“Zëri i Nolit dhe një fotografi e vjetër”: Një lexim kritik i shkrimit të studiuesit Qerim Vrioni - Nga Fatmir Terziu
Shkrimi “Zëri i Nolit dhe një fotografi e vjetër” i studiuesit Qerim Vrioni përbën një ese të veçantë, ku historia, kujtesa dhe ndjeshmëria estetike bashkohen në një narrativë të qetë, por me ngarkesë të thellë domethënëse. Autori nuk synon thjesht të informojë, por të rikrijojë një moment historik përmes dy dëshmive të pazëvendësueshme: zërit dhe fotografisë.
Këto dy elemente, në interpretimin e Vrionit, shndërrohen në ura që lidhin kohën, brezat dhe ndërgjegjen kombëtare. Nisja nga dëgjimi i zërit të Fan Nolit dhe të Gjergj Fishtës nuk është rastësore. Studiuesi e vendos lexuesin përballë një përvoje intime: zëri si prani e gjallë, si dëshmi që sfidon harresën. Ndërsa zëri i Fishtës vjen nga recitimi poetik, ai i Nolit shfaqet në dimensionin e tij politik dhe historik, në një fjalim para vatranëve në vitin 1962. Qerim Vrioni arrin të theksojë me finesë kontrastin mes kohës së regjistrimit dhe kohës së ngjarjes së kujtuar, duke e bërë dëgjuesin/lexuesin pjesëmarrës në një dialog të heshtur me historinë.
Bërthama e shkrimit qëndron te fotografia e 4 korrikut 1918, realizuar në Uashington, ku Fan Noli shihet pranë Presidentit Woodrow Wilson. Këtu Vrioni shfaqet jo vetëm si studiues, por edhe si lexues i ndjeshëm i imazhit historik. Ai nuk mjaftohet me përshkrimin e fotografisë si dokument protokollar, por e trajton atë si tekst vizual, si dëshmi që flet përtej asaj që shihet. Vëmendja ndaj detajeve, qëndrimi i Nolit, veshja e tij priftërore mes kostumeve civile, shikimi i përmbajtur, por i sigurt e shndërron fotografinë në një simbol të përfaqësimit dinjitoz të një kombi të rrezikuar.
Me një gjuhë të matur dhe larg retorikës së tepruar, Qerim Vrioni rindërton takimin mes Nolit dhe Wilsonit si një çast që tejkalon kortezinë diplomatike. Ky interpretim mbështetet si në kontekstin historik, ashtu edhe në fjalët e vetë Nolit, të cituara nga inçizimi: “fituam një nga miqtë më të mëdhenj i cili shpëtoi Shqipërinë nga coptimi”. Studiuesi e ndalon vëmendjen pikërisht te thjeshtësia e kësaj fjalie, duke nxjerrë në pah kontrastin mes peshës historike të aktit dhe përulësisë me të cilën Noli e përmbledh atë.
Një dimension i veçantë i shkrimit është reflektimi mbi simbolikën e kurorës së vendosur nga Noli në Mount Vernon, mbi varrin e George Washingtonit. Vrioni e lexon këtë akt jo vetëm si një gjest protokollar, por si një akt të parë simbolik të përfaqësimit shqiptar në nderim të një kombi tjetër. Këtu ndërthuren natyrshëm identiteti fetar, kulturor dhe atdhetar i Nolit, duke e shfaqur atë si figurë të plotë, ku diplomacia dhe shpirtërorja nuk bien në kundërshti, por plotësojnë njëra-tjetrën.
Në planin kritik, shkrimi i Qerim Vrionit shquhet për qasjen e tij meditative dhe respektin ndaj figurës historike. Ai nuk e mitizon Nolin në mënyrë të verbër, por e lë madhështinë e tij të dalë natyrshëm nga faktet, dokumentet dhe gjestet. Fotografia, në këtë kuptim, shndërrohet në një “trokitje në kujtesë”, siç sugjeron vetë autori, duke i kujtuar lexuesit një nga momentet më vendimtare të mbijetesës së shtetit shqiptar.
