Poezia narrative: Koha dhe befasitë e gjuhës së saj poetike - Nga Vangjush Ziko
Historikisht, koncepti mbi poezinë ka evoluar nga një shekull në tjetrin.
Në lashtësinë më të hershme poezia lirike këndohej, kurse poezia epike tregohej gojarisht. Kur doli shkrimi dhe botimi i librit, vargu nuk ishte më statik, ndryshoi në vlerë dhe në stil.
Në kohën tonë kemi edhe komunikimin elektronik të poezisë me lexuesin.
Gjuha poetike bashkëkohore synon një lexues të gjerë dhe aktiv, që kërkon sinqeritet dhe pavarësi në rrjedhën e komunikimit online. Autori dhe lexuesi bashkohen përmes mediave sociale dhe blogjeve. Leximi elektronik e transformon leximin pasiv. Leximi shndërrohet në një pjesëmarrje aktive në proces, nuk kufizohet në një rreth të ngushtë studiuesish letrarë.
Poezia përpiqet të jetë më e hapur, duke kapërcyer barrierat midis autorit dhe lexuesit, duke iu afruar, kështu “fjalës së gjallë”.
Lexuesit, tashmë, kërkojnë në mënyrë aktive autorë të rinj online, autorë, që e sjellin nëpërmjet rrjetit elektronik këtë fjalë.
Kjo pjesëmarrje e drejtpërdrejtë autor-lexues, përjetimi i teksteve nga afër dhe komenti i tyre ka ndikim reciprok.
Një zhvillim të ri po merr, veçanërisht, poezia narrative, gjuha e së cilës e shtyn lexuesin drejt një perceptimi konkret praktik.
Autori e përdor këtë gjuhë poetike, jo vetëm për vetë-reflektimin dhe përcjelljen e dialogut të brendshëm. Gjuha e poezisë përpiqet t’i kapërcejë barrierat midis autorit dhe lexuesit.
Ndodh kështu një fenomen reciprok eksperimental. Autori afrohet më shumë me lexuesin e ri dhe gjuha poetike bashkëkohore, pavarësisht kompleksitetit dhe eksperimentalizmit të saj, synon të angazhojë një audiencë të gjerë, duke i ofruar asaj një përvojë unike lidhjeje dhe kërkimi për ta kuptuar vërshimin e informacionit modern.
Ky raport i ri ndikon, në mënyrë të veçantë në poezinë narrative.
Poezia narrative bashkëkohore, ndryshe nga poezia klasike, është subjektive. Ajo përqendrohet në temat e përditshme, në përvojën personale, duke ruajtur traditën e krijimit të historive brenda vargjeve. Ajo synon të jetë “bashkëkohore”, duke adresuar realitete intime të përditshme.
Për ilustrim po sjell vetëm një pjesë të përvojës së poetes kanadeze me origjinë indiane, Rufi Kaur.
Ajo është botuar në Brazil, Itali, Gjermani, Spanjë dhe e përkthyer në 37 gjuhë të Botës.
Tematika e poezisë së saj është shumë pasur: dhuna, abuzimi, dashuria, humbja dhe feminiteti.
Po ndalem vetëm në temën e Dashurisë.
Poetja ka pasur një fëmini me trauma të rënda psikologjke. Ardhjen e saj në jetë e quan “akti im i parë i zhdukjes”.
Ajo ishte e detyruar që të heshtëte, të mos kishte zërin e vet:
“përsëritja vetes si një dëshirë:
unë nuk jam asgjë,
unë nuk jam asgjë,
unë nuk jam asgjë,
arsyeja e vetme,
që e di se je ende gjallë,
është frymëmarrja e kraharorit tënd.”
Poezia për të është “meditim, terapi, shërim”.
Poetja përcjell te lexuesi këndvështrimin kompleks ndaj dashurisë intime.
Dashuria për të është një ndjenjë genuine dhe magjepsëse:
“E di që duhet të shkatërrohem,
për arsyet më të mira,
por, a e ke parë
atë djalë,
që e sjell diellin
në gjunjë
çdo natë.”
Dashuria është dhe një ndërgjegjësim i vetvetes:
“Unë ika jo sepse,
nuk të dashuroja më.
Unë ika sepse sa më shumë
të qëndroja, aq më pak
do ta dashuroja veten time.”
Heroina lirike është rritur në një mjedis me tradita familjare të ngulitura në ndërgjegje:
“do të jetë dashuri me kujtimin e parë
sepse të kam parë në sytë e nënës sime,
kur ajo më thotë të martohem me llojin e burrit,
që do të doja ta rrisja si djalin tim.”
Kësaj dashurie, mbi të gjitha, i duhet mirëkuptimi:
“Më duhet dikush
që e njeh vështirësinë,
ashtu siç e di unë,
dikush i gatshëm...”
.................................
“më duhet ai
që më dëgjon
edhe kur nuk flas,
mirëkuptimin që kërkoj.”
(“Më duhet dikush”)
Institucioni moral i faljes është i rëndësishëm për këtë dashuri.
Poezia “Bisedat më të rëndësishme” na përcjell një çast nervozizmi në raportet intime.
Poetja ka zgjedhur një detaj simbolik të këtij zemërimi “gishtat e dorës” të mbledhur grusht:
“ata do të mblidhen në grusht
dhe ajo do të qajë,
por, ndërsa ata dridhen për falje,
ajo do të shohë
se si duken faljet.”
Poezia na përcjell një meditim impresionues të një dashurie gjer në çastin e fundit të jetës:
“dhe kur njëri prej jush po vdes
në një shtrat spitali në moshën 65 vjeç,
duart e tua do të kapin duart e saj
për të thënë gjëra,
që fjalët nuk mund t’i përshkruajnë.”.
Poezia narrative bashkëkohore, ndryshe nga poezia klasike, është subjektive.
Ajo përqëndrohet, kryesisht, në temat e përditshme dhe në përvojën personale, duke ruajtur traditën e krijimit të historive brenda vargjeve.
Poezia synon të jetë "bashkëkohore", duke adresuar realitetet shoqërore.
Ajo po largohet nga format e rrepta të strukturave klasike të artit poetik dhe po synon formën e lirë të ligjërimit poetik dhe jo lojën me metafora.
Karakteristikat kryesore të kësaj poezie janë liria e formës, braktisja e rimave dhe e metrit në favor të vargut të lirë, duke lejuar një rrëfim më intim me theks në botën e brendshme.
Kjo poezi e zhvendos fokusin e vet nga sublimja te e përditshmja.
Ajo është pjesë e kompleksit bashkëkohor kulturor botëror.
Janë, pra, kushtet historike të shekullit tonë, rrugët aktuale elektronike të komunikimit të autorit me lexuesin, që po projektojnë një poezi narrative të re dhe një lexues të ri me shije dhe kërkesa, kryesisht të reja.
© Vangjush Ziko - Kanada










