërret prindin thellë tij. Pra transaksioni letraro-psikologjik që kryhet është pa probleme, prandaj komunikimi i autores me lexuesin është i rrjedhshëm, pa frustracione apo keqkuptime. Stili i të shkruarit është i ëmbël, lozonjar, shpotitës, elegant dhe i paturpshëm njëkohësisht.
Sado që libri ka nota provokimi duke konsideruar përcaktorë të ndryshëm të kontekstit social, sërish provokimi perceptohet si një gudulisje sikletonjëse dhe e këndshme njëkohësisht, por aspak agresive.
Autorja Rita Petro ka selektuar vëzhgime të papërpunuara e arsyetime të thjeshta fëmije që vijnë nga një periudhë e afektuar nga kulti i Udhëheqësit të Madh, Babait Zot, Burrit Zot, për të thënë hapur të vërtetat e kohës, me agjensi e humor si në rastin kur ëndërron të puthej në faqe nga udhëheqësi e pastaj le të vdiste si ai djaloshi që i ranë në kokë soletat e pallatit në ndërtim, apo duke përdorur enkas narracionin naiv teksa nxjerr në pah ekspozimin e vazhdueshëm të vajzave ndaj rrezikut të ngacmimeve seksuale prej burrash me pushtet.
Lexuesi udhëton me personazhin fëmijë-adoleshente dhe gjen veten në të njëjtat lojëra, të njëjtët komshinj, të njëjtët shokë e shoqe, madje edhe të njëjtët spiunë e bullë që ta kthejnë botën përmbys. Një shoqëri e orientuar dhunshëm drejt uniformitetit në sjellje e qëndrime njëlloj siç edhe diktatura synonte, ku jeta ndrydhej e shpërthente në fshehtësi me të bukurat dhe të errëtat e saj.
Librin e përçon një vijë lineare sereniteti, e cila vende-vende preket dhe shformohet duke shkaktuar tension të butë, i cili bëhet tronditës në situatat kur autorja nuk ka frikë të shfaqet vulnerable para lexuesit. Pikërisht në këto momente shkrimtarja moderne takon gruan altruiste, dhe të dyja bashkë i japin lexuesit emocione të çiltra dhe të vërteta.
“Lindur së prapthi” është historia e lindjes, rritjes dhe formimit të karakterit të një vajze të lirë që dikur refuzoi të ishte figurante në një film, ndoshta sepse e dinte që një ditë do të linte më shumë gjurmë në shoqëri.
Është historia e atyre vajzave që duke eksploruar veten dhe mundësitë në një shoqëri me kufizime, njihnin botën dhe përpiqeshin të dilnin nga rreshti, të ulërinin kur lypsej e të dashuronin sa herë e kur ta ndjenin, ndërkohë që të tjerëve u dukeshin të lindura së prapthi, ndërsa lejonin prej pafuqisë e injorancës t’u kalonin nën hundë apo mbi të, ata që vërtet bënin namin.
“Lindur së Prapthi” është një libër që ia rekomandoj lexuesit në çdo kohë!
© Jeta Dedja