Në përfundim, “Zëri i Nolit dhe një fotografi e vjetër” është një shkrim që dëshmon pjekurinë studimore dhe ndjeshmërinë kulturore të Qerim Vrionit. Ai arrin të ndërtojë një tekst ku dokumenti historik, reflektimi personal dhe analiza kritike bashkëjetojnë në mënyrë harmonike. Përmes zërit të Nolit dhe heshtjes domethënëse të fotografisë, studiuesi na kujton se historia nuk jeton vetëm në libra, por edhe në tinguj, imazhe dhe në mënyrën se si ne dimë t’i lexojmë ato.
© Fatmir Terziu
SHKRIMI
ZERI I NOLIT DHE NJE FOTOGRAFI E VJETER - Nga Qerim Vrioni

Ndërsa zerin e Nolit e kisha dëgjuar dhe para disa kohësh, atë të Fishtës e hasa për herë të parë ditët e shkuara. Priftin erudit ortodoks e kishin inçizuar gjatë një fjalimi për Shoqatën Atdhetare “Vatra” në Amerikë më 1962, ndërsa poetin katolik e dëgjova duke recituar pjesë nga poema e tij “Lahuta e Malcisë” më 1937. Natyrisht të dy, me zerat e tyre, por sidomos me ato që thonin, të lindnin emocione të veçanta. E, kjo falë punës së gjatë kërkimore të albanologut të përkushtuar Robert Elsie, por edhe bujarisë së tij për t’i bërë të dëgjueshme nga të gjithë në internet (www.albanianlanguage.net), gjë për të cilin ai meriton shumë përgëzime dhe falnderime.
Noli, në fjalimin e tij para vatranëve (anëtarë të “Vatrës”), ndër të tjera përmend disa përvjetorë (“aniversarë” u thotë ai) që përkonin me atë vit (1962). Ndërmjet tyre ishte dhe ai i festimit të 4 korrikut 1918 (Festa kombëtare e SHBA), kur ai bashkë me përfaqësues nga vende të tjera, ishte i ftuar nga Presidenca Amerikane në ceremonitë që do zhvilloheshin në Shtëpinë e Bardhë. Dihet që këtë rast, patrioti Fan Noli e shfrytëzoi mirë për të tërhequr vëmendjen amerikane ndaj Shqipërisë. Për këtë kremtim, inçizimi na mundëson të dëgjojmë nga goja e tij këto fjalë: “Vatra u përfaqësua me delegatin e saj (Noli, shënimi im) më 4 të korrikut 1918 përpara Presidentit Uillson dhe fituam një nga miqtë më të mëdhenj i cili shpëtoi Shqipërinë nga coptimi”. Kjo fjali më nxiti t’i kthehem përsëri fotografisë që është bërë atë ditë në Uashington me Presidentin Uillson dhe të ftuarit e tij nga disa kombësi të botës. Fotoja është shkëputur nga një album i vjetër fotografik me pamje nga jeta e shqiptarëve që jetonin në SHBA në fillim të shekullit XX, të dhuruar nga miku im, arkitekti i njohur dhe poeti Petraq Kolevica.
Sipas protokollit, mendojmë se Presidenti Amerikan së toku më të grishurit e tij, janë fotografuar pas gjithë ceremonive të rastit, në shkallët e Shtëpisë së Bardhë. E veçantë është se të gjithë pjesëmarrësit e paraqitur në të janë diplomatë ose politikanë, përveç Noli që është klerik dhe i veshur me rason e priftit, ndonëse ai është thirrur atje si përfaqësues civil dhe jo fetar i një populli. Të gjithë, natyrisht ishin të gëzuar e të kënaqur, ngjarja ishte e shënuar, ata kishin marrë pjesë në ceremoninë zyrtare më të rëndësishme të SHBA, madje ishin fotografuar me Njëshin e shtetit. Kjo s’ish gjë e vogël për personalitetin e secilit. Këtë gëzim e ka pasur edhe Noli ynë, por gëzimi i tij kish ngjyrë tjetër, ishte më i veçantë dhe më i ligjshëm, ai i kalonte caqet e ambicjes së çdo diplomati a politikani për të cilin kjo foto mund të shërbente si një dëshmi e qartë prestigji a aftësie. Shqiptari i ftuar dhe me trup të vogël kishte përfituar nga rasti dhe i kish paraqitur Presidentit Uillson gjendjen e Shqipërisë, sidomos rreziqet e shumta para saj.
