Krijimtari

Mortologji - Nga Artan Gjyzel Hasani

ajo botë ku përkisja

tashmë është e vdekur

kjo tjetra ku jetoj

nuk është e imja

në udhëkryqe të vjetër

me fytyra te reja

harrova kujtimet

dashuritë e mia

vdiqën te të tjerët

dhe urrejtjet e tyre

i varrosa te vetja…

njeriu mungon

kur ndihet i tepërt

mbart veten mbi kurriz

si bardi trishtimin

dhe duke mbjellë qiparisin

këndon pa zë

një këngë lamtumire…

njeriu pasi vdes

nuk bëhet pluhur

por fëmijë

dhe trupin nuk ia hanë krimbat

por ata që mbetën gjallë

dhe varreza është djepi i gurtë

streha e sigurtë

ku do ta përkundë harresa

sa herë që padashje

do të guxojë të zgjohet

në kujtimet e dikujt…

©artangjyzelhasani 2026