Anglishtja e kulluar dhe argumentat e pastër historikë të Nolit përthithën vëmendjen e Presidentit që e kaloi cakun e një sjellje të zakonëshme kortezie diplomatike në bisedë. Ai po i bënte kështu një shërbim madhor populli të tij. Dhe, siç dihet historikisht, pas shkëmbimeve të mendimeve me priftin shqiptar që si i dërguar i “Vatrës” përfaqësonte Shqipërinë (në atë kohë vendi me këtë emër nuk kishte qeveri të tijën), Presidenti Uillson i premtoi se do t’a ndihmojë këtë komb të mos coptohej përfundimisht nga fqinjët shovinistë. Historia flet se Uillson e mbajti me të vërtetë fjalën që i dha Nolit një vit më pas, më 1919, kur në Konferencën e Paqes në Paris, kundërshtoi me forcë shpërbërjen e Shqipërisë. Me atë qendrim ai e renditi veten ndër miqtë më të shquar të kombit tonë në historinë e tij. Prandaj, me sa dallojmë nga fotoja, Noli ka një shikim brenda të cilit është gëzimi i thellë dhe i përmbajtur por edhe besimi tek fjala e madhe që mori për të drejtat e shqiptarëve.
Gjithë këtë vepër të lartë të tij, Noli, duke folur para antarëve të “Vatrës”, më 1962, e përmbledh vetëm me fjalinë “fituam një nga miqtë më të mëdhenj i cili shpëtoi Shqipërine nga coptimi”, gjithsej 10-12 fjalë, por ato përfaqësonin atë hap të madh dhe historik që shmangu coptimin përfundimtar të kombit shqiptar. Dhe eruditi, letrari, por veçanërisht atdhetari i shquar me raso prifti, Fan Noli, flet për bisedën e tij me presidentin Uillson, sikur të bëhej fjalë për dikë tjetër, fare pa lidhje me të.
Le të kthehemi përsëri tek fotografia historike e përkujtimore mbi 90-vjeçare. Poshtë saj në albumin e cituar shkruhet diçitura përkatëse: “Delegatët e kombësive të ndryshme që ishin ftuar prej Presidentit Wilson në Washington për kremtimin e Ditës së 4 korrikut, të cilët depozituan nga një kurorë për racat që përfaqësonin mbi varrin e George Washingtonit në Mount Vernon”.
Mendojmë se kurora që vendosi Noli në Mount Vernon, është historikisht e para që një përfaqësues zyrtar i shqiptarëve nderon simbolikisht një komb tjetër. Madje, si prift që ishte, e përfytyrojmë t’i përjetonte thellësisht ato çaste duke lexuar si nën zë, edhe ndonjë përshpirtje në gjuhën shqipe dhe këtë jo vetëm si rit fetar, por të dalë nga thellësia e shpirtit të tij.
Gjithashtu, siç e përmendëm edhe më sipër, fotografia ndoshta mund të ketë pasur ndikim në jetën a karrierën e ndonjë pjesëmarrësi në të. Por për gjithë shqiptarët është diçka fare ndryshe. Ajo përbën një trokitje në kujtesën historike për të mos harruar një nga momentet më të brishta të egzistencën së tyre si shtet. Meritën për këtë, ndoshta e kanë vetëm dy njerëz në fotografinë tonë, Presidenti Uillson dhe shqiptari Fan Noli. Diku nga mesi i fotos shihet fytyra e qetë dhe dinjitoze e Nolit, i cili përveç cilësive dhe vlerave të njohura kulturore dhe atdhetare, me fjalimin e tij para vatranëve më 1962 sikur do të thotë se unë bëra vetëm detyrën time si shqiptar.
© Qerim Vrioni - 2008